Aktualitet

Tre persona grabisin miliona lekë në një banesë në Vaun e Dejës

Shkruar nga Liberale
Tre persona grabisin miliona lekë në një banesë në Vaun

Tre persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur një shumë të konsiderueshme prej 5 milionë lekësh të vjetër në një banesë, në fshatin Stajkë të bashkisë Vau Dejës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit të sotëm në banesën e shtetasit Pashk Mel. Grabitësit mësohet se i kanë drejtuar armën djalit të shtëpisë, Pashk Melit, kur kanë qenë duke dalë pasi kishin marrë shumën e parave, e më pas janë larguar me shpejtësi.

Grabitësit kanë marrë me vete edhe serverin e kamerave të sigurisë të kësaj banese, që të mos lënë asnjë gjurmë të grabitjes.

Pashk Meli sëbashku me babain dhe nënën e moshuar ndodheshin brenda në shtëpi në momentin kur ka ndodhur grabitja.

Shuma e parave prej 5 milionë lekësh të vjetër ndodhej në një arkë të madhe, në të cilën zonja e shtëpisë mbante edhe rrobat.

Mesa duket autorët e grabitjes kanë patur informacion të sigurtë pasi kanë shkuar direkt tek arka duke e nxjerrë jashtë dhe duke marrë paratë brenda saj.

Familja Meli ka bërë denoncim në postën e policisë në Barbullush, pjesë e policisë vendore të Shkodrës duke treguar se çfarë ka ndodhur.

Blutë e Shkodrës kanë nisur hetimet mbi grabitjen.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH