1

Tre dekada nga shembja e Bashkimit Sovjetik dhe perspektiva e Rusisë së Putinit

               Publikuar në : 09:49 - 04/09/21 Sergei Guriev 

Sergei Guriev 

Tridhjetë vjet pas grushtit të dështuar të shtetit në gushtin e vitit 1991 në Bashkimin Sovjetik, dhe shpërbërjen e vendit 4 muaj më vonë, është e vështirë të shmangësh pyetjen:Çfarë çoi në rënien e asaj superfuqie botërore, dhe a janë të njëjtët faktorë të rëndësishëm për pasardhësin e tij, Rusinë e sotme?

Vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, kanë qenë subjekt i shumë studimeve, duke përfshirë librin me titull “Shembja e një perandorie:Leksione për Rusinë e sotme” me autor reformatorin post-sovjetik Yegor Gaidar.

Pavarësisht nga disa dallime të rëndësishme sa i përket rrethanave në përgjithësi, dinamika kryesore në Rusinë e sotme, është e ngjashme me atë me të cilën përballej dikur udhëheqja e epokës sovjetike:Rritja e shpejtë ekonomike kërkon reforma; reformat i frikësojnë elitat; mungesa e rritjes ekonomike do ta detyrojë regjimin të ndryshojë, edhe pse nëse kjo nga ana tjetër nënkupton më shumë demokratizim apo më shumë shtypje kjo mbetet për t’u parë.

Vitet e fundit, ne kemi parë kristalizimin apo konsolidimin e modelit politik dhe ekonomik të Putinit. Sigurisht që ekzistojnë disa ngjashmëri të dukshme midis këtij modeli dhe atij sovjetik. Por ndërkohë ka edhe ndryshime të mëdha.

Ashtu si paraardhësja e saj sovjetike, qeveria e sotme ruse beson në kontrollin e “komandës nga lart” të ekonomisë, në vend se të mbështetet më shumë tek sipërmarrja private. Ndërkohë që nga viti 2014, qasjae re gjeopolitike e Moskës, ka sjellë një izolim të madh nga ekonomia globale.

Ashtu si në vitet 1970-1980, kjo qasje ka shkaktuar një stanjacion ekonomik. Nga ana tjetër, politikëbërja makroekonomike e Rusisë është shumë më kompetente sesa ajo e BRSS. Gjatë viteve të fundit të Bashkimit Sovjetik, qeveria nuk e kuptoi paqëndrueshmërinë e çmimeve fikse (gjë që solli mungesa të pashembullta në treg).

Ajo kishte deficite të mëdha buxhetore dhe në fund falimentoi. Sot Rusia ka një borxh shumë të ulët, ajo ka rezervë një fond të madh sovran, dhe zbaton një politikë fiskale konservatore. Banka Qendrore e Rusisë, ka zbatuar një politikë monetare të bazuar në mbajtjen nën kontroll të inflacionit, dhe një kurs fleksibël të këmbimit.

Prandaj, edhe pse ekonomia ruse është në stanjacion, nuk ka gjasa që ajo të shndërrohet në një krizë makroekonomike në një të ardhme të parashikueshme. Ndërkohë edhe modeli politik i Putinit është i ndryshëm nga ai sovjetik. Regjimi sovjetik ishte një diktaturë ideologjike e bazuar tek partia.

Rusia e sotme është një autokraci e personalizuar dhe kleptokratike. Ashtu si shumë regjime jodemokratike në të gjithë botën, Rusia është një “autokraci informative”:Ajo pretendon të jetë demokratike, zbaton një shtypje selektive dhe jo masive, mohon bashkëpunimin në vrasjen e kundërshtarëve të saj politikë në Rusi dhe jashtë saj, si dhe lejon ekzistencën e mediave të pavarura dhe partive opozitare.

Gjatë 2 viteve të fundit, Rusia është bërë sigurisht shumë më represive. Megjithatë, edhe tani, niveli i shtypjes (i matur për shembull me numrin e të burgosurve politikë) nuk është i krahasueshëm me atë të Bashkimit Sovjetik para epokës së Gorbaçovit.

Dhe ky është një avantazh i rëndësishëm në krahasim me modelin sovjetik:Siç argumentojmë Daniel Treisman në studimin mbi autokracitë informative, regjime të tilla janë më të përshtatshme për epokën moderne të rrjedhës ndërkufitare të informacionit, mediave globale dhe një fuqie punëtore të arsimuar.

Ndërsa sistemi politik i Putinit është më fleksibël sesa ai sovjetik, që të dy kanë të përbashkët një dizavantazh të rëndësishëm:refuzojnë reformat e nevojshme. Në librin e tij të fundit “Përpjekjet për të shpëtuar ekonominë sovjetike”, Chris Miller i Shkollës Fleçer argumenton se përpjekjet e Mikhail Gorbaçovit për të reformuar ekonominë sovjetike ishin të destinuara të dështonin, pasi ai nuk mund të dilte dot mbi grupet e fuqishme të interesit.

Miller tregon se si Gorbaçovit dhe këshilltarët e tij e kuptuan nevojën për reforma, dhe shqyrtuan modele të ndryshme reformash, përfshirë ato të Kinës post-Maos. Megjithatë, duke qenë se lobet në sektorine mbrojtjes, energjisë dhe bujqësisë kishin një fuqi të madhe ekonomike dhe politike, të gjitha përpjekjet e Gorbaçovit për reformat ekonomike ngecën ose dështuan.

Edhe qeveria e Putinit e sheh qartazi se modeli aktual politik dhe ekonomik, nuk mund të sigurojë rritje më të shpejtë të të ardhurave. Por qeveria ruse e kupton se reformat do të minonin kontrollin politik të elitës aktuale në pushtet.

Për të përshpejtuar rritjen ekonomike, Rusisë i duhet garantimi i sundimit të ligjit, një mbrojtje më e mirë e të drejtave të pronësisë, ri-integrimi në ekonominë globale, si dhe mënyra efektive për të luftuar korrupsionin dhe dominimin e shtetit në ekonomi.

Por reforma të tilla do të sillnin në fund shfaqjen e një klase të madhe të pavarur sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët do të kërkonin përfaqësim politik. Në përputhje me thënien e famshme se “mund të mashtrosh disa njerëz gjatë gjithë kohës, dhe të gjithë popullin disa herë, por nuk mund ta mashtrosh të gjithë popullin gjatë gjithë kohës”, teoria ime dhe e Treisman, është se në fund shumica e votuesve do të kuptojnë se udhëheqja nuk po arrin të garantojë zhvillim, gjë që do të sjellë një rënie të popullaritetit dhe në fund ndryshimin e regjimit.

Ky skenar është sigurisht i mundshëm për Rusinë në planin afatgjatë:Pa njërritje të ardhurash, Rusia ose do të demokratizohet, ose do të kthehet në një diktaturë tradicionale të bazuar tek frika (siç e pamë në Venezuelë pas rënies së çmimeve të naftës dhe vdekjes së lideri karizmatik Hugo Chavez).

Sigurisht, që ekziston edhe një ndryshim tjetër midis Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik:Gjatë 30 viteve të fundit, teknologjia e informacionit ka shënuar një përparim shumë të madh. Disa ekonomistë kanë spekuluar se inteligjenca artificiale(AI), mund të ndihmojë në ndërtimin e një versioni funksional të një sistemi të planifikimit qendror, që dështoi aq keq gjatë viteve 1980.

Deri më tani as Rusia dhe as Kina – që zotëron një teknologji shumë më të avancuar të AI – nuk janë përpjekur ta përdorin AI për të krijuar një “Gosplan” dixhital. Ndoshta elitat ruse dhe kineze, e mbajnë mend se rregullimi i çmimeve, edhe duke pasur kompjuterët më të fuqishëm, është shumë më i rrezikshëm sesa lejimi i tregjeve që të balancojnë ofertën dhe kërkesën.

Mungesat nuk janë negative vetëm për efikasitetin ekonomik. Ato krijojnë linja, të cilat janë një mënyrë e përsosur për të mobilizuar një numër të madh qytetarësh të pakënaqur. Por teknologjia e re mund ta ndryshojë lojën edhe për një arsye tjetër:Ekziston një simbiozë e natyrshme midis qeverive diktatoriale dhe kompanive të AI.

Diktatorët nuk e respektojnë privatësinë, prandaj mund të ofrojnë një sasi të jashtëzakonshme të dhënash për kompanitë e Inteligjencës Artificiale, të cilat nga ana e tyre mund t’i përdorin ato për të siguruar fitime shtesë. Ndërkohë, një sektor AI i klasit botëror, i ndihmon diktatorët që të ndërtojnë një shtet të përsosur të mbikëqyrjes masive.

Zhvillimi në një diktaturë të tillë dixhitale, është një trajektore e besueshme për regjimin kinez, por shumë më pak e mundshme për Rusinë, ku korrupsioni i shfrenuar, një ekonomi relativisht e vogël vendase, dhe izolimi nga ekonomia globale pengojnë rritjen e kompanive të këtij sektori.

Dhe nuk duhet harruar se Inteligjenca Artificiale, ​​është një industri ku shkalla është shtytësi më i rëndësishëm i produktivitetit. Çfarëdo që të ndodhë me AI në Kinë, nuk ka gjasa që

ajo të përshpejtojë rritjen ekonomike në Rusi. Dhe kjo na kthen në argumentin fillestar:Pa reforma s’do të ketë rritje të shpejtë ekonomike; pa reforma nuk do të ketë rritje ekonomike, dhe në fund regjimi do të detyrohet të ndryshojë.

A do të sjellë ky ndryshim shembjen e Rusisë siç ndodhi me Bashkimi Sovjetik 30 vjet më parë? Përgjigja e mundshme është jo. Pavarësisht nëse Rusia do të bëhet më e lirë apo më shtypëse, ajo do të jetë akoma shumë më homogjene sesa Bashkimi Sovjetik.

Dallimet demografike janë të mëdha:Në Bashkimin Sovjetik rusët etnikë përbënin rreth gjysmën e popullsisë; në Rusinë moderne mbi 80 për qind. BRSS përfshinte 14 republika jo-ruse me një identitet të fortë kombëtar dhe elita kombëtare; ato përbënin 1/3 tretën e territorit të saj dhe gjysmën e popullsisë.

Ndërkohë nga 85 territoret përbërëse të Rusisë së sotme, 27 janë të ashtuquajturat republika etnike, krahina dhe rajone autonome. Por ato janë të vogla dhe shumë të varfra, pa dalje në det ose të dyja bashkë. Mund të ndodhë që një pjesë e vogël e këtyre rajoneve të përpiqen të shkëputen, por kjo nuk ka të ngjarë që të çojë në shpërbërjen e federatës ruse

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back