Editorial

Tranzicioni sapo ka rifilluar!

Shkruar nga Liberale
Tranzicioni sapo ka rifilluar!

Ervis Iljazaj

Me rikthimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike pas 32 vitesh të cilën e ka drejtuar pa asnjë ndërprerje, me Edi Ramën në mandatin e tij të tretë pasi është në politikën aktive më shumë se 20 vite dhe me Ilir Metën, pasi ka mbajtur postin e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, që drejton tashmë një parti të re politike, nuk ka dyshim se politikisht sistemi 30-vjeçar i politikës shqiptare ka triumfuar.

Të gjitha iluzionet  apo shpresat se gjatë viteve të pluralizmit shoqëria shqiptare do të ishte e aftë të krijonte një elitë të re politike, apo më së paku të gjeneronte një ndryshim brezash gradual që të ishin të aftë t’i përshtateshin ndryshimeve sociale dhe ekonomike të kohës, janë tashmë të ezauruara. Në këtë kuptim, ajo duket e dorëzuar dhe e pamundur për të ndryshuar këtë status quo politike. Kjo perceptohet në çdo bisedë, në çdo tryezë diskutimesh dhe në çdo debat publik që zhvillohet në media. Revolta e tyre kundrejt kësaj klase politike gjen shprehjen më të rëndësishme me largimin nga Shqipëria. Një revoltë e cila është njëkohësisht e dhimbshme dhe e heshtur.

Të paaftë për të zhvilluar një garë politike mbi të tashmen dhe të ardhmen, klasa politike shqiptare e ka fokusuar atë mbi të shkuarën. Ligji për ‘’hapjen’’ e dosjeve  është ilustrim tipik se Shqipëria ka ngelur akoma peng e viteve ’90-të. Me një qeveri e cila nuk mundet t’i bëjë ballë inflacionit, krizës ekonomike, krizës energjetike, apo problemeve të shumta që ka shoqëria, e fokuson diskursin dhe betejën e saj te pastrimi i ndërgjegjes kombëtare nga historia komuniste e saj. Është e qartë se kjo shërben për një betejë politike e bazuar në të shkuarën. Një betejë që e ka gjetur opozitën të kompleksuar dhe pa ide të qarta në këtë çështje. Edi Rama dhe propaganda e tij bazohet kryesisht në identifikim e ‘’armikut’’ dhe mposhtjen e tij.

Njëherë janë gjyqtarët, njëherë tërmeti, njëherë lufta në Ukrainë. Nuk ka shumë rëndësi, rëndësi ka që ai, armiku i shqiptarëve të mposhtet prej tij. Dhe me sa duket, kësaj here armiku janë spiunët e ish-Sigurimit të Shtetit.

Në fakt është paradoksale se si ish-Partia e Punës ka marrë përsipër të japi drejtësi për krimet që ka kryer vetë kjo parti për 45 vite me radhë. Më shumë se sa paradoks politik i Partisë Socialiste, ka nevojë për një reflektim se çfarë është dhe çfarë përfaqëson sot e djathta shqiptare ku kontradiksionet janë të panumërta, si përshembull konflikti me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe i liderit të saj.

Po të flasësh sot më të rinjtë shqiptarë për temën  kryesore që diskutohet në media, që është ‘’ hapja’’ e dosjeve, ata as nuk e kuptojnë as nuk kanë interes ta kuptojnë. Shqetësimet e tyre janë krejtësisht të një natyre tjetër. Shqetësime për të cilat askush nuk flet dhe asnjë debat publik nuk i adreson. Në këtë mënyrë ka një largësi të madhe midisi diskursit politik dhe shqetësimeve reale të shoqërisë, e cila bënë që të ulet ndjeshëm besimi që kanë te politika dhe te ardhmja e tyre në përgjithësi.

Megjithatë , raporti i shoqërisë shqiptare me të shkuarën e saj është një çështje që duhet zgjidhur. Madje duhet të ishte zgjidhur prej kohësh. Ka pasur shumë tentativa, por të gjitha ato nuk kanë qenë të plota, të qarta dhe të përhershme.

Edhe kësaj here, ndryshimet për sa i përket ‘’hapjes’’ së dosjeve të lënë ndjesinë e një gjëje të papërfunduar. Duket sikur është një dhënie drejtësie e pjesshme për  njerëzit që kanë vuajtur gjatë kohës së regjimit komunist. Ndoshta më vonë do të ketë iniciativa të tjera në këtë drejtim, por le të presim. Në të kundërt, funksionaliteti “i hapjes” së dosjeve nuk ekziston. Sepse çdo ligj që ekziston dhe zbatohet në një shoqëri ka një funksion, pa të cilin nuk ka pse të aprovohet. Ende nuk është i paqartë se cili është funksioni i këtij ligji pas 32 vitesh të ndryshimit të regjimeve!

E gjithë kjo retorikë që bazohet te e shkuara, aq me tepër nga të njëjtët aktorë politikë prej 30 vitesh tashmë, të jep idenë se tranzicioni shqiptarë jo vetëm që nuk është afër mbarimit, por sa po ka rifilluar. Dhe nuk ka asnjë gjë të çuditshme në këtë drejtim. Sepse tranzicionet nuk përfundojnë me kalimin e kohës, por me përpjekjen e klasës politike për të qeverisur sa më mirë dhe në mënyrë sa më të ndershme, duke aplikuar parimet e demokracive të konsoliduara. Ka vende në Amerikën Latine të cilat kanë 50 apo 60 vjet në tranzicion dhe janë ende larg përfundimit të tij. Ky nuk është aspak një parashikim pesimist, por thjesht një alarm për shoqërinë shqiptare se tre dekada nuk janë asgjë për historinë.  Dhe siç e kanë udhëhequr Shqipërinë për tre dekada, fare mirë e njëjta klasë politike mund ta bëjë edhe për tre të tjera.

Shqipëria është nga ato vende që politologët i quajnë “demokraci të ngrira”. Në kuptimin që, për shumë vite me radhë paraqesin të njëjtat probleme. Po ta kthejmë kohën pas 20 vite, do të shohim që debatet publike shqiptare kishin tema si pavarësia e drejtësisë,  korrupsioni, integrimi, hapja e dosjeve etj. Të njëjtat janë edhe sot, duke paraqitur ekzaktësisht një “demokraci të ngrirë./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH