Aktualitet

Tranzicioni Rama-Berisha-Metaj nuk po fiton, por po ngordh (Replikë me Ervis Iljazaj)

Shkruar nga Liberale
Tranzicioni Rama-Berisha-Metaj nuk po fiton, por po ngordh (Replikë me

Në lumin e turbullt të lajmeve dhe analizave që vërshuan në medie pas nënshkrimit të marrëveshjes Berisha- Metaj, ngeca pak më shumë te një shkrim, (mund ta lexoni të plotë më poshtë), i analistit Ervis Iliazaj botuar te Liberale.al. Titulli: Tranzicioni sapo ka rifilluar!

Pavarësisht se autori thotë se nuk kërkon që të përhap pesimizëm, ai arrin në përfundim se Tranzicioni 30 vjeçarë ka fituar dhe po nis një cikël tjetër, ndaj shqiptarët duhet të bëhen gati për 3 dekada të tjera në këtë statukuo. Kjo është më keq; Disfatizëm!

Pasi bën një paradë të situatave gjatë këtyre viteve të gjata të demokracisë hibride shqiptare të uzurpuara nga të njëjtat figura politike si Berisha, Rama, Metaj dhe të njëjta parti nën hyqmin e tyre, Iliazaj thotë pra me disfatizëm, se përpjekjet e elitave të reja për ti rrëzuar ato kanë marrë fund dhe demokracia shqiptare do të vazhdojë gjatë në këtë gjendje të ngrirë.

“Të gjitha iluzionet apo shpresat se gjatë viteve të pluralizmit shoqëria shqiptare do të ishte e aftë të krijonte një elitë të re politike, apo më së paku të gjeneronte një ndryshim brezash gradual që të ishin të aftë t’i përshtateshin ndryshimeve sociale dhe ekonomike të kohës, janë tashmë të ezauruara”, vulos ai.

Pastaj tregon se ka vende në Amerikën Latine të cilat kanë 50 apo 60 vjet në tranzicion dhe janë ende larg përfundimit të tij, se nuk përbën çudi që siç e ka udhëhequr Shqipërinë për tre dekada, fare mirë e njëjta klasë politike, mund ta bëjë edhe për tre të tjera.

Kur flet për kohën e shkuar, Iliazaj është korrekt. Kjo klasë politike ja ka arritur që të blindojë vetveten me pasuri, ligje, kushtetutë, çetëzim të partive, kryetarokraci dhe mbi të gjitha me kapjen e votës për tu ndjerë fuqiplotë.

Është e vërtetë se çdo tentativë ripërtëritjesh elitash mbytet që në filiz, por kjo nuk ndodh sepse ata janë më të zotë dhe më të fuqishëm. Aq më pak se i do populli, apo vërtetë janë “të votuar”. Ndodh sepse ata kanë kapur sistemin legjislativ- politik- zgjedhor- ekonomik.

Këtu kalojmë te analiza e kohës së tashme për këtë celulë kanceroze që tashmë përfaqësohet nga tre emra të përveçëm; Rama- Berisha- Metaj.

Në pamje të parë duket se kanë fituar dhe janë gati për një riciklim, por faktet nuk të çojnë në këtë përfundim. Që të tre janë të frikësuar dhe të rrethuar. Të rrethuar nga Perëndimi, rruga penale e Drejtësisë së re, hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe mbi të gjitha nga votuesit shqiptarë të cilët zgjedhje pas zgjedhjesh i bojkotojnë me shumicë.

Ky rrethim pritet që të ngushtohet edhe më shumë me rrëzimin e Kushtetutës Berisha- Rama të vitit 2008 dhe çlirimin e sistemit zgjedhor bashkë me kapjen e partive dhe “si qershia mbi tortë”, me vetingun e politikanëve. Pastaj vjen fundi, mbytja në të përgërat e veta.

Të gjitha këto përbëjnë tashmë një proces që ka nisur dhe nuk ka shans që të vazhdojë të qëndrojë i bllokuar, edhe 30 vite të tjera siç mendon Iljazaj.

Fuqia aktuale e improvizuar e Ramës, Berishës dhe Metaj është një iluzion propagandistik dhe populist. I pari është kapur fortë pas dyshes, B&M, duke ua nxjerrë përpara shqiptarëve si gogol, kurse këta të fundit ushqejnë mbijetesën me qeverisjen e tij të korruptuar. Ajo që ofrojnë është një valle treshe ku shaminë ja kalojnë njëri tjetrit, siç po bëjnë edhe aktualisht.

Pesimizmi i Iljazajt është faktikisht përfaqësim i disfatizmit të shtresës mendje-hapur dhe properëndimore që ka kapluar këtë vend. Ja kanë arritur kësaj dite, sepse kanë krijuar mirazhin e udhëheqësve të pamposhtur. Në fakt janë kufoma që po përjetojnë fazën e fundit të kalbëzimit dhe ca më keq; Të mbushur me krimbat e mëkateve të tyre 30 vjeçare.

Shkëlqimi aktual i tyre është i njëjtë, me atë që mbulon një frymor pak çaste përpara se të shndërrohet në kufomë. Kjo nuk është dëshirore, por dialektike.

Ajo që kemi për detyrë ne është të mbajmë prozhekotorët, të fiksuar mbi këtë proces degradimi. Që shqiptarët ta shohin nën dritë të plotë, me gjithë shëmtinë e paprecedentë të tij. Të raportojmë radhën e tyre në SPAK e më pas, edhe në Gjykatën e Posaçme; Si me kokë ulur i binden Perëndimit të ndryshojnë Kushtetutën dhe ligjet që i mbajnë në lojë përjetësisht; Si votuesit preferojnë më mirë të qëndrojnë në shtëpi, duke parë nga TV-të vetminë e tyre; Si po hanë njëri tjetrin dhe si po nxitojnë të fshehin gjurmët e pasurive, (dhjetëra miliard dollarë), që ju kanë grabitur shqiptarëve gjatë pushtetit të tyre 30 vjeçarë.

Raporto i nderuar Iliazaj, mos disfato!

Tranzicioni me këto tre fytyra si përfaqësuesit tipik të tij, po mbyllet si një funeral dhe jo si një revolucion Berishaj- Metaj; aq më pak si një dasmë me Ramën dhëndër për herë të X-të.

Ndaj ai nuk ka fituar, thjesht po shtyn në kohë ngordhjen e pashmangshme!/Alfapress.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH