Globi

Transplanti i parë në botë, burri merr zemrën e një derri

Shkruar nga Liberale
Transplanti i parë në botë, burri merr zemrën e një

Një burrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë personi i parë në botë që ka bërë transplant të zemrës duke e marrë një të tillë të modifikuar nga një derr.

David Bennet, 57-vjeçar, është më mirë tani me shëndet pas procedurës që zgjati shtatë orë, kanë bërë të ditur mjekët në Baltimore.

Transplanti ishte shpresa e fundit për jetë e Bennettit, edhe pse s’është e qartë nëse do t’i shtojë shanset për jetë më të gjatë.

“Ishte ose vdekje ose ky transplant”, pati thënë Bennetti një ditë para operimit. “E di se është sikur të gjuash në errësirë, por është shansi im i fundit.”

Doktorët në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Marylandit morën leje speciale nga autoritetet e SHBA-së për të kryer procedurën, pasi në të kundërtën Bennetti do të vdiste. Ai konsiderohej i papërshtatshëm për një transplant njerëzor, një vendim që merret kur pacienti është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Për ekipin që kreu transplantin, kjo shënon kulmin e disa vitesh hulumtimesh dhe mund të jetë hapi më i madh për ndryshim të jetës në botë.

Kirurgu Bartley Griffith ka thënë se operimi mund ta afrojë botën “një hap më afër zgjidhjes së krizës së problemeve me organe”, sipas njoftimit të kësaj qendre mjekësore. Aktualisht 17 njerëz në ditë vdesin në SHBA në pritje të një transplanti, ndërsa lista e pritjes është më e gjatë se 100 mijë.

Mundësia e përdorimit të organeve të kafshëve është konsideruar qe një kohë të gjatë dhe përdorimi i valvulave të zemrës së derrit tashmë është i zakonshëm.

Në tetor të 2021-s, kirurgët në New York njoftuan se një veshkë e një derri me sukses është transplantuar te një person. Në atë kohë, operimi ishte eksperimenti më i avancuar deri tash. Megjithatë, marrësi ishte klinikisht i vdekur dhe pa shpresë për mbijetesë.

Bennet, megjithatë, shpreson se transplanti do t’ia mundësojë vazhdimin e jetës. Ai ishte i shtrirë për gjashtë javë në spital dhe i lidhur me një pajisje që e mbante gjallë.

“Mezi pres të ngrihem nga spitali, pasi të rikuperohem”, pati thënë ai javën e shkuar.

Të hënën, Bennetti u raportua se po merrte frymë vetë dhe se ishte nën monitorim të vazhdueshëm. Por se çka do të ndodhë saktësisht në të ardhmen, mbetet e paqartë. Organi i marrë nga derri u modifikua gjenetikisht për t’iu përshtatur trupit të Bennettit.

“Ne kurrë s’e kemi bërë këtë më herët dhe mendoj se ne i kemi dhenë atij një shans më të mirë se terapia që ishte deri tash. Por sa do të jetojë – një ditë, një javë, një muaj, një vit – nuk e dimë”, ka shtuar Griffith.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH