Aktualitet

Totalitarizëm dhe ç’kujtesë

               Publikuar në : 11:31 - 31/08/19 LP

Rudolf Marku 

1.
Asgjë më tepër nuk iu ka pëlqyer regjimeve totalitare, sesa kontrolli total i kujtesës. “E gjithë historia e shkurtër e Raihut të tretë, – na thotë Primo Levi (Të mbyturit dhe të shpëtuarit, 31), – mund të rilexohet si Lufta kundër kujtesës.
Ç’është e vërteta, komunistët nuk qenë aq të preokupuar për zhdukjen e gjurmëve të krimeve të tyre, sa qenë nazistët. Dhe kjo thjesht, se komunistët besonin, se sistemi i tyre dhe pushteti i tyre qe i përjetshëm… Vetëm pas rrëzimit të Murit të Berlinit, ata filluan për herë të parë të mendonin seriozisht për zhdukjen e evidencave të krimeve të tyre… Ne, shqiptarëve na kujtohet ai rrethimi me një mur të lartë i Ministrisë së Brendshme  në vitin 1991 dhe djegia e dokumenteve sekrete për një muaj rresht… Sigurimi i Shtetit Shqiptar e bënte eliminimin e krimeve përmes një metode tepër origjinale: zhdukjen e fakteve dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, falsifikimin monstruoz të tyre…

Një tjetër teknikë është dhe intimidimi i atyre, që kërkojnë ringjalljen e kujtesës, apo njohjen e informacionit të vërtetë… Dëgjimi i radiove të huaja, qe i ndaluar në Gjermaninë naziste dhe sidomos në vendet komuniste. Radios iu shtua më vonë dhe shikimi i stacioneve televizive. Dëgjimi i radiove dhe ndjekja e kanaleve të huaja televizive u konsideruan krime shtetërore… Fshehja dhe varrimi i informacionit kompromentues në vendet komuniste shkonte deri aty, sa që ne ishujt Sokolovski rojet kishin urdhër të gjuanin e të vrisnin pulëbardhat, se mos dikush mund t’i përdorte si postierë fluturuesë.. Në Shqipëri dhe në Bullgari të burgosurit, që liroheshin duhej të nënshkruanin, se “kurrë nuk do tregonin për çfarë kanë parë në burg, në rast të kundërt, do të akuzohen si gënjeshtarë dhe përhapës thashethemesh”.

Teknika e tretë për të fshehur realitetin dhe për ta zhdukur kujtesën ishte përdorimi i eufemizmit. Në Gjermaninë naziste përdoreshin shprehje të tilla, si “zgjidhja finale” apo dhe “trajtimi i veçantë”. Sapo kuptimi i tyre bëhej i njohur, shprehjet zëvendësoheshin me shprehje të tjera, si ‘’evakuim, “deportim” apo dhe “transportim”. Transformimi gjuhësor shkonte përtej eufemizmave gjuhësore dhe filologu Victor Klemperer e ka quajtur këtë fenomen ‘’ lingia tertii imperii’’ gjuha e Raihut të Tretë. Ndërsa komunistët, nga ana e tyre, u përpoqën të infektojnë gjithë sistemin gjuhësor në tërësi. Këtë përpjekje për dominimin e gjuhës, jehonën e së cilës në shqiptarët e ndjejmë përmes diskutimeve proverbiale kundër Gegnishtes, Goerge Orwell e kishte quajtur ‘’Newspeak”, një gjuhë artificiale dhe laboratorike, e krijuar prej formulave të gatshme, të distancuara nga gjuha e folur.

Teknika e fundit dhe më e efektshmja (sidomos e efektshme në Shqipëri) ka qenë (dhe mbetet) kontrolli i informacionit dhe manipulimi i kujtesës përmes gënjeshtrës dhe mashtrimit. Në Shqipëri ka ekzistuar një Drejtori e veçantë për përhapjen e shpifjeve dhe të gënjeshtrave…  Por, nëse i shohim të dyja format e regjimeve totalitare, nazizmin dhe komunizmin, duhet të themi, se në fushën e propagandës nazistët qenë amatorë… Në krahasim me nazistët, komunistët kishin në çdo organizatë dhe celulë partie Agitrop-in e vet (agit- për agjitacion, që do të thotë indoktrinim dhe prop-për Propogandë)…
2.
David Rousset ka lindur në Francë dhe ka vdekur në vitin 1997. Përpara luftës ka bërë fushatë për Partinë Komuniste dhe pak më vonë kishte qenë i përfshirë në rrethet trockiste. Arrestohet në vitin 1943, deportohet në kampin e Buchenwaldit  dhe lirohet në prillin e vitit 1945. Vjen në Francë së bashku me dy libra të Shkruar: “Mbretnia tjetër” dhe “Les Jours de notre mort” (Ditët e vdekjes sonë) -1947. Falë, sidomos librit të dytë u zgjodh në parlamentin francez.

Në vitin 1949, ky njeri i respektuar nga e majta franceze për shkakun e dëshmive, që kishte sjellë nga kampet e përqendrimeve naziste, befas boton një apel për njohjen e kampeve të tanishme të përqendrimeve në kampin komunist. Një akt i jashtëzakonshëm ndershmërie dhe guximi, për të cilin ai do vihej menjëherë nën sulme të egra dhe të dhunshme, sidomos prej shokëve të tij të dikurshëm. Miqtë e tij komunistë kthejnë kokën, kur kryqëzojnë rrugën me të, sikur të mos e pranojnë ekzistencën e tij. Miku i tij komunist, gjermani Emil Hűnder, të cilit ia kishte kushtuar librin “Le Jours de notre mort” (kanë qenë bashkë në kampin e Buchenvaldit), boton një sulm kundër mikut të vet, që guxon të flasë për kampet e përqendrimeve komuniste.

Në vitin 1950, Sartre dhe Merleau-Ponty botojnë sulmin e tyre në “Les Temps Modernes”. “Edhe po qe, se është e vërtetë ekzistenca e tmerreve të kampeve komuniste, politikisht ne nuk duhet ta pranojmë një gjë të tillë”, – shkruajnë ata, duke dhënë kësisoj një shembull tipik të mungesës së përgjegjshmërisë, për të cilën është aq e njohur inteligjenca franceze e kësaj periudhe. Rousset nuk jepet. Ngul këmbë, që t’i jepet e drejta të investigojë në Bashkimin Sovjetik, nëse ekzistojnë kampe përqendrimesh kundër kundërshtarëve komunistë. Natyrisht, kërkesa e tij hidhet poshtë. Atëherë interviston me mijëra azilantë të arratisur, të cilët kanë vuajtur nëpër kampet e tmerrshme komuniste, të cilat do bëhen të njohura botërisht nga botimet e Solzhenicinit dhe Sakarovit. Rousset është i pari ndër intelektualët Perëndimorë, që guxon të krahasojë krimet e nazizmit me krimet e komunizmit, ndonëse atëherë në Bashkimin Sovjetik besohej të mos ekzistonin kampet e zhdukjes masive të njerëzve. Rousset i kushtoi njëzet vjet nga jeta e vet këtij krahasimi.

Për Rousset, regjimi komunist është ku e ku më i rrezikshëm, më dëmsjellës dhe më ç’njerëzor nga ai nazist. Dhe këtë e thotë jo një kolaboracionist (term ky kaq i pëlqyer nga komunistët e sotëm shqiptarë), por një ish-i burgosur i kampit famëkeq nazist të Buchenvaldit! Rousset është i vetëdijshëm për rrezikun e një pohimi të tillë, madje dhe për rrezikun e një krahasimi të tillë. Për të, të dy regjimet totalitare janë regjimet më çnjerëzore, që ka njohur historia e njerëzimit. Por, ndërsa nazizmi zgjati gjashtë vjet, komunizmi u shtri në kohë dhe në hapësirë të paktën 10 herë më tepër se nazizmi. Nazizmi është një sistem krejtësisht i dënuar, komunizmi është një realitet i gjallë. Madje, rrëzimi zyrtar i komunizmit i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm komunistëve, të cilët e kanë kuptuar se si komunistë ata janë paradoksalisht  të pushtetshëm, pa pushtetin komunist.

Në një kohë kur krimet e nazizmit dënohen botërisht, krimet e komunizmit mbrohen nga militantët e dikurshëm, nga social-liberalët e sotëm dhe nga maskarada e ish-komunistëve të shtirur si antikomunistë. Në vendet perëndimore, ku dhe komunizmi kurrë nuk ka qenë në pushtet, nuk ka kuptim të flasësh për krimet e komunizmit, ngase në këto vende komunizmi nuk ka kryer asnjë krim. Krimet e nazizmit, Holokausti dhe viktimat e kampeve të përqendrimeve, janë bërë të njohura botërisht përmes gjyqeve, librave, filmave, dokumentarëve, muzeumeve dhe përkujtimeve në mbarë botën, pa përmendur, se viktimizimi i hebrenjve është njëra ndër industritë më fitimprurëse, përmes kompensimeve me shuma marramendëse. Vitin e kaluar edhe hekurudhës shtetërore të Francës iu kërkua të paguante miliarda euro për të kompensuar ‘’dëmin, që i ka shkaktuar hebrenjve, ngaqë transportimi i të burgosurve është bërë me trena francezë!” Ndërsa viktimat e komunizmit janë pjesa më e varfër e shoqërive postkomuniste, ata nuk kanë marrë madje as dhe apologjinë më elementare nga autorët e krimeve, po qe se dëmshpërblim nuk do quanim fyerjet dhe shpifjet e përbindshme, që iu bëhen dhe pa llogaritur fitimet në formën e pushtetit politik dhe ekonomik, që bëjnë komunistët duke shfrytëzuar retorikën antikomuniste.

Një libër tjetër që i vjen në ndihmë krahasimit, që pati kurajën të bënte Rousset mes nazizmit dhe komunizmit është ai me titull “E burgosura e Stalinit dhe e Hitlerit”, një tjetër paralele e jetuar e përvojës së sistemit komunist dhe atij nazist, një libër autobiografik i një gruaje të jashtëzakonshme, M.Buber-Neuman, që ka provuar burgjet dhe kampet e përqendrimeve naziste dhe komuniste. Nuk është rastësi që, kur u botua libri, gazeta komuniste “Le Lettres Françaises” e Louis Aragon zhvilloi një fushatë të karakterit vrasës kundër autores. Libri u botua i censuruar, sidomos pjesët që flisnin për krimet komuniste. Kapitulli për burgjet e Siberisë pa dritën e botimit në frëngjisht vetëm 40 vjet më vonë, pasi u botua libri. Sipas dëshmive të autores, komuniste fanatike në vitet e para dhe tepër e njohur në rrethet e tyre (i shoqi i saj për ca kohë ka qenë sekretar i Partisë Komuniste Gjermane), kryetari i kominternit, Radek, iu jepte urdhra komunistëve gjermanë që të bashkëpunonin me nacional-socialistët.

E ashtuquajtura Nata e Thikave të Gjata (një larje hesapesh brenda Partisë Naziste) e frymëzoi Stalinin për ta përdorur vrasjen e Kirovit si pretekst të pastrimit në Partinë Komuniste dhe për të forcuar pozitat e tij si diktator. Në praktikë, të burgosurit politikë të dy regjimeve jetonin nën kontrollin brutal dhe të pamëshirshëm të kriminelëve ordinerë. Por, në krahasim me burgjet naziste, në burgjet komuniste nuk kishte armiq të regjimit (armiqtë e regjimit ekzekutoheshin përnjëherë). Një udhëheqës i lartë Sovjetik si Mikoyani, madje dhe vetë Stalini, i kanë pohuar autores së librit, se janë admirues të zjarrtë të Hitlerit.

Për sa i përket policisë politike, sistemi nazist qëndronte të paktën një hap pas sistemit komunist; në Gjermani, terrori kontrollonte veç një pjesë të popullsisë (hebrenjtë dhe kundërshtarët aktive), ndërsa në vendet komuniste kontrollohej jeta e përditshme e gati e të gjithë popullatës. Thuhet , se në vendet komuniste nuk ekzistonin kampet e shfarojes masive, ndonëse Solzhenicin mendonte dhe e provon ndryshe. Por, ky fakt nuk i bën burgjet komuniste më fisnike dhe më të pranueshme. Burgjet komuniste ishin vendet, që synonin degradimin njerëzor, madje degradimin sistematik dhe të ngadalshëm. ‘’ Është e vështirë të kuptosh, se cila është më pak njerëzore – vdekja në pesë minuta nga gazi apo vdekja, që zgjat gjashtë muaj agoni nga uria”, – pati deklaruar autorja, kur pati shkuar për t’i dalë zot Rousset në gjyqin, kur ai akuzohej për librin e vet. Ironikisht, komunistët, që besonin në teorinë e procesit shoqëror dhe historik, preferonin seleksionimin natyral në zhdukjen e të burgosurve, atë në dimrin e Siberisë, ku jetonin më të fortët dhe vdisnin më të dobëtit.

Në të kundërt, nazistët, të cilët mburreshin se besonin në doktrinën darviniane të mbijetesës së më të fortit, aplikonin seleksionimin artificial, zhdukjen me gaz. Komunistët i trajtonin të burgosurit si skllevër, ndërsa nazistët si nën-humanë. Komunistët kishin dy arsye për të mbajtur burgje dhe të burgosur: së pari, për të përhapur përmes tyre terror dhe frikë mbi pjesën tjetër të popullsisë; së dyti, për të krijuar forca të lira pune (p.sh., për minierat, a për tharjen e kënetave). Kampet gjermane të paktën synojnë zhdukjen fizike të kundërshtarëve të regjimit. Për Buber, komunizmi nuk ishte më i keq se nazizmi, por nuk qe dhe as më i mirë. Por, dallimi është se njëri është shkatërruar plotësisht, tjetri veçse pretendon, se nuk ekziston më.

3.
Informacioni është dhe armiku numër një i regjimeve totalitare. Kësisoj, është e kuptueshme, përse shtetet totalitare i kushtojnë një rëndësi të jashtëzakonshme disinformacionit. Në shtetin komunist shqiptar deri në vitin 1991 ka ekzistuar Drejtoria e Shpifjeve dhe e Thashethemeve, si njëra ndër drejtoritë më të fuqishme të Ministrisë së Brendshme. Ka qenë një drejtori jashtëzakonisht e suksesshme, sepse në asnjë vend tjetër të botës shpifja dhe përbaltja nuk zënë vend aq shpejt dhe me aq rrënjë, sa mes  shqiptarëve. Shpifja dhe gënjeshtra besohen në atë shkallë, sa dhe janë të interesuar njerëzit t’iu besojnë atyre. Shoqëria shqiptare, që ruan ende të paprekura dhe të paturbulluara strukturat administrative, psikike dhe shpirtërore të shoqërisë otomane, është e prirur t’i përjetojë emocionalisht gënjeshtrat, shpifjet dhe mitet e ditës.

Kësisoj, mentaliteti dhe strukturat e djeshme gjallojnë në mënyrën më agresive për të krijuar amnezinë kombëtare, harresën e së djeshmes. Krimet e djeshme të komunizmit po përmenden përherë e më pak, madje dhe kur përmenden, të japin përshtypjen, se janë aq të largëta në kohë, sa duhet ndihma e ca arkeologëve tepër të talentuar për t’i zhvarrosur nga harrimi.

Një pjesë e gazetave dhe e kanaleve televizive komandohen prapë nga ajo drejtoria famëkeqe, që sapo e zumë në gojë. Njerëzit në shoqërinë shqiptare në jetën e tyre të përditshme janë më tepër të preokupuar për të siguruar o mbijetesën, o superjetesën, kështu që atyre nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të preferojnë harresën përpara kujtesës. Shtypi shqiptar është e mbushur me nostalgjitë e komunizmit, e vërteta e komunizmit shqiptar falsifikohet përditë, arkivat janë prapë të mbyllura dhe çdo ditë bëhen më të paarritshme. Derisa Historia e krimeve të Komunizmit shqiptar të jetë treguar e plotë, shoqëria shqiptare do të mbetet e ndjekur nga fantazmat e së shkuarës dhe,  më keq se kaq, nga ankthi i ringjalljes së saj./Gazeta Liberale

(Visited 252 times, 2 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *