Aktualitet

Toka ime-Sarhoshi

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Shkrimtari E.H kish kohë që gjuante në eksitim si gjetjen e tij të artë një tjetër shkrimtar, B.M, që më shumë se lodhjes për t’u identifikuar si shkrimtar, vetë ai në harkun e shfaqjes ishte një vepër e kryer. Ky vend i mallkuar që ishte plotpërplot me materie të tilla humane si një keqkuptim i madh i gjërave që vinin në gjuhë e interpretim krejt gabuar, në një ç ‘orientim mahnitës. Në një kohë kur veprat pa u lodhur për t’i sajuar ishin sheshit të dekompozuara e të  gjalla. Asgjë nuk mungonte përveç kohës si oksigjeni që do mund t’i jepte jetë rrëfenjës së tij që kish mbirë tashmë në llumin e fjalëve të dekantuara si pije e fortë dhe eksituese. E kish të gjithë gjetjen e tij në kokë, vetëm i duhej ta derdhte.

Rukije Broja sapo kish lënë në kurriz të natës një nga meraqet më të mëdha të jetës. Arriti të fusë në dorë për të gjithë natën mashkullin e saj të ëndërruar që e kishte kunj të hershëm – një biond i përzier e i zgjatur si dëshirë e postuar dhe e përtharë nga pritja e kurioziteti i grave. Ja, më në fund e kreu dhe këtë fanepsje të largët, këtë aromë mashkullore. E shtangur mblidhte gjurmët e gjithë asaj nate me vrull e po përqendrohej ta ormiste në sirtarin kryesor të koleksionit të saj të skeduar.

Nuk i kish mbetur asgjë në kujtesë, veç një shtëllungë bosh e ngjashme me asgjë që të mund t’i referohej për ta risjellë sërish në barkun e saj të uritur. As qoftë dhe një detaj i vetëm. Nuk kish koleksionuar as edhe erën e tij, pasi ishte aq e ngatërruar dhe lisho me erën dehëse të alkoolit; ndjesi që e kish hasur, por asnjëherë si një jehonë kaq të boshatisur e të kotë që s’e organizonte dot për ta rrëfyer në netët e saj me gra e mikesha, ngaqë së bashku ksehaseshin e rrëfenin histori rruge nga më të çuditshmet. Sarhoshi i natës së lënë pas ishte një formulë e mbrapshtë e ajrimit njerëzor, që truri dhe intuita e Rukije Brojës nuk e kish të lehtë ta përfshinte, përveçse në mullirin e epsheve të natës. Një karakatinë e lëshuar pa kusht; një arkitekture njerëzore allasoj.

Për gjindjen përreth dhe sytë e gjithë atyre që e njihnin në përgjithësi ai etiketohej si njeri i mirë. Në fakt, ishte një projeksion përplot mëshirë, diçka mediokre, gjë që e mërziste më shumë se çdo sharje që sillej në gojët e po atyre njerëzve; një shenjë kjo që në përcaktimin e njeriut, në të shumtë e zhvendoste keqazi me një hidhësi, sikur po e shanin nga nëna. Por, edhe më keq, pasi në thelb, ky lloj epiteti i futej në trup si një hipokrizi a dritë e deformuar nga ngutjet e tyre skematike, që në gjysmën e saj peshonte mëshirë dhe në gjysmën tjetër asgjësimin e pjesës së parë, si një vlerë në zhdukje e njerëzve të çlirët e pa mburoja të fortësh.

S’e di se pse e kish kaq zët këtë formë të mirësjelljes njerëzore, e urrente edhe në stadin e argumentimit që i ravijëzohej në formë lëmoshe, e cila e mpakte në një përskuqje turpi bërë me squfur. Pranonte ta përkufizonin njeri si gjithë të tjerët, krejt thjesht.

Nuk e kish kuptuar me kohë e me vakt se pse njeriu duhej t’i raportohej dikujt, ndërkohë që ai ishte në hallin e vet, i lirë e në ajër të pastër, pa kontakte të ndërmjetësuara afrie, që vetëm ai mund t’i mbante mbi shpatulla, denjësisht, i pavarur dhe me zgjedhjen e tij, pa pyetur askënd.

Raportet e tij me alkoolin ishin një miqësi e gjatë dhe e pandarë, në të gjitha ndezjet ku ndihej disi i dobët. Një miqësi që nuk e kish lënë në rrugë dhe ia kishte dalë që në të gjitha rrugëtimet e natyrës njerëzore qe pozicionuar larg ngasjeve e zgjedhjeve të mirëmenduara e të squllta nga kompromiset; larg të gjitha zgjedhjeve të tjera, që shoqëria i kategorizonte si të devijuara, nga ato që ata kishin projektuar si modele pozitive. Askush nuk mund ta kuptonte se si rënia në këto zona informale me zjarrmi ishte një stimul i plotë e harmonik, i lidhur ngushtë me përzgjedhjen e pastër që ai përpiqej të jetonte. Kurrë më të jetosh për të tjerët, por në një hedhje dhe lëshim të ndjerë e të gjatë drejt vetes. I dukej se kish rënë në një gropë me mister, ajo që shquhet si dorëzim total i ndjesive e spazmave njerëzore, dhe i të gjitha rrëmimeve të zjarrta që i zbulonte me zell pikërisht në zhbirilimet e thella të vetëdijes, pa mure mbrojtëse e pa kundërngrehina të ftohta të arsyes.

Jetohej me konflikte e me fryte idesh të përplasura, edhe më bukur se në një zonë gjithëpërfshirëse, ku zhytesh me gjithsej në një terr të ri të përhershëm, ku në brendësi zbulon kahje e zjarr ngulitës, që nuk do e kishe pikasur kurrë më parë me sytë e mendjes së kthjellët.

Atëherë çfarë do ishte jeta më shumë se kaq? Në mos një kopësht artificial lulesh të ndritura e të ftohta, pa kurrfarë shije dhe arome. Sa vinte dhe më shumë i dukej se kishte marrë formën e një proteste, si sfidues e në kundërvijë me çka perceptohej si e kundërt apo me grumbuj emocionesh të pazëshme. I urrente të gjithë ata njerëz të emulacionit në cytje. I vinte ndot kur ksehasej me qesëndi, se si krefoseshin në cekëtinë, duke u kapardisur në një lumturi boshe, rrjedhojë e një zullumi në trashje. Të jetosh për shpirt, për identifikim dhe në rrethana që të vetëzbulohesh pa kast.

Ky ishte riti i zgjedhur i tij, si qasje e shpallur lumturisht, me modesti. Dhe për shumë pak gjë, rruga e arratisë informale i kërkonte ca lëng, alkool, pak miqësi të butë, që nuk pyet e kuriozohet, por të gëzon me prani si një dorë e flashkët, që të jep kahje në një zhytje në zemër të iluzioneve.

Këto mendime e kishin kapluar Bozhò Mazin teksa ngjitej për në kthinën e tij të zakontë, në apartamentin e zënë me qira. Një jetë e patrajtë në një asimetri, me shumë stacione të pamenduara, aq sa merrte gotën e parë që herët, e në vijim të dytën e kështu me radhë. Në fakt, dukej që e gjithë skema e ndërtimit të ditës ishte e varur nga stacionet ku shërbehej alkool. Në çdo bar kryente takime që i hynin në punën e tij të përditshme, në arratitë e tij, që së bashku me pijen kryente një zhbirilim ritual speciesh njerëzore dhe përpiqej si një i përndjekur nga vetvetja të mos zgjatej shumë në të njëjtin vend.

Njëherë, diku nga mesdita, qe dendësuar duke pirë dozën e mjaftueshme, dhe kish feksje të mrekullueshme, dhe kështu mund të shtrohej në ligjërime të gjata si udhëtari më misterioz. Një veti nga ku vetëkënaqej me atë çfarë kujdesej të ujiste, duke konservuar mënyrën e të realizuarit, një çelës i artë për ta zënë veten në befasi të papërsëritura, sipas hartës mendore që e udhëhiqte instinktivisht, nga ku ndërgjegjja i kthehej në formë objekti të zhvendosur nga kujtesa.

Aq shumë e lumturonin gjendje të tilla, saqë të nesërmen, kur zgjohej, i dukej sikur po shijonte një gjë të kryer nga dikush tjetër në rrathë transmetimi lëndor të gjërave të para syhapur, saqë shpesh surprizohej e mbetej pa gojë. Nuk ishte teknikalitet  apo kënd i preferuar për të vjelë situata të gjalla e të lëshuara, por një lloj dorëzimi për të zhvokshur këto përmbysje totale të shtresave të fshehura të botës së panjohur njerëzore.

Bozhò Mazi, shkurt Bozh, kish kohë që i shmangej shumëkujt në ambiente publike dhe zhyhej në preparatin e tij të ëmbël, te pija, ku shuhej periferive dhe vendeve thatime që nuk binin fort në sy. Çonte një jetë bohemi, me qëllimin e fshehtë që të mos gjendej shumë shpesh nën andrallat e tavolinave, ku do ishte i detyruar të sillej me sqimë e kortezi hipokrite, gjë që e dërrmonte përbrenda si një turjelë.

Bozhò Mazi e pranonte hapur që ish në anën e njerëzisë që shquhej si i pashquar, por me qëllimin e mirë, që këtë lloj dobësie ta kthente në model njerëzor, si thellësi e re. Bozhò ishte një nga korifenjtë e jetës informale e të pakonformuar në këtë vend, në një sistem që sa vinte dhe ndjehej në darën e natyrave të yshtura e të reja, nga ato energjiket, ingranazhe të vajisura të sistemit. Një energji që furnizon erën e marrë të absolutizmit mbi gjërat dhe fenomenet, por dhe si një lëngatë e re e përdorur ushtarakisht nga manipulimet politike.

Shumë dinak dhe i mençur, sa për të mos rënë në kurthe të tilla eksitimi masiv, e shtrinte të gjithë formën e ushqyerjes në një jetë lisho, plot nuanca të përmbajtura në shtresime më të afërta me tokën apo idetë e ngulitura e të lira, dhe me një racë të përsëritur në  lloj; apo karaktere njerëzish të thjeshtë, disi të pazëshëm e të vërtetë të periferive.

Afrimi i tij si qenie e përshpirtshme ngrihej mbi konture të çrregullta e të pazëna rehat në një stil të intonuar në rrjedhën publike, si përjashtim i modës që parakalonte jashtë rreshtimit; si një domethënie e beftë e disa të vërtetave në botën e njerëzorëve.

Për këtë situatë të amullt e gati të rrafshuar në intonacionin e tij të sheshtë, Bozhò, i fundmi i racës së bohemëve, jepte shenja ndaj të gjitha modelimeve njerëzore, kaluar mbi atdheun e frymorëve që mund ta parashikonin të projektuar zbehtë në zë të parë – me patjetër një gjeni.

Me sy të ndritshëm si një maçok që ruan tinëz në kashtën e tij idetë apo mbivendosjen e parakohshme të tij. Bozhò Mazi hynte në vorbull si një mekanizëm në ardhje, qetë e pa zhurmë; ndikonte në stil dhe shprehte gjëra të sheshta, aspak ngasëse, por në një nëntekst që të rrethonte si një stof i leshtë ëmbëlsish të fshehura.

Shumë shpesh, i ngatërruar e i padukshëm me turirin e një kioske, apo krejt i fshehtë në një tabelë të vjetruar, të dalë kohe, të shigjetuar nga vende boshi e pa shprehje, herazi shumë e ngjashme me një birucë apo vrimë natyrore. Si në jerm thithte pa pushim një lloj nektari njerëzor që shpërndahej si një qëndrim kundër gjithësisë apo shumicës aktive e mediokre.

Më shumë se një personazh, të dukej në dorë të parë një shumë historish të ndërlikuara e të fshehura periferish, që kishin aq shumë nevojë për grumbullim force rapsodike, për të mëkëmbur kështu personazhin që zhbëhej si mosqenie e brishte dhe e alkoolizuar, mjaft tërheqës e unik. Një përjashtim i ritmit, i egërsisë dhe i arrivizmit të egër që frynte si erë e keqkuptuar. Kështu endej sa andej-këndej Bozhòja, si mungesë force, që sa vinte dhe do kthehej si të gjitha përpjekjet e tij të lira në formë pendesash, me ndikim të fortë në pikën e parë të themelit, ku nisnin aventurat e tij kundër një simetrie njerëzore të mërzitshme e dëshpëruese. Njerëz të veçuar nga korrentet e përgjithshme si Bozhò Mazi po jetonin në kohë jo dhe aq të mbara. Ndjehej disi i përjashtuar dhunshëm nga cilësitë e zgjedhjes njerëzore, dhe sa më shumë hynte në kohë, aq më shumë bjerrej tavolinash e avujsh bisedash.

Amëzat e shumta, ato të seksit të dytë, që i silleshin rrotull, hynin e dilnin nga shtrati i tij duke lëshuar nektar, nga ai i nevojshmi për t’i ledhatuar sedrën, për t’u ndjerë se ishte akoma në rrjedhë. Të gjitha përgjëroheshin për të, për mënyrën se si të pushtonte me tërheqjen e një peme të vetmuar për shkak të mendjes asimetrike, e zhvendosur si pa të keq.

Po ta riprodhoja sipas recetës së realizmit magjik, më shumë ishte formatimi i një gardërobe eklektike, i hedhur me shije mbi të, si një mbulesë melankolike krevati, në fole shtëpish të harruara nga gëzimi, por që gjithsesi kish ëmbëlsinë e historive të fshehura; pse jo edhe një lloj fame të postuar tashmë te të veçantët, që me busullën e instinktit përplaseshin në të tilla përzierje të pa dokumentueshme.

Kohët e fundit amëzat ishin rralluar për shkak të ngushticës ekonomike, ngaqë edhe Bozhò nuk qarkullonte shumë mundësi, dhe sikur ish vetë mjaftuar me një litar alkooli të pashoqëruar me asgjë, përveç heshtjes. Amëzat ishin vjetruar. Shumë sosh ishin në kapërcyell të moshës së dytë dhe kishin filluar të endeshin në botën e ideve pa joshjet e tyre trupore, por me një formatim të ri drejt hovit të fundit. Pjesët e lakuara dhe të kolme të tyre kishin filluar t’i mbulonin me draperitë baroke dhe me ngazëllime ngjyrash kontroverse, që më shumë ngjanin si situacione kromatike të stilizuara.

Bozhò , kjo amebë e vjetër në shfaqjet publike sa vinte e strukej si hartë muri, që shtegtonte së toku me dëshirat e rastësisë njerëzore. Përpiqej butë për të mos thyer asnjë grishje që vinte me tërsëllëmë në brendinë e tij. I dëgjonte nga një shteg dredhie, për të mbuluar netët e tij të vetmuara, ku herazi ato ishin pjesëmarrëse e pa kushte me bujarinë e tyre. Nuk i refuzonte asnjëherë, pasi ndihej si në një vathë njerëzish me dëshira të komprometuara nga i njëjti grup idesh që përthithte mosha. Gjithsesi, ishte si një dehje e cila shpërndahej në ngrehinat e mugëta të jetesës, si anekse alternative në qytet. Pikërisht në këtë trupëzim të ngjashëm soji nuk ndjehej më netëve të vetmuara edhe aq i heshtur apo i zhytur në intonimet e rrugës. Zgjohej si nga një zanat i vjetër që të bën udhë drejt asaj që shndrit – në këtë rast trandej nga shkulme seksi dhe kafshërohej pa kontroll, i lëbyrur keqazi për ndoca kënaqësi atipike. Ishte një lloj përvëlimi ku nuk kish më ndarje dhe receta spitullaqe, por barabitje të shurdhëta e të dhunshme për të kapur fundin e një kërleshjeje. Ato ndërroheshin me radhë, si një hall identifikues, duke mbajtur në mend njëra-tjetrën, dhe jepeshin me gjithsej. Kuiseshin në shtrydhje të hapura të shfrimit të tyre me mendje e trup, dhe ndjeheshin krejt të lira, bile disa syresh tejkalonin edhe armiqësinë e tjetrës, që e kishin projektuar në mendje duke i afruar në të njëjtin hall si bashkëvuajtëse.

Bozhò shtjellej gjithandej pa një ankorim të gjatë në një botë të dëlirë e pa shtypje, pa kërkesa të ngutshme. Një lloj zdërhallje pa majë e pa cak. Ishin rralluar në jetën e tij shumë nga ato që e kishin dëshiruar me mundësinë e qasjes për ta vënë përsipër. Do mundeshin një natë a dy, mbase edhe një vit, por nuk do mund ta kishin të tyrin, këtë anije ëndërrimi, që nuk ankorohej askund.

Ditët kalonin dhe jeta e tij ende nuk kishte marrë formën e enës; përkundrazi, kalamendej në një territor të padukshëm vetmie duke marrë peng të vetmen alibi të dëshiruar të jetës – alkoolin. Një aleancë e pandarë për të kapur fundin e tij sa më shpejt, të njeriut që nuk donte të kërrusej nga përgjegjësitë dhe rregullat. Ishte përjashtim i çdo gjëje të projektuar si vepër pa plan. Kishin parakaluar pranë tij stuhi provokimi ekzistenciale, si dhe dinamika të trishtuara të ekuilibrit në shëndet, gjë që i afrohej shpeshtazi si kërcënim i përhershëm, por gjithsesi mpakej nga ca, i distancuar që të mos dorëzohej; dhe se ç’kish një ndjesi që mbrohej nga pozitivizmi, që edhe kësaj here rreziku i afruar nuk se e kish me të.

– Ka kohë… – thoshte me veten. – Kam edhe disa gjëra për të mbaruar. Pastaj, unë nuk jam problemi i tyre; unë nuk ngas për keq. Më lini ta çoj ëndërrimin drejt një fundi të thellë e të rrethuar me iluzionin e lumturisë së zhytur, si një fund që nuk dua ta shoh e të marr pjesë.

Kështu e mendonte fundin e tij Bozhò Mazi, si justifikim i çdo marrëzie apo lëngu dehës, që shpesh i afrohej si vdekje e trupëzuar dhe e ftohur, gjithnjë si e parakohshme; si një aksident apo hedhje nga katet e larta të pallatit; ose si një zgjedhje fatale e gjykimit të një fuqie që rri  diku mbi ne. Pa asnjë pezm, veç barrës së vet trupore e ndonjë arratie të mbetur peng, Bozhò Mazi përpëlitej i dyzuar për t’u ankoruar tanimë në minutat e fundit të natës në tërheqje. Gjurmët e para të ditës hynë si pa i vënë re, dhe nuk iu shmang dot një përjetimi si të tërthortë mbi agun e saj, si ag jete që rijetohet si dritë në hije. Hyri një mëngjes krejt i hirtë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH