Aktualitet

Tmerr në Rusi/ 11 fëmijë humbin jetën sepse një i çmendur hapi zjarr në një shkollë

Shkruar nga Liberale
Tmerr në Rusi/ 11 fëmijë humbin jetën sepse një i

Nga Anna Chernova dhe Radina Gigova, CNN

Të paktën 11 fëmijë u vranë kur një person i armatosur me simbole naziste hapi zjarr në një shkollë në qytetin perëndimor rus të Izhevsk, thanë autoritetet ruse të hënën.

Deri më tani janë regjistruar 15 viktima. Midis të vrarëve ishte roja i sigurisë së shkollës, tha kreu i qeverisë rajonale Alexander Brechalovn në një deklaratë.

Hetuesit thanë se 24 persona, përfshirë 22 fëmijë, u plagosën.

Sulmuesi, i cili thuhet se kishte veshur një bluzë të zezë me shenja naziste dhe një helmetë, vdiq nga vetëvrasja pas sulmit, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

Zyrtarët rusë e identifikuan sulmuesin si Artem Kazantsev, një banor vendas i lindur në 1988, i cili ishte një student i shkollës ku ndodhën të shtënat. Procesi i identifikimit u vonua për shkak se nuk u gjetën dokumente në trupin e të dyshuarit, raportoi TASS.

Hetuesit kanë filluar të kontrollojnë banesën e Kazantsev dhe të hetojnë raportet për “pikëpamjet e tij neofashiste dhe ideologjinë naziste”, tha Komiteti Hetues i Rusisë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se sulmuesi ishte "një person që, me sa duket, i përket një organizate apo grupi neofashist".

Sulmi ndodhi në shkollën 88 në Izhevsk, kryeqyteti i rajonit rus të Udmurtia. Që atëherë është evakuuar, tha Brechalovn.

Presidenti rus Vladimir Putin u ka dërguar ngushëllime viktimave, sipas një deklarate të lëshuar nga Kremlini të hënën.

“Presidenti ngushëllon me gjithë zemër të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre, fëmijët e tyre, në këtë tragjedi dhe u uron shërim atyre që u plagosën si rezultat i këtij akti terrorist çnjerëzor”, citohet të ketë thënë Peskov në deklaratë.

Më shumë se 20 persona u plagosën gjithashtu në sulmin fatal, njoftuan mediat shtetërore ruse.

Ky është të paktën i treti akt kriminal i ndodhur në shkolla në Rusi në dy vitet e fundit. Në maj 2021, një person i armatosur vrau shtatë fëmijë në një shkollë në Kazan, kryeqyteti i Republikës së Tatarstanit të Rusisë. Pesë muaj më vonë, 20 njerëz u vranë kur një sulmues shpërtheu një bombë dhe filloi të qëllonte në një kolegj në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Putini iu përgjigj sulmit në Kazan duke kërkuar masa të reja për kontrollin e armëve, të cilat u bënë ligj në qershor 2021. Peskov tha të hënën se autoritetet do të shikonin edhe një herë se sa efektive ishin ato rregullore në dritën e të shtënave më të fundit.

Rusia vitet e fundit ka parë shqetësime në rritje se kriminelët kopjues në vend mund të tentojnë llojin e masakrave që kanë pllakosur shkollat ​​në Shtetet e Bashkuara.

Këto frikëra ishin veçanërisht të mprehta pas të shtënave në shkollë të vitit 2018 në Parkland, Florida, në të cilën u vranë 17 persona. Një muaj para Parkland, tre sulme në shkolla u raportuan në të gjithë Rusinë. Autorët adoleshentë në incidentin e ndodhur përdorën armë pneumatike dhe thika, jo armë zjarri, dhe fatmirësisht viktimat pësuan lëndime, pa raportuar vdekje, sipas medias shtetërore.

Izhevsk, skena e sulmit të së hënës, është shtëpia e më shumë se 600,000 njerëzve, duke e bërë atë një nga 20 qytetet më të populluara të Rusisë. Ajo u themelua si një vendbanim çeliku në 1760 dhe mbetet një qendër e shquar industriale.

Qyteti është ndoshta më i njohuri si shtëpia e pushkës AK-47 dhe rezidenca jetë-gjatë e gjeneral-lejtnantit sovjetik, i njohur me emrin, Mikhail Kalashnikov./Liberale.al

Përktheu: Dorian Sevo

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH