Aktualitet

Tiranën e themeluan shqiptarët apo vllehtë?!  

Shkruar nga Liberale
Tiranën e themeluan shqiptarët apo vllehtë?!  

Harallamb Kota*

Më 25 nëndor 2019, “Shoqata Tirana”, e vlerësuar “Nderi i Kombit”, zhvilloi një aktivitet në mjediset e “Hotel Tafaj”, me rastin e promovimit të Librit “Tirona dhe Tiranasit” me autor  Ismail Demneri, Shyqyri Rreli dhe Arben Tafaj. Para një auditori të mbushur, ku merrnin pjesë figura të shquara të artit, letërsisë dhe sportit shqiptar, ishin të pranishëm mjaftë pinjoll të familjeve autoktone, të vjetra dhe të reja të kryeqytetit.

Takimin e hapi kryetari i shoqatës z. Arben Tafaj i cili foli lidhur me kontributin historik të krahinës së Tiranës në “Lëvizjen Kombëtare” për çlirim kombëtar,  shtetformim dhe në luftën nacional-çlirimtare. Në vazhdim, z.Tafaj parashtroi hamendësimet historike lidhur me vjetërsinë e qytetit të Tiranës, duke cituar mozaikun, themelet e vilës së një heraku Romak, gjurmët e themeleve të kalasë së Justinianit dhe xhaminë e Sulejman Pash Bargjinit ndërtuar në vitin 1614. Më pas foli z. Shyqyri Rreli ku përmendi shtysën e tyre për të shkruar këtë libër.

Arsyeja tha ai, ishte që të vëmë në pah vlerat e popullit tiranas, i cili ka nxjerrë njerëz të shquar me arsim të lartë, që shkëlqyen në universitetet e huaja dhe kontribuuan në atdheun e tyre. Pas tij, Bedri Alimehmeti, Skender Farka, etj., sollën dukuri për historinë e formimit të qytetit Tiranë nga banorët e fshatrave dhe katundeve të krahinës së Tiranës, duke përmendur familjet autoktone Bargjini, Shëngjergji, Dajti, Priska, Farka, Petrela, Arbana, Peza, Ndroqi, Preza, etj.

Autorët e librit “Tirona dhe Tiranasit” dhe diskutantët, e trajtuan gjerësisht figurën e Sulejman Pash Bargjinit (Bargjinollit apo Mulletit), lindur në fshatin Bargjin, duke theksuar se i përkiste etnisë shqiptare dhe konsiderohet themelues i qytetit të Tiranës.

Fshati Bargjin, sipas historianit Kristo Frashëri shtrihej nga lumi Rigllata (Tirana) deri afër Medresesë dhe ishte vendlindja e Sulejmanit. Në gjuhën shqipe Bargjini ka kuptimin bara-gjinit, që nënkupton se i ati i Sulejmanit apo gjyshi i tij quhej Gjin. Pas gradimit të Sulejmanit pasha, mbiemëri mori prapashtesën osmane Olli dhe u bë Bargjinolli. Ndërsa ndryshimi në Mulleti, ka ndodhur ndoshta pas vitit 1780 me konvertimet masive të shqiptarëve në musliman. Kam mendimin, se ky emër duhet trajtuar drejt shkencërisht dhe historikisht, kur trojet shqiptare sundoheshin nga Perandoria Osmane. Pjesëmarrësit e ndoqën me interesim maksimal trajtimin e librit “Tirona dhe Tiranasit”, duke duartrokitur me kulturë sipas traditës qytetare të “fisnikërisë tironase”.

Në promovimin e librit “Tirona dhe Tiranasit”, diskutoi edhe “përfaqësuesi i vllahëve”, i cili me fraza të  shkurtra por të zgjedhura, mbrojti “platformën”, sipas së cilës themeluesit e Tiranës janë fiset endacake vllahe të ardhur në ultësirat e Adriatikut pas djegies së Voskopojës në vitin 1786. Kjo tezë, i kundërvihej haptazi autorëve  të librit “Tirona dhe Tiranasit”, që mbështesin versionin e themelimit të Tiranës në vitin 1614 nga Sulejman  Bargjini. Për t’a kuptuar “çështjen vllehe”, lexuesi i interesuar mund të njihet me studime të mirëfillta shkencore të autorëve të huaj dhe shqiptar nga shekulli VI pas krishterimit deri më sot.

Vllehët e periudhës mesjetare ishin fise vlaihunite-sllave dhe sikundër hunët, turaniko-bullgarët, turqit-selxhuk, etj., erdhën në gadishullin Ilir apo Ballkan dhe ikën përballë kundërshtive të popullsive vendase ilire-arbërore-shqiptare.

Vllehët apo arumunët e sotëm, janë shqiptar ortodoks të deklaruar vlleh për përfitime ekonomike, pronësore, arsimore, punësimi, etj.

Kjo ka ndodhur si gjatë pushtimeve bizantine-osmane, ashtu edhe pas përmbysjes së sistemit komunist në Shqipëri. Pretendimi se në Voskopojë kanë banuar 20000 vllahë, të cilët pas djegies së qytetit në vitin 1786, u larguan dhe u strehuan në fushën e Tiranës ku themeluan Tironën, është absurd dhe qesharak.

Për dijeni të lexuesit, Voskopoja në vitin 1330 ishte një fshat shumë i vogël. Pas vitit 1417, u popullua me ortodoksët shqiptar, të larguar nga Berati i pushtuar nga turqit osman dhe u kthye në një qytet që kishte Akademinë, Bibliotekën dhe Shtypshkronjën. Kulmin e lulëzimit qyteti e arriti në vitin 1764, me përqafimin e ideve iluministe franceze nga elita intelektuale shqiptare, e cila synoi shkrimin e gjuhës shqipe dhe shtypjen e fjalorëve shqip-anglisht, frëngjisht, gjermanisht, greqisht, etj. Voskopoja ishte vendi ku mori mësimet e para iluministe e patriotike, pionieri i “Rilindjes Kombëtare Shqiptare” Naum Panajot Haxhi Bredhi (Veqilharxhi).

Kjo është arsyeja që silogjet antishqiptare vllehe, synojnë përvetësimin e “kulturës voskopojare”. Synimi, që vllehët kanë banuar në Voskopojë dhe më pas kanë themeluar Tiranën, është antishkencor dhe me qëllime përfitimi.

*Studiues i Historisë /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH