Sport

Tifozët maqedonas me kore fashiste ndaj shqiptarëve

               Publikuar në : 18:45 - 15/04/19 Liberale

Tifozët maqedonas “Komiti” sërish kanë shfryrë urrejtjen ndaj shqiptarëve. Thirrjet e tyre fashiste janë përsëritur edhe në ndeshjen Vardar-Shkëndija që u zhvilluar në Shkup, në derbin e javës së 28-të të ligës së parë të Maqedonisë Veriore në futboll.

Që nga fillimi i ndeshjes, huliganët maqedonas të Vardarit kanë nisur të lëshojnë në kor ofendime dhe fyerje fashiste, duke mos kursyer asnjë fjalë të keqe për shqiptarët.

Huliganët maqedonas ishin edhe më të zëshëm në momentin kur spikeri zyrtar kërkonte që të ndalojnë me ofendime dhe fyerje në baza kombëtare.

Trajneri i Vardarit, Aleksandar Vasoski, e pranon se fyerjet raciste të Komitëve ndaj shqiptarëve e dëmtojnë futbollin vendor dhe nuk duhet të jenë të pranishme nëpër stadiume. Megjithatë, ai thotë se ndjehet i pafuqishëm për ta ndryshuar këtë situatë.

Ulërimat anti-shqiptare të huliganëve të tërbuar maqedonas në një moment të ndeshjes detyruan edhe arbitrin kryesor që të ndërpresë takimin për disa minuta. Por, huliganët maqedonas nuk janë mjaftuar vetëm me thirrjet fashiste. Të pakënaqur nga rezultati, nga fundi i ndeshjes kanë hedhur mjete të ndryshme në fushë, duke qëlluar edhe mbrojtësin e Shkëndijës, Mevlan Murati.

Gazeta Lajm kontaktoi me zyrtarët e policisë por, askush nuk dha përgjigje nëse ndaj “Komitëve” do të ndërmerren masa.

Ndërkohë, nga komisioni garues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë thonë për gazetën Lajm se të martën (16 prill 2019) do të kenë mbledhje dhe se pritet të ngritet procedurë kundër klubit të Vardarit.

Heshtja e institucioneve ndaj thirrjeve fashiste të huliganëve të Vardarit, ka trimëruar në disa raste “Komitët” që të futën edhe në shtëpitë e shqiptarëve dhe t’i dhunojnë ata siç ndodhi disa vite më parë në Lagjen Nerez të Shkupit, ndërsa dhunuesit kaluan pa sanksione. /Gazeta Lajm

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *