Aktualitet

Thirret në polici ish-kryeministri Sali Berisha

Shkruar nga Liberale
Thirret në polici ish-kryeministri Sali Berisha

Këtë të mërkurë, një ditë pas sulmit ndaj tij, ish-kryeministrit Sali Berisha, i është kërkuar të paraqitet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për të dhënë dëshminë e tij për sulmin që ndodhi para protestës së planifikuar në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.

Të paktën ish-kryeministrit i është kërkuar zyrtarisht të paraqitet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Nuk dihet nëse Berisha do të paraqitet, apo do të gjejë një formë tjetër për të bashkëpunuar mbi hetimet në lidhje me ngjarjen. Disa orë pas sulmit, Berisha e quajti ‘mjeran dhe fatkeq’ 31-vjeçarin, madje të përdorur dhe të paguar për të kryer sulmin ndaj tij, duke fajësuar kryeministrin, Edi Rama.

Mbrëmjen e së martës, truprojat e Berishës, të cilët reaguan menjëherë ndaj sulmit mbi krye-demokratin, duke goditur 31-vjeçarin, janë shoqëruar në polici ku kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Autori i sulmit ndaj kryetarit të PD-së, i zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha, është njohur po gjatë mbrëmjes së djeshme, në spitalin e Traumës me masën e arrestit.

31-vjeçari nga Tapelena, i cili banonte prej vitesh në Tiranë, goditi me grusht në fytyrë Berishën, teksa ky i fundit po marshonte drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit për protestën e opozitës. Pas goditjes ndaj Berishës, truprojat e këtij të fundit ndërhynë menjëherë duke goditur 31-vjeçarin, i cili u dërgua me ambulancë në Spitalin e Traumës. Sipas burimeve, bëhet me dije se 31-vjeçari nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me sulmin ndaj kreut demokrat. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH