Për romanin e ri të Veton Surroit “Fshehtësia e zbulimit të Hanës”
Durim Abdullahu
Ajo është e vetmja dëshmitare që ka parë gjithë çfarë ka ndodhur në shtëpinë tonë! Madje, ka të ngjarë që dikur ajo ka qenë pjesë e kësaj shtëpie, si të thuash, një dhomë e saj, që në një moment të caktuar kur koha ende nuk matej, u shkëput më vete, por që asnjëherë nuk u nda prej nesh. Prej atëherë, ka mbetur fqinja jonë më e afërt.
Për udhëtarët, një busullë natyrore. Mbase e vetmja gjë që mund të shihet nga çdo vend dhe prej secilit, njeri a kafshë qoftë. Për shkenctarët, i vetmi satelit natyror i yni. Shoqëruese jona e rrethrrotullimeve përreth yllit tonë. Pasqyrë reflektuese e rrezeve të tij drejt nesh. Gjysmë e ndriçuar, gjysmë e errët. Në dukje rrethore, në vetvete e rrumbullakët. Nën shenjën e ndjesorit të leximit të një romani kripto-adamik, që i fsheh emrat duke i riemëruar subjektet e tyre, ndjehem i yshtur të mos vërtetoj nënkuptimet derikëtushme, për shtëpinë dhe fqinjën tonë: Tokën dhe Hënën. Sidoqoftë, në këtë pikë, të paktën nuk u zbulua shumë.
Në shumë kultura, antropologët kanë regjistruar mite ku shkrimi dhe shkruesit janë të hyjnizuar si dhe rite ku leximi dhe këndimi janë të shenjtëruar. Shkrimi i paraprinë leximit dhe shkruesit kanë gjithmonë në mendje lexuesit, nisur nga një lexues arketip që është vetë shkruesi. Aty ku përfundon shkrimi, nis leximi dhe çdo lexim i asaj që është shkruar, mund të gjuhësohet duke u shkruar po ashtu. Meqë vendi i shkruesit si autor do të zihej nga lexuesi, duket sikur i pari do ta akuzonte të dytin për plagjiator më së shumti, apo do ta shpërfillte si një kopist në rastin më të mirë.
Por, ky nuk do të jetë rishkrim dhe as një kopje e dobët. Ky shkrim, përshtrihet si një tekst transhendental, që në regjistrat e teoricienit të shquar francez Gérard Genette, te vepra e tij “Palimpsest” do të kategorizohej te tipi i Metatekstualitetit, si një marrëdhënie komenti që “lidh një tekst me një tjetër tekst, mbi të cilin ai flet, por pa e cituar detyrimisht, madje fundja dhe pa e përmendur”, pasi sipas Genette “kjo është par excellence marrëdhënie kritike.” Aq më tepër që kjo marrëdhënie komentimi dhe kritike, i shkon aq shumë romanit …, atij romani që nuk jam i detyruar ta citoj madje as ta përmend, i cili këtu ka statusin e hipotekstit, teksa i mbivendoset ky tekst i cili hyn në marrëdhënie me të si hipertekst.
Do të doja të shkruaja mbi këtë roman, edhe fizikisht mbi të, ta rishkruaja, pasi ta kisha fshirë bojën e kopjes sime, pa u frikësuar për humbjen e origjinalit, të kopjuar në 2000 kopjet e këtij botimi të parë, duke i bërë një palimpsest thjesht ndërtekstual, aq sa lejon kjo vepër, meqë dorëshkrimi i saj duket të jetë vetëm dixhital, të paktën mesa kuptohet nga një fotografi që autori e ka postuar në facebookun e tij.
Te ky postim i datës 26 maj, ai shihet me një kompjutor portativ mbi tavolinë, anash të cilit rrinë të ulur dy djemtë e tij, që ai i përshkruan si “redaktorë të kënaqur”, shenjë kjo se romani i tij i ri është “…gati për Panair”. Është fjala për Panairin e 21-të të librit në Prishtinë, ku ndërkohë që për 7 euro e blej këtë roman, kuptoj që postimi i autorit nuk ka qenë i pashkak, teksa në faqen e pestë lexoj një kushtim pikërisht për djemtë e tij, “…për rrëfimet që do t’i mbledhin”. Kjo e thënë në fillim, kurse në skajin tjetër të këtij romani, autori ka lënë një shënim që tregon se ai është shkruar në pranverën e 2019-s, mes dy vendesh dhe “mes dy hanave të plota”. Një referencë kohore në dukje të parë e pakohshme, që të kujton kohën kur dorëshkrimet mbylleshin nga një vetëdeklarim i skriptorit, për fiksimin e tekstit në kohë, diçka e llojit “mbaruar në ditën e 23-të, të indiktit të VII-të, të vitit të Zotit 1354”, apo diçka e ngjashme.
I njohur për shënimet e tij heretike, nisur nga orientimi me hënë, dikush mund të mendoj gabimisht se kësaj radhe autori ka kërkuar amnesti nëpërmjet shënimesh lunatike. (Të kujtojmë që gjatë mesjetës, lunatikët ishin të vetmit heretikë që përjashtoheshin nga përgjegjësia publike dhe mëkatet para Zotit). Mirëpo përkundër referimeve ndaj hënës, kalendari i këtij romani nuk është hënor. Ngjarjet ndodhin në Prishtinë mes 16 dhe 20 gushtit të vitit 1969, sipas kalendarit diellor gregorian. Duke qenë se këto ditë janë tri vjet para standartizimit të shqipes, kryefjala e këtij romani është shkruar si “hanë” dhe jo “hënë”. Kjo sqarohet bashkë me një vërejtje që paraprin romanin ku thuhet: “Kjo është një vepër fiksioni. Zbritja e njeriut në Hënë nuk është fiksion, ajo ndodhi më 1969. Atëherë i thuhej Hanë. Kështu i thuhet edhe në këtë libër.”
Vërtetë ky roman mund të lexohet thjesht si një vepër fiksioni, por ai nuk është krejtësisht i tillë. Jo vetëm zbritja e njeriut në Hënë, por shumçka nga çfarë është rrëfyer aty, nuk është fiksion. Vija që ndan të vërtetën nga fiksioni te ky roman, është vështirë e përvijueshme, pasi mesa duket, e vërteta dhe fiksioni ndërfuten lirshëm në njëra tjetrën. Lirshëm siç ngjet në mendjen e një fëmiu 8 vjeçar, aq sa ishte autori në kohën e ngjarjeve të romanit të tij. Ose, ndoshta aq sa ishte edhe gjatë hanëve kur e shkroi atë.
Nëse një nga mjeshtëritë e letërsisë është të rrëfyerit e historisë së tjetrit sikur të ishte e juaja, këtu, në botën e romanit, Vetoni rrëfen historinë e Arbenit, por nëse rrëzojmë muret e tekstit, Arbeni rrëfen historinë e Vetonit, kur ai ishte 8 vjeç. Vetoni autor ndërkëmben Vetonin personazh me Arbenin, një lëvizje kjo që përtej kësaj duket edhe si një telteportim në kohë. Ashtu siç pritet nga një 8 vjeçar, rrëfimi i tij është i thjeshtë, me fjali të shkurtëra dhe me atë përpjekjen për të kuptuar botën e të rriturve që i karakterizon fëmijët.
I tërë romani është i shenjuar nga Hana. Ai fsheh shumë personazhe brenda tij, teksa zbulon shumë të vërteta të jetës së tyre. Që në kryehere, fsheh dhe zbulon hanën. Nëse do ta lexoj sërish këtë roman, mbase do të përpiqesha ta bëjë si një 8 vjeçar. Kushedi a do të kuptohej në atë rol gjithë fshehtësia e zbulimit të Hanës. Çfarë fsheh dhe çfarë zbulon ai: fsheh fshehtësinë e zbulimit të Hanës apo zbulon të fshehtën e këtij zbulimi?
Hanë-hanë, autori zbulon histori edhe krejt personale ndërkohë që fsheh personazhet e tyre, duke u ndryshuar emrat, por duke i lënë zbuluar përballë atyre që në ndonjë mënyrë mund t’i njohin ata. Me një naivitet simpatik prej 8 vjeçari, ai përmend “Vetëshërbimin e madh afër Xhamisë së Madhe apo Vetëshërbimin e vogël aty ku përfundon Mëhalla e muhaxhirëve” si dhe të tjera dromca dhe episode nga përditshmëria e Prishtinës së fundviteve ’60-të. Për ata që i kanë jetuar ato kohëra, këto janë gjëra lehtësisht të identifikueshme. Por, ky nuk ka pse të jetë qëllimi i lexuesve, as i imi ndër ta, megjithë yshtjen që të ngjallë ky roman për të zbuluar njerëzit e vërtetë prapa personazheve të tij. Kush ëështë Hana, shoqja e narratorit dhe kush është babai i saj, axha Sami, një tip njeriu i mirënjohur me shprehinë e tij për të komentuar atë që shohin të gjithë në televizor? Po kompozitori alkoolik që mbledh 100 këngë qytetare, të dëgjuara edhe nga zotni Ibrahimi, veteran i betejës së Çanakalasë? “Fshehtësia e zbulimit të Hanës” nuk është një roman enigmash, prej të cilit ndonjë lexues mund ta nxjerrë si të dështuar krijuesin e tij, duke zbuluar kush janë personat realë që kanë jetuar me të vërtetë historitë që ai rrëfen.
Autori i kësaj vepre arti, Veton Surroi, nuk ka kriptuar dhe fshehur askë dhe asgjë. Ai nuk përmend me emër as dy astronautët amerikanë që shkelën në Hanë, më 20 gusht të vitit 1969, sado që fshehtësia e zbulimit të Hanës shpaloset në ditët që i paraprinë kësaj ngjarje, pra në pritje të saj. Nuk i shquan personalisht Fan Nolin dhe as Ahmet Zogun, teksa shkruan për revolucionin e një prifti ortodoks që përkthente Shakespearin, por që mposhtet nga një bajraktar matjan që bëhet mbret. Por derisa ka gjetur një emër për veten dhe disa prej personazheve, autori shmang emrin e axhës së tij Sezai Surroit, kur përshkruan dukjen e tij pas malltretimit, ditën e ekzekutimit të tij bashkë me gjashtë të tjerë në Pazar, ashtu siç bën dhe me babain, Rexhai Surroin, kur tregon se si e mbajti të fshehur që ai e kishte parë të vëllan të varur në Pazar. E panevojshme të kërkohet të zbulohet përse. Kjo si dhe shumçka e këtij romani, mund të lexohet mes fshehtësive të Hanës.
I shkruar në prag të 50-vjetorit të shkeljes së njeriut të parë në Hanë dhe i botuar nga shtëpia botuese KOHA, “Fshehtësia e zbulimit të Hanës” është një histori kujtimesh familjare, që duke u prapakthyer në kohën kur kanë ngjarë, Veton Surroi i sjell ato me mendjen dhe gjuhën e një 8 vjeçari, aq sa dhe ishte ai me moshë atëherë. I shkruar me një çiltërsi inteligjente dhe me një rrjedhshmëri gati të pandjeshme, ndërmjet të gjitha leximeve, ky roman mbetet një rrëfim i hollë për atmosferën e përditshmërive njerëzore në një Prishtinë liminale, ku dhe kur po çelnohej fshehtësia e zbulimit të Hanës./Gazeta Liberale