Aktualitet

The Economist/ SHIFRA E DITËS: Vendet më pak dhe më demokratike për 2022-in, Shqipëria e 64-ta në botë (krahasimi me rajonin)

Shkruar nga Liberale

 

Rënia e demokracisë globale është ndalur disi në vitin 2022, sipas vlerësimit të fundit të Indeksit të Demokracisë Globale, i sapo-publikuar nga revista prestigjoze “The Economist”. Janë analizuar demokracitë e 167 vendeve të botës. Shqipëria mbi bazën e të dhënave dhe analizës së “The Economist” mban vendin e 64-ët në botë.

Analiza përfshin 4 fusha të funksionimit politik: Demokraci e plotë, demokraci me defekte, demokraci hibride dhe regjime autoritare. Vendi ynë, sipas këtij vlerësimi, 32 vite pas rënies së komunizmit, nga regjimi autoritar ka kaluar edhe zonën e parafundit, duke mos u konsideruar më si një vend me demokraci hibride. Ashtu si vendet e rajonit, ato të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ndodhet në zonën ku demokracia konsiderohet “me defekte”. Kjo do të thotë se ka ende shumë punë përpara se të arrijmë zonën e preferuar, ku ndodhen vendet që qeverisen nga një sistem politik me demokraci “të plotë”, të cilën e zënë aktualisht thuajse të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, me përjashtim të disa vendeve ish-komuniste, si Hungaria.

Megjithëse me probleme si në të gjitha rajonin, Mali i Zi ndodhet 3 vende para Shqipërisë në renditje. Ndërsa vendet e tjera të rajonit pozicionohen disi më keq. Serbia (68), Mali i zi (61), Maqedonia e Veriut (72), Bosnia (97), madje edhe Kroacia, një vend i BE-së ndodhet në vendin e 59-të për sa i përket nivelit të demokracisë, shumë pranë nesh. Sllovenia (31), dhe Greqia (26) janë konsideruar dy vendet me demokracinë më të zhvilluar në rajonin tonë.

[caption id="attachment_1325023" align="aligncenter" width="1085"] Demokracia, mesatarja e Indeksit Global[/caption]

Sondazhi vjetor vlerëson dhe analizon gjendjen ku ndodhet demokracitë në 167 vende të botës, bazuar në pesë kritere; procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike demokratike dhe liritë civile. Edicioni i fundit zbulon se pothuajse gjysma (45.3%) e popullsisë së botës jeton në një lloj demokracie, ndërsa më shumë se një e treta (36.9%) jetojnë nën sundim autoritar (harta). Rezultati global e vendos demokracinë në kuotën 5.29 nga dhjetë, një rritje prej vetëm 0.01 nga viti i kaluar, çka përfaqëson stanjacion dhe jo një përmbysje të recesionit demokratik që filloi në 2016 (ardhja e Trump në pushtet).

Një arsye pse pritej një rritje e indeksit të demokracisë për këtë vit ishte heqja e kufizimeve të lidhura me pandeminë në vitin 2022. Shtypja e gjerë e lirive individuale, e cila u përdor fillimisht për të mbrojtur njerëzit nga Covid-19, zvarriti rezultatet mbi demokracinë në vitet 2020 dhe 2021. Por çdo përmirësim në 2022 u kompensua nga zhvillimet e tjera negative. Për më tepër, Kina - shtëpia e gati një të pestës së popullsisë së botës - i dha fund politikave të saj zero-covid vetëm në muajin dhjetor, pasi mbylli dhjetëra miliona qytetarë për muaj të tërë gjatë gjithë vitit. Qeveria kineze braktisi politikën zero-covid pas protestave të gjera kundër saj. Por reagimi represiv i shtetit ndaj këtyre protestave ndihmoi që demokracia e Kinës të zvogëlohej në 1.94 nga dhjetë që është maksimumi, më e ulëta që nga fillimi i indeksit në 2006.

Rusia regjistroi rënien më të madhe demokratike nga çdo vend tjetër i botës, duke rënë 22 vende dhe duke u pozicionuar e 146-ta në botë. Ambicia e Vladimir Putin për ta pozicionuar Rusinë si një fuqi perandorake është kundërshtuar ashpër nga Perëndimi.

Rreth dy të tretat e njerëzve jetojnë në vende, qeveritë e të cilave janë ose neutrale ose të prirura nga Rusia. Makina propagandistike e Putinit po përpiqet të bindë pjesën jugore të globit, se qëllimi i Perëndimit është të “ndajë dhe shkatërrojë” Rusinë. Por në Rusi, kontrolli i fortë i shtetit mbi median dhe shtypja e protestuesve që dolën kundër luftës kontribuan në një rezultat të ulët historik për nivelin e demokracisë, prej 2.28.

Polarizimi mbetet kërcënimi më i madh për demokracinë në Amerikë. Pavarësisht problemeve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, demokracia në SHBA mbetet e qëndrueshme në 7.85. Më në jug të globit, një grusht shteti i cili dështoi, dobësoi një demokraci e cila aktualisht paraqitet e paqëndrueshme. Indeksi i fundit e klasifikon qeverinë e Perusë si një "regjim hibrid" dhe jo si një “vend demokratik”.

Diku tjetër, grushtet e shumta bënë që Burkina Faso të bjerë 16 vende më poshtë në renditje. Përpjekjet e dështuara për grusht shteti në Guinea Bisau, dhe disa mikro-shtete kontribuan në stanjacion, sikurse ishin edhe rezultatet demokratike të Afrikës Sub-Sahariane për të dytin vit radhazi.

Evropa Perëndimore, ku ndodhen tetë nga dhjetë vendet e para në indeks, ishte i vetmi rajon që regjistroi një përmirësim të dukshëm në vitin 2022, duke u kthyer në nivelet para pandemisë. Norvegjia ruajti pozicionin e saj të gjatë në krye të renditjes botërore, si vendi më demokratik, e ndjekur shumë afër nga katër vende të tjera nordike. Zelanda e Re doli e dyta në renditjen globale. Turqia, i vetmi “regjim hibrid” në rajonin tonë regjistroi një rënie të dukahme gjatë dekadës së fundit, gjë që pasqyrohet nga sundimi gjithnjë e më autokratik i presidentit të saj, Recep Tayyip Erdogan. Turqia do të mbajë zgjedhje vendimtare këtë verë, të cilat shihen si një test ku mund të vendoset statusi i saj demokratik.

Pavarësisht disa përmirësimeve, demokracia globale sipas “Economist” mbetet ende e kërcënuar.

Përgatiti: a.m /Liberale.al/ 

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH