Globi

Thaçi i kërkon Kurtit një emër të ri për kryeministër të Kosovës

Shkruar nga Liberale
Thaçi i kërkon Kurtit një emër të ri për

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka kërkuar kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të VV-së, Albin Kurti, që të propozojë një kandidat tjetër për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në një letër që Thaçi ia ka nisur Kurtit të enjten, pas përfundimit të konsultimeve me liderët partiakë, thuhet se është bazuar në nenin 95 të Kushtetutës, Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 1 korrik 2014 në Vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme të mbajtura më 6 tetor 2019, ku Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti më i votuar, raporton KOHA.

Qeveria Kurti u rrëzua ditë më parë me një mocion mosbesimi e iniciuar nga LDK-ja, partia që është në koalicion me LVV.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, tha se nuk ka ndonjë afat të përcaktuar kushtetues për kohën kur Lëvizja Vetëvendosje do t’i kthejë presidencës përgjigje.

“Është momenti i papërshtatshëm dhe është dashur kjo çështje të lihet derisa të kalojë koronavirusi, përndryshe nuk ka afat, ka vakum kushtetues dhe në vështirësitë dhe problemet që mund t’i ketë mandatari, sigurisht që mund të ketë edhe mosrespektim të ndonjë kohe e cila mund të quhet eventualisht kohë e arsyeshme për t’u përgjigjur. Andaj po them ne jemi në një situatë kur vetëm me këto veprime njëri-tjetrit mund t’i shkaktojmë dëm institucional dhe asgjë më tepër se kaq”, thotë për Kosovapress Baraliu përmes telefonit.

Sipas tij, procesi mund të zgjasë në pafundësi nëse partia nuk i dërgon Presidentit emrin për mandatar, meqë ekziston vakum kushtetues dhe e njëjta nuk e ka parashikuar një skenar të tillë./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH