Aktualitet

Tërmeti në Turqi/ Cili është fenomeni që shkaktoi fatkeqësinë e madhe, sizmologu: Nuk kam parë kurrë më parë diçka të tillë

Shkruar nga Liberale
Tërmeti në Turqi/ Cili është fenomeni që shkaktoi

Sizmologu Panagiotis Karydis ka folur nga Turqia juglindore për pasojat shkatërruese që lanë tërmetet që goditën vendin mëngjesin e së hënës. Shkencëtari pjesëmarrës në misionin grek të kërkim-shpëtimit, i pyetur për pallatet që u shembën si një kullë letre, ndërsa të tjerat pranë tyre qëndrojnë të paprekura, vuri në dukje se në literaturën ndërkombëtare kjo ngjarje quhet “kolapsi harmonik”.

“Kjo për shkak të mënyrës sesi toka është ngacmuar nga tërmeti. Kombinim i valëve vertikale dhe horizontale kryesisht në zonën qendrore”, vuri në dukje ai teksa iu referua kostos së madhe njerëzore të tragjedisë dhe tha se kjo ka ardhur si pasojë e shembjeve të menjëhershme.

“Goditja ndodhi në çast dhe ajo që ne themi për ‘hyni nën tavolinë’ ose ‘përpiqu të gjesh një zonë më të sigurt’ nuk vlen. Në këto raste njerëzit nuk kanë kohë të reagojnë me asgjë. Është nga lart- poshtë”, komentoi ai.

Duke shpjeguar pse disa objekte ranë dhe të tjera mbijetuan ndërsa ishin të njëjtat ndërtime nga i njëjti kontraktor, me të njëjtin inxhinier, ai përsëriti se kjo është për shkak të “kolapsit harmonik”, pra se si lëviz toka nga tërmeti. “Kur jemi larg fokusit, dridhja është një. Kur jemi afër fokusit, dridhja është krejtësisht jonormale. Kjo është vërejtur në Ricomex, e cila ka rënë ndërsa në vendin fqinj, një ndërtesë trekatëshe e bërë nga materiale të brishta nuk është dëmtuar”, tha ai.

Sipas zotit Karydis, ky rezultat tragjik varet nga të dhënat: "Së pari, madhësia e tërmetit, e cila kontribuon si në intensitetin ashtu edhe në shtrirjen. Së dyti, është thellësia e tërmetit”.

Profesori i strukturave antisizmike theksoi se fatkeqësia ishte e madhe pasi epiqendra e tërmetit ishte nën shtëpi dhe ndodhi teksa njerëzit flinin. “Një ndërtesë trevjeçare u shemb dje me një tërmet 3.5 ballë, sepse tashmë ishte e dobësuar”, shtoi ai, duke vënë në dukje se një ndërtesë e dobësuar mund të shembet. Dhe siç sqaroi ai në Turqi, por edhe në Siri, kemi një kombinim të parametrave të pafavorshëm.

“Kam qenë në shumë e shumë tërmete nëpër botë. Nuk kam parë kurrë më parë një gjë të tillë. Shkalla e dëmit është pothuajse sa Greqia. Nuk është i vogël. Çfarëdo ndihme që dërgohet, nuk mjafton. Gjithçka është një pikë në oqean. Janë zona që ende nuk janë vizituar nga njerëzit. Kam frikë se çmimi do të jetë shumë i lartë”, tha zoti Karydis./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH