Aktualitet

Tërmeti/ Kosova nis 56 psikologë dhe mjekë drejt Shqipërisë

Shkruar nga Liberale
Tërmeti/ Kosova nis 56 psikologë dhe mjekë drejt

Mbi 50 psikologë, psikiatër dhe mjekë të përgjithshëm nga Kosova pritet të japin ndihmesë në nevojat psikiatrike dhe psikologjike që ka lënë pas tërmeti vdekjeprurës i së martës. Stafi i është nënshtruar një trajnimi paraprak dhe ka identifikuar zonat më problematike në Shqipëri.

56 kandidatët e përzgjedhur u takuan të shtunën për t'u informuar rreth shërbimit psikologjik që do të ofrojnë por edhe rëndësinë e mosabuzimit me të dhënat identifikuese të pacientëve, që mund të ndodhë nëse atyre u zbulohet identiteti në medie.

Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli, thotë se kolegët që po vijnë në Shqipëri kanë përvoja në këto situata.

“Gjithë profesionistat që do shkojmë nësër kemi përvojë. Kemi përvojë dhe nga lufta e fundit në Kosovë. Kemi përvojë në menaxhimin e krizave pas tërmeteve dhe me menaxhimin e krizave pas aksidenteve”, është shprehur Ilir Havolli.

Profesionistëve shëndetësorë nga Kosova do i bashkohen edhe psikologë shtesë nga Shqipëria.

Havolli shton se zonat problematike janë identifikuar dhe çdokush e di seriozitetin e këtij operacioni.

“I kemi ftuar sot kandidatët për t’i njoftuar se nesër nuk do shkojnë për ekskursion apo për shëtitje, shkojnë për të ofruar shërbime psikologjike në kuadër të individit që ka nevojë për këto”, ka përfunduar Havolli.

Ekipet mjekësore të Kosovës i shtohen forcave kosovare të kërkim-shpëtimit që prej së martës për të dhënë ndihmesë në kapërcimin e tragjedisë natyrore.

Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë u shkaktoi vdekjen edhe dy shqiptarëve nga Kosova.

Vëllezërit nga Gjilani, Shemsedin dhe Isa Abazi, 32 dhe 29 vjeç, u gjetën nën rrënojat e hotelit Tropikal në Durrës, dhe për ta qeveria shqiptare do të rezervonte një fond 16 mijë euro.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH