Aktualitet

Tërmeti dhe nevoja për strategji madhore

Shkruar nga Liberale
Tërmeti dhe nevoja për strategji madhore

Kristaq Xharo*

Tërmeti ka edhe meritën se paraqiti dy momente të rëndësishme : së pari solidaritetin e jashtëzakonshëm njerëzor, jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar dhe së dyti kapacitetet e drobitura të shtetit shqiptar, ‘brishtësinë’ e tij, duke e paraqitur mbretin lakuriq. ‘Tërmete’ me amplitudë të lartë politike, sociale, ekonomike kanë goditur fortë edhe më parë, (1997, 1998, 2008, 2014, etj.), apo me amplitudë, ndoshta, më të lehtë, krizat e pandërprera politike përgjatë 30 viteve. Por, ‘sms’ e dërguara prej tyre, më parë dhe më tepër janë dëgjuar nga ndërkombëtarët se nga elitat politike në vend që asnjëherë nuk deshën ti lexojnë. Vendi në periudhën e 30 viteve i ngjan një varke, me vela të shqyera, që udhëton në një ujë të trazuar pa ditur apo mundur të gjej bregun. Për më tepër varkëtarët, në vend që të ndjekin ‘yllin polar’ grinden mbi varkë për të rrëmbyer direkun. Lëvizja kaotike vazhdon, aq sa dikush shprehej në trajtën e batutës kur thoshte “ ne e sollëm vendin deri në buzë të greminës, ndërsa ju keni meritën se ecët përpara...”

Në mes të tërmetit...dhe strategjia...! Ka pasur thirrje të pandërprera nga aleatët në të dy anët e Atlantikut, për të gjetur apo ndërtuar një konsensus apo pakt mbarë kombëtar për të kapërcyer krizat dhe tragjeditë. Leximi nga elitat tona ka qenë nga më të skajshëm deri në ‘shkelje të sovranitetit’, kuptohet të merakosur për veten jo për vendin. Në një gjuhë më të plotë konsensusi apo pakti shpreh atë që mund të konsiderohet si themeli i një strategjie të madhe kombëtare. Me rastin e tërmetit, më së miri modelin e paktit/konsensusit/strategjisë e demonstruan dy aktorë të mëdhenj: së pari populli ynë me solidaritetin e shkëlqyer dhe së dyti ndërkombëtarët gati me të njëjtin solidaritet. Ndërsa, klasa politike edhe njëherë mbeti në klasë. Tërmeti ndoshta është thirrja e më e fundit, por mos qoftë e fundit. Kombi nuk shuhet, por elitat që nuk arrijnë nivelin e popullit shprehej Dritëroi i Madh, shpejt ose vonë mbarojnë. Është koha më e mirë për të formuluar një pakt/strategji me konsensus për çështjet më të rëndësishme kombëtare. Ky është moment historik dhe shmangia e elitave nga përgjegjësia do të jetë po aq gabim historik.

Përse elitat i shmangen strategjisë.... Është fjala për të kërkuar dhe ndërtuar atë që ka munguar për gjithë këtë periudhë. Dhe duket se busulla, që i ka munguar këtij vendi është strategjia kombëtare. Ndoshta është paradoksale tu kërkosh elitave politike të ndërtojnë strategji kombëtare kur atyre ju mungon një strategji e veta. Dhe kjo më së paku ka katër shkaqe kryesore: së pari, faktori kohë, strategjia shtrihet shumë më tej se koha e ekzistencës së partive. Së dyti, faktori objektiva/interesa, strategjia merret me interesa kombëtare, ndërkohë që partitë përqendrohen në interesa elektorale. Së treti, në burime, strategjia është strikte në përdorimin e burimeve të fuqisë kombëtare jo vetëm në këtë kohë por edhe për brezat, ndërkohë që elitat politike e kanë të vështirë të shikojnë përtej kohës së vet. Së katërti, sjellja dhe kultura strategjike, strategjia imponon elitave që në momentin që drejtojnë shtetin/kombin, të largohen nga sjellja elektorale dhe të orientohen dhe të veprojnë në parametrat e sjelljes dhe kulturës strategjike. Ajo kufizon sjelljen autodidakte. Kjo është një sfidë që ndan liderët nga kryetarët e partive. Jo të gjithë e kapërcejnë.

Është një shans i madh dhe koha më oportune që elitat politike të kuptojnë nevojën për strategji kombëtare, përtej gardheve partiakë, me objektiva përtej ambicieve partiakë, me interesa përtej kohës dhe hapësirës së tyre. Tërmeti le të jetë sirena, që veç asaj që la pas, zbuloi jo vetëm greminën, por edhe domosdoshmërinë që është krijuar gjithë këtë periudhë. Atdheu sot thërret dhe çdo përpjekje e dështuar në rimëkëmbjen e tij, është dështim i përbashkët. Strategjia është një vizion që orientohet drejt së ardhmes, kujdesit për brezat dhe shkon përtej kohës elektorale të partive, duke u përpjekur të përcaktojë piketa dhe të japë përgjigje që shkojnë përtej 10, 15 apo 25 vjet. Ndaj asnjë elitë politike nuk duhet të ndjehet e frikësuar nga strategjia kombëtare. Ajo është mbi ata, të angazhohesh bëhesh pjesë, të shmangesh humbet mundësi për të qenë aktor dhe kontribuues për të ardhmen e vendit.

Pra, çfarë është një strategjia kombëtare apo madhore? - Në mënyrën më të thjeshtë është ura e përdorimit të burimeve të fuqisë së vendit për interesat kombëtare. Pra flitet për ‘një urë’ me dy kalime, nga burimet e fuqisë te interesat e këtij kombi. Strategjia madhore është mënyra se si përllogarit dhe orienton lëvizjen nga njëri skaj në tjetrin. A e kemi ndërtuar një urë/strategji të tillë? – Jo nuk e kemi ndërtuar. Dëshmi të mungesës janë zhvillimet kaotike dhe përdorimi i burimeve të fuqisë. Në kontekstin e saj, ajo do ti referohej një projekti të integruar, me shtrirje të gjerë, largpamëse, programatike me parime që do të udhëhiqnin shtetin për të shfrytëzuar në mënyrë optimale burimet e tij kombëtare - politike, ekonomike, sociale, teknologjike, administrative, ushtarake dhe të tjera - drejt arritjes së objektivave dhe përparësive kombëtare.

Në të vërtetë, përdorimi i termit strategji ka krijuar super inflacion e rëndom e gjejmë në çdo fushë: që nga shërbimet komunale, apo të hedhjes së rasatit në liqen, kullimit të ujërave apo deri në kulturë, mjedis, mbrojtje apo siguri. Dhe letra e bardhë në këto lloj strategjish, formalisht, nuk kanë munguar. Por, ajo për të cilën është fjala në këtë shkrim është përtej frazave të mësipërme. Është ideja për strategji kombëtare, ndryshe, strategji madhore apo ‘grand strategy’. Ideja nuk është origjinale, por e studiuesve më të mëdhenj: Klausivitz. Lidell Hart, Kolin Grei, Robert Art, Kristofer Lein, Hju Stracan e shumë zëra të tjerë dominant në studimet strategjike. Ndërsa liderë të mëdhenj e realizuan dhe ndriçuan kombet e tyre.

Atëherë, nga se dallon strategjia madhore nga llojet e tjera të strategjisë? - Dallimi i qëndron në faktin se ajo është mbi të gjitha, është burimi dhe instrumenti që harmonizon të gjitha llojet e strategjive: të sigurisë, të mbrojtjes, politike, diplomatike, ekonomike apo edhe atyre specifike, si pjesë e përpjekjeve për mbijetesë dhe prosperitet. Lidëll Hart, një nga teoricienët më të famshëm të strategjisë thotë se Strategjia Madhore në botën moderne është arti i menaxhimit të burimeve të një kombi dhe përfaqësimit të interesave të tij, ... pa kufizime kohore. Me fjalë më të thjeshta - vazhdon ai- është mënyra se si një vend/komb “kërkon të gjejë hisen e vet nën diell” Strategjia madhore nuk është strategji kundër askujt tjetër, por strategji për të ruajtur dhe promovuar interesat kombëtare në të tashmen dhe të ardhmen. Strategjia harmonizon faktorin e brendshëm dhe linjëzon sjelljen ndërkombëtare.

Përse na duhet strategjia madhore? Veç sa më sipër, mund të sillen një numër konsideratash për domosdoshmërinë e strategjisë, midis të cilave:

- Jemi një vend i vogël, me burime të kufizuara të fuqisë, por me interesa kombëtare, që pak ndryshojnë nga vendet më të mëdha. Sfidat globale janë të pranishme dhe të vazhdueshme. Në mungesë të strategjisë, shteti rrezikon të humbasë orientimin

- Në kontekstin e jashtëm, strategjia shmang sjelljet delirante, politikat refraktare, dhe konsolidon besueshmërinë për aleatët dhe për miqtë.

- Në aspektin e brendshëm shoqëria, që ndjehet thellësisht e trazuar dhe kërcënuar nga sfidat e demokracisë, krijon modelin e zhvillimit për të ardhmen.

- Në kushtet e mbijetesës dhe përkeqësimit të burimeve të fuqisë strategjia madhore do të jetë një perspektive e konsolidimit dhe shtimit të burimeve të fuqisë, pa të cilën mund të rrezikojnë sigurinë dhe mbijetesën.

- Strategjia do të jetë një guidë për të shprehur aspektet kryesore të sigurisë dhe sjelljes me aleatët strategjikë, por edhe të ekonomisë, shkencës, teknologjisë, arsimit dhe kulturës – dhe një mënyrë për të reflektuar në drejtime të reja.

Në të kundërt, ose në përfundim, mungesa e një strategjie madhore, është që të vazhdojmë siç edhe jemi, ose më thjesht, që vendi do të vazhdojë të jetë i prekshëm, për t’u hedhur dhe përplasur nga valët e zhvillimeve jo vetëm të brendshme, por edhe globale, pa busull apo pa sensin e vet të drejtimit dhe qëllimit. Në më tej, të vazhdohet të reagohet në mënyra të improvizuara ndaj sfidave apo edhe strategjive të të tjerëve, përfshirë edhe atyre që dëshirojnë që të mbetemi një shtet ‘i brishtë’.

* pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Çështjeve të Strategjisë në UET /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH