Aktualitet

Tërhiqet nga gara një nga kandidatët për kreun e PD-së

Shkruar nga Liberale
Tërhiqet nga gara një nga kandidatët për kreun e PD-së

Lisandër Hoxha të shtunën është tërhequr nga gara për kreun e Partisë Demokratike. Përmes një shënimi të gjatë në rrjetin social Facebook, Hoxha thekson se ajo çfarë po ndodh është vazhdimi i rrugës së vjetër të mbajtjes peng të garës përmes makinacioneve dhe arrogancës.

Po ashtu, tregon ai, nuk ka garë sepse me 13 qershor nuk kanë të drejtë votë 20 mijë anëtarët e FRPD-së dhe nuk ka garë sepse janë me mijëra anëtarë të fshirë si “pasiv” nga sistemi vetëm për qëllime kalkulimi.

Sipas tij, në PD nuk ka garë sepse garohët përballë një Kryetari në detyrë, i cili kontrollon të gjithë administratën e partisë, zyrën e shtypit dhe çdo aset që e bën të pabarabartë fushën e lojës.

“Nuk ka garë sepse rezultati i përfundimit të saj është parashkruar dhe nuk ka asnjë mundësi që përballja të jetë reale. Unë nuk i kam ikur asnjëherë asnjë sfide dhe asnjë përgjegjësie. Me dhjetra herë jam përballur me padrejtësitë e brendshme deri aty sa kam dhënë edhe dorëheqjen nga çdo funksion ne disfavor të mendësisë pragmatiste që shumica aty mban. Këtë rol e kam zgjedhur si model jete dhe nuk kam ndërmend ta ndryshoj”, thekson ai.

Hoxha, shprehet se do të futej në garë nëse çdo anëtar i PD-së do kishte të drejtë vote dhe nëse gara nuk do të kontrollohej nga një komision i njëanshëm dhe një rregullore demokratike.

“Për këto arsye sot kam zgjedhur të mos e dorëzoj aplikimin tim për kryetar të PD-së”, citohet nga mesazhi i tij.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH