Aktualitet

Tërheqja e SHBA nga Gjermania dhe loja helmuese e Trump-it

Shkruar nga Liberale
Tërheqja e SHBA nga Gjermania dhe loja helmuese e Trump-it

Nga Paolo Valentino

N’atë festën në Long Island, ndërtuesi i ri dhe i harlisur i pallateve njujorkeze bëri çmos të afronte Richard Burt-in. Ishte vera e vitit 1989. Burt, ambasadori në Gjermani nën Ronald Reagan-in, sapo ishte emëruar nga George Bush ati si kryebiseduesi amerikan në bisedimet Start për pakësimin e armëve strategjike me Bashkimin Sovjetik. Ishte një ofiq që Donald Trump-i, tashmë i vetëemëruari 'the master of deal', kishte ëndërruar për vete, duke u ofruar si kryetar delegacioni. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të shumta për të takuar drejt për së drejti katet e larta të Administratave Reagan dhe Bush, për t’i dalë zot çështjes së tij, për fat të mirë nuk ishte marrë asnjëherë seriozisht. I nënështruar, atë mbasdite deshi t’i japë diplomatit disa këshilla. “Kur të takoni për herë të parë bashkëbiseduesin tuaj sovjetik – filloi Trump-i përballë një Burt-i të kërshëruar – juve e vini atë në qejfin e tij, ftojeni për një drink jashtë, pyeteni për familjen, i flisni atij pak a shumë me ton të përzemërt, merrjani kohën atij. Pastaj me qetësi, kur të ketë mbaruar biseda, shiheni në fytyrë e thuajini: sa i përket bisedës sonë, fuck you!

Shkoi biseda me të vërtetë kështu. Kanë kaluar tridhjetenjë vite. “Mund të them se nuk ka ndryshuar asgjë, veç faktit që sot ai është president i Shteteve të Bashkuara”, thotë bashkëbiseduesi i im. Siç duket, me asnjë tjetër udhëheqës botëror kreu i tashëm i Shtëpisë së Bardhë parapëlqen testosteronin më shumë se diplomacinë se sa me Angela Merkel-in.

Ditën kur ekonomia amerikane dhe ajo gjermanë paditën të gjithë fuqinë shkatërrimtare të krizës, duke shënuar përkatësisht një tkurrje prej më shumë se 32% në një vit e 10 % nga tremujori në tremujor, Trump-i flet për tjetër gjë. Bën të njoftojë nga ana e kryetarit të Pentagonit se tërheqja e pothuaj 12 mijë ushtarëve amerikanë nga Gjermania do të fillojë “brenda pak javësh”.

I gjori Mark Esper mundohet me të gjitha mënyrat t’a shesë vendimin si “një vendim strategjik”, frut i këshillimeve me aleatët e NATO-s, që priret të përmirësojë frikësimin kundrejt Rusisë. Asgjë të vërtetë në gjithë këtë. Vetë presidenti i sqaron gjërat: Gjermania duhet të ndëshkohet, sepse ”is delinquent”, pra është e vonuar në pagesat e veta NATO-s. Edhe kjo është një shpikje trumpiane. Në të vërtetë askush nuk i derdh para Aleancës. Berlini, ashtu si Italia e shumë vende të tjera anëtare, harxhon pë mbrojtjen më pak se 2 % të PPI, që është synimi i marrë si zotim nga aleatët evropianë.

Por, për të shpërthyer hakmarrjen e Trump-it, nuk është vetëm bilanci ushtarak gjerman, që prej ndonjë viti madje është shtuar. Kush apo çfarë  e shtyn një lëvizje të tillë që, simbas të gjithë analistëve, dëmton në rradhë të parë vetë interesat e Amerikës? “Ne nuk jemi në Aleancë për t’i sjellë dobi aleatëve – shpjegon Iwo Daalder, ish ambasador i SHBA në NATO - , mbajmë trupat në Gjermani e gjetiu për të parandaluar luftërat e për të mos i kryer ato”.

Përgjigja ka një emër e një mbiemër: Angela Merkel. Është kancelaria gjermane, i vetmi emër sistematik në sytë e Donald Trump-it; shumë më tepër se Vladimir Putin e madje edhe më shumë se Xi Jinping, me të cilët ndjen ngjashmërinë zgjedhore të burrave të fuqishëm. Për një arsye të thellë, të shpjeguar mirë nga ish-këshilltari për Sigurinë kombëtare, John Bolton, në The Room Where It Happened: “Trump-i ka probleme me udhëheqëset gra”. Edhe për karakter: sa është e ftohtë kancelaria, e përkorë, e vëmendshme vetëm ndaj fakteve, e qetë në vendosmërinë e saj, po aq është i paqëndrueshëm presidenti amerikan, tekanjoz, idhnak, i paaftë të përqëndrohet dhe kryeneç për çdo hollësi. Në bisedën telefonike që, me gjasë, ka qenë 'casus belli' (molla e sherrit) në tërheqjen e trupave nga Gjermania,  n’atë të qershorit, në të cilën Merkel nuk pranoi ftesën e Trump-it për një G7 në Shtetet e Bashkuara, duke nxjerrë si shkak pandeminë, presidenti humbi çdo vetëkontroll duke e quajtur atë “budallaqe”, simbas versionit të papërgënjeshtruar të Carl Bernstein-it.

Por, mbi të gjitha ajo që shkakton mllefin e Trump-it është se Angela Merkel mishëron gjithçka që ai urren: multilateralizmin, të drejtën ndërkombëtare, mospranimin e çdo lloj populizmi. Dhe e bën me fuqinë e qetë, madje dhe me pabesinë e një veteraneje të pushtetit: “Nuk mund të luftohet pandemia me gënjeshtra e me dizinformacion, aq më pak mund të bëhet duke nxitur urrejtjen. Kufizimet e populizmit e të mohimit të së vërtetës më të thjeshtë janë para syve të të gjithëve”, ka thënë së fundmi Merkel. Vështirë të mund të ndërtohet një portret më besnik i Trump-it, të paaftë të kontrollojë koronavirusin në Shtetet e Bashkuara.

Në të vërtetë kanë qenë gjithmonë në pole të kundërta shkencëtarja e specializuar për fizikë kuantistike dhe miliarderi i kushtuar vetëm kultit të famës. Lajmi i ri është që, i sëkëlldisur nga një rizgjedhje gjithnjë e më tepër e pamundur, “maniaku narcizist” Trump (copyright i Frankfurter Allgemeine Zeitung) ka braktisur çdo frenim dhe vetëkontroll. Kush nuk e lëvdon, i bën një panjerëzi ose i rrëmben skenën, duhet ndëshkuar. Por me Angela Merkel-in testosteroni nuk duket se funksionon.

“Corriere della Sera”, 30 korrik 2020/ Përktheu Eugjen Merlika

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH