Kryesore

Tentativa e Partisë Demokratike për të rigjetur ndërkombëtarët  

               Publikuar në : 10:04 - 09/09/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Lulzim Basha ka emëruar Arben Kashahun si Sekretar  për Marrëdhëniet me Ndërkombëtarët të Partisë Demokratike, pas dorëheqjes të Gerti Bodganit që ka mbajtur këtë post në vitet e fundit.

Nëse do të ishim në një situatë normale të Partisë Demokratike dhe të opozitës në përgjithësi, ky emërim do të kalonte pa ndonjë zhurmë apo rëndësi të madhe. Mirëpo, të gjithë e dimë se Partia Demokratike nuk gjendet në një situatë normale politike mbas lagimit nga Parlamenti dhe djegies të mandateve. Largim i cili, për hir të së vërtetës ka vendosur raportet e Partisë Demokratike me aleatët ndërkombëtar të Shqipërisë në një marrdhënie jo shumë solide, kryesisht  me BE-në dhe ShBA-në.

Ky është një raport mëse i  kuptueshëm, pasi askush nuk mund të mendonte që aleatët tanë ndërkombëtar do të mbështesnin një akt si djegia e mandateve dhe dalja jashtë  institucioneve. Nëse PD dhe kryetari i saj ka patur një iluzion të tillë, atëherë ky është një gabim naiv, aq më tepër i një njeriu që ka mbajtur postin e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe e njeh mirë atë  kontekst.

Diplomacia për nga natyra e saj është  formale dhe institucionale, dhe të gjitha raportet, me këdo subjekt qoftë, i zhvillon në këtë kuadër. Në këtë kuptim, është e pamundur që aleatët ndërkombëtar të kuptonin një akt si dalja nga institucionet , aq me tepër ta mbështesinin atë, pavarësisht kauzave të drejta dhe betejës që po zhvillon opozita për to.

Pikërisht në këtë drejtim, Partia Demokratike dhe opozita gjatë gjithë këtyre muajve nuk bëri aq sa duhej,  duke e ditur ndër të tjera se sa  vështirë është të bindësh aleatët  ndërkombëtar të Shqipërisë që dlaja nga parlamenti ishte rruga e vetme për të artitur qëllimet e saj.

Megjithatë, edhe pse e vështirë, Paria Demokratike me një strategji  dhe komunikim të ndryshëm me ndërkombëtarët mund t’ia kishte dalë për ti bindur se kjo ishte një betejë që duhej bërë, dhe ishte në interes të shqiptarëve.

Aleatët e Shqipërisë nuk mbështesin as Ramën dhe as Bashën, por popullin shqiptar. Kështu që, nëse Partia Demokratike do të kishte arritur të bindte ata se ky aksion është një interes  i madh kombëtar i shqiptarëve, do ta kishte më të lehtë rrugëtimin e saj. Mirëpo, me sa duket, mungoi dicka në komunkim apo në strategji. Ose ishte një mendjelehtësi, ideja se kjo ishte një betejë që mund të fitohej pa mbështetjen e aleatëve të Shqipërisë.

E Vërteta është se marrëdhëniet e Partisë Demokratike me ndërkombëarët në këtë moment nuk janë më të mirat e mundshme. Edhe emërimi i zotit Kashahu, ndoshta nuk është një rastësi, por një tentativë  e Partisë Demokratike për të rigjetur komunikimin e munguar deri më tani me aleatët e Shqipërisë, pa mbështetjen e të cilëve beteja e saj duket shumë e vështirë që të ketë sukses.

Sepse, duam apo sduam ne, roli i ndërkombëtarëve në Shqipëri ka qenë dhe do të jetë shumë i rëndësishëm. Tashmë, politika shqiptare nuk është më dy polare, por tripolare.  Për arsye se Shqipëria ndodhet në proceset e integrimit dhe pjestare e organizatave ndërkombëtare si NATO,  ndërkombëtarët në Shqipëri nuk mund të përjashtohen. Sigurisht, mund të kritikohen për veprimet e tyre, pasi edhe ata kanë patur dhe kanë gabime e tyre, por  gjithmonë do të jenë pjesë e politikës shqiptare.

Kush mendon se Shqipëria mund të bëjë pa ta, apo se ne duhet ta ndërtojmë vetë demorkacinë tonë, pa konsideruar aspak aleatët tanë ndërkombëtar , është në një iluzion naiv.

Shqipëria, padyshim që është një vend Sovran dhe duhet të ketë përgjegjësitë dhe përpjekjet e saj për të ndërtuar një shtet demoraktik dhe funksional. Por, sovraniteti i Shqipërisë është i ceduar në favor të organizatave ndërkombëtare dhe procesit të integrimit. Kjo është e shkruare zezë mbi të bardhë në Kushtetuën tonë. Dhe me këtë gjë duhet të bëjmë llogaritë. Në të kundërt, le ti kthehemi ‘’forcave tona’’ , dhe të ndëpresim proceset euroatlantike të Shqipërisë. /Gazeta Liberale

(Visited 120 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *