Op-Ed

Tension i pazakontë Berlin – Bruksel

               Publikuar në : 09:17 - 15/06/21 liberale

Xhezair Zaganjori

Gjermania është padyshim një nga anëtarët më aktivë e më shembullorë të Bashkimit Europian, kësaj organizate shumë të rëndësishme ndërkombëtare, e cila prej rreth 70 vitesh ka ndikuar dukshëm e me mjaft sukses në zhvillimin ekonomik e shoqëror të shteteve anëtare, garantimin e një jete më të mirë e më të sigurt të qytetarëve të tyre, zbatimin e parimeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës si dhe krijimin e konsolidimin e themeleve  të palëkundura për një paqe të qëndrueshme në Europë. Pikërisht për këto arsye, simbolikisht Gjermania konsiderohet edhe si lokomotiva e Bashkimit Europian, sepse jep gjithnjë kontribut me vlerë të jashtëzakonshme për zgjerimin e thellimin e mëtejshëm të integrimit në këtë organizatë ndërkombëtare me natyrë sui generis. Por aktualisht, mes Berlinit e Brukselit ka një situatë të nderë e tension të pazakontë. Në fakt ndodhi ajo që pritej, por që ishte e padëshirueshme ose të paktën e parakohshme për të gjithë.

Pak ditë më parë, më datën 9 qershor 2021, Komisioni i Bashkimit Europian, në ushtrim të funksioneve të tij e në zbatim të nenit 258 të Traktatit për Funksionimin e BE (TrFBE), nisi procedurën kundër Gjermanisë, me objekt mos përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Traktatet, duke i dërguar fillimisht për këtë qëllim një letër të veçantë Qeverisë gjermane. Sigurisht që për Presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen, nuk ishte e lehtë tia përcillte këtë letër Kancelares Merkel, evropianes shembullore dhe ish shefes së saj që e propozoi dhe mbështeti energjikisht për tu zgjedhur në atë detyrë. Qeveria gjermane ka kohë 2 muaj të reagojë, në të kundërt, nga dt.9 gusht 2021, Komisionit i lind e drejta të ngrejë padi kundër Gjermanisë pranë Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GjEDr).  Ngritja e padive të tilla nga Komisioni kundër shteteve anëtare është në fakt një gjë normale. Kështu, në të njëjtën ditë, pra më 9 qershor 2021, u njoftua se mbi të njëjtën bazë ligjore, pas kalimit të periudhës 2 mujore, ishin ngritur padi të veçanta edhe kundër Italisë, Francës, Polonisë, Hungarisë, Çekisë e Danimarkës, lidhur kryesisht me mos përmbushjen e detyrimeve të tyre që burojnë nga e drejta e BE për çështje që lidhen me mbrojtjen e ambientit, energjinë, trajtimin e ujërave të zeza, rregullimin e udhëtimeve turistike, zbatimin e masave në kuadër të pandemisë, e të tjerë. Por rasti i Gjermanisë është krejtësisht i veçantë. Bëhet fjalë për përplasjen apo ballafaqimin e fortë të filluar rreth tre vite më parë (2018) mes Gjykatës Kushtetuese Gjermane dhe GjEDr lidhur me raportin  shumë të vështirë e tepër delikat mes të drejtës europiane dhe të drejtës kushtetuese të shteteve anëtare, e më konkretisht, mes vendimmarrjes së GjEDr me vendimmarrjen e gjykatave kushtetuese të këtyre shteteve.  Problemi është parimor dhe ekstremisht  i rëndësishëm dhe i dobishëm për të dy rendet ligjore. Prandaj kjo përballje forcash i ngjan nje orteku që mund të ndryshojë shumë gjëra esenciale në këtë raport. Por le të flasim fillimisht shumë shkurt lidhur me konfliktin në fjalë, për të kuptuar më mirë situatën që paraqitet aktualisht, pavarësisht se për këtë problem kemi shkruar edhe rreth një vit më parë.

Në zbatim të kompetencave të saj, Banka Qendrore Europiane, e shndërruar në institucion kryesor të BE që nga 1 Dhjetori i vitit 2009 me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, miratoi ndër të tjera në Janar 2017 një program të veçantë, të quajtur Programi i Blerjeve në Sektorin Publik (Public Sector Purchase Program – PSPP), përmes të cilit synohet parandalimi i fragmentarizmit të tregjeve financiare të Euros si dhe mbajtja nën kontroll e inflacionit në Eurozonë. Përmes një kërkese individuale, Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë (GjKGj) ju kërkua në atë kohë të shprehej lidhur me kushtetutshmërinë e këtij program, i cili normalisht që do të duhej të zbatohej edhe në Gjermani. Bazuar në nenin 267 te TrFBE, GjKGj ja përcolli çështjen GjEDr për vendim paragjykimor. Me vendimin e marrë në vitin 2018, GjEDr e vlerësoi Programin e Bankës Qendrore Europiane si në përputhje me Traktatet dhe si mjaft efikas e të dobishëm për garantimin e një Euro-je të fortë e të sigurt.  Më pas u investua sërish GjKGj përmes disa kërkesave individuale, e cila do të merrte vendim mbi këtë çështje më 5 Maj të vitit që kaloi (2020). Në këtë vendim, GjKGj atakon drejtpërsëdrejti si të pabazuar dhe si të pazbatueshëm të dy vendimet e institucioneve kryesore Europiane, të Bankës Qëndrore Europiane dhe të GjEDr. Për Programin e Bankës Qendrore ajo vë në dukje ndër të tjera se ka mungesa të theksuara veçanërisht për sa i takon analizës së kostove ekonomike, politike e fiskale tek shtetet anëtare dhe paqartësi për publikun e gjërë. Ndërsa për vendimin e GjEDr të vitit 2018 ajo thekson se është i paplotë, jo koherent, e për më tepër, atij i mungon analiza e duhur dhe e domosdoshme bazuar në parimin e proporcionalitetit. Mbi këtë bazë GjKGj arrin në konkluzionin se vendimi i GjEDr është “objektivisht arbitrar”, e ”nga ana metodike jo përfaqësues”, duke u bërë kështu i pazbatueshëm në praktikë, pasi është ultra vires, që do të thotë se është marrë në tejkalim të kompetencave që Traktatet e BE i kanë përcaktuar GjEDr. Për këto arsye, në fund theksohet se vendimi i GjEDr i vitit 2018 nuk mund të zbatohet nga institucionet përkatës të RFGjermane.

Vendimi i mësipërm i GjKGj i 5 Majit 2020 ngjalli menjëherë nje furtunë diskutimesh të shumta. Përgjithësisht kishte kritika për:  Mungesë respekti ndaj institucioneve Europiane; Si goditje për arkitekturën e drejtësisë së BE; Si precedent i rrezikshëm që cënon autoritetin e GjEDr dhe funksionin e saj për garantimin e parimit të sigurisë juridike dhe për njehsimin dhe unifikimin e praktikës gjyqësore në të gjithë hapësirën Europiane; Si cenim i rëndë i parimit të supremacisë apo përparësisë së të drejtës së BE, elaboruar për herë të parë nga GjEDr që në vitin 1964 në çështjen Kosta/Enel;  e të tjerë. Nga ana tjetër, ai u duatrokit nga pjesa më e madhe e euroskeptikëve. Kryeministri i Polonise do ta cilësonte vendimin e GjKGj si “ më të rëndësishmin gjatë gjithë historisë së BE”, duke lënë të nënkuptohet se vendime të tilla mund të marrin në të ardhmen edhe gjykatat e tjera kushtetuese të shteteve anëtare, përfshirë këtu natyrisht edhe Poloninë. Vetëm Presidenti i GjEDr, Prof. Koen Lenaerts do të deklaronte shkurt e me qetësi në një intervistë në Qershor të vitit që kaloi se “ Ne nuk komentojmë vendimet e gjykatave kombëtare, por dua te theksoj se vetë shtetet anëtare kanë vendosur që GjEDr të jetë përgjegjëse për të garantuar unitetin e zbatimin të njëllojtë të të drejtës së BE, sepse përndryshe do të cënohej parimi i sigurisë juridike si dhe ai i unitetit të rendit juridik Europian”.

Megjithatë, shpejt u krijua përshtypja se palët do të cedonin reciprokisht për të gjetur zgjidhjet e nevojshme për ti dhënë jetë Programit të Bankës Qendrore Europiane. Por me sa duket, pa sukses, sepse Komisioni i është drejtuar tashmë për këtë çështje me letër zyrtare Qeverisë gjermane, e pas dy muajve, me shumë gjasa, çështja do ti kalojë GjEDr. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi menjëherë pas dërgimit të letrës zyrtare në Berlin, se “Gjatë gjithë vitit kemi patur kontakte në Gjermani në të gjitha nivelet, por kryesisht me Qeverinë Federale dhe Gjykatën Kushtetuese Gjermane. Për më tepër, zevëndespresidentja e Komisionit Vera Jourova, përgjegjëse për parimin e Shtetit të së Drejtës (Komisionere për çështjen e Vlerave dhe të Transparencës në BE, shën.ynë), ka debatuar mbi këtë temë edhe me gjyqtarin relator të GjKGj, z. Peter Huber, gjatë një konference zyrtare mbajtur në Karlsruhe, por të gjitha kontaktet nuk kanë dhënë asnjë rezultat..”. Ndodhur në këtë situatë ngërçi institucional, kur të dy gjykatat (Gjykata Kushtetuese Gjermane dhe GjEDr) kundërshtojnë vendimet e njëratjetrës, Komisioni vendosi të filloje procedurën kundër Gjermanisë për mospërmbushje të detyrimeve të Traktateve të BE. Në thelb, në letrën e dërguar pretendohet se vendimi i GjKGj i dt. 5 Maj 2020 cënon rëndë integritetin e të drejtës së BE, integrimin europian, pavarësinë e Bankës Qëndrore Europiane si dhe vendimmarrjen e GjEDr, si instanca e fundit më e lartë e ngarkuar nga Traktatet për të vendosur  përfundimisht lidhur me kuptimin dhe zbatimin në tërësi të të gjithë të drejtës së Bashkimit Europian. Theksohet gjithashtu se GjKGj ka spostuar padrejtësisht GjEDr, duke shkelur nenin 267 te TrFBE, pasi vetëm kjo e fundit (pra GjEDr) ka të drejtën të vendosë përmes vendimeve paragjykimore mbi kërkesat potenciale të të gjithë gjykatave të shteteve anëtare, përfshi këtu edhe gjykatat e larta e kushtetuese të tyre, lidhur me interpretimin e Traktateve si dhe vlefshmërinë dhe interpretimin e akteve të tjera të BE, detyra këto themelore për realizimin e objektivave dhe funksionimin e vetë kësaj organizate ndërkombëtare.

Por përveç sa më sipër, me sa duket, Komisioni si mbrojtës i drejtpërdrejtë i interesave të BE, ka frikë se mungesa e reagimit ndaj vendimit të GjKGj do të nxiste  mjaft shtete të tjera anëtare të vepronin në të njëjtën mënyrë, duke injoruar vendimet e GjEDr. Tendenca të tilla u vunë re edhe rreth një muaj më parë, konkretisht më 21 Maj 2021, kur GjEDr mori një vendim të ndërmjetëm apo masë të përkohshme mbi pezullimin e aktivitetit në Minierën e Qymyrit në Turov të Polonisë, deri në shqyrtimin në themel të kësaj çështje, paraqitur pranë kësaj Gjykate nga Çekia për shkak të pretendimeve të saj se zgjatja e aktivitetit të kësaj Miniere edhe për 6 vite të tjera, bie ndesh me një nga direktivat e BE për çështjet e mbrojtjes së ambientit. Kryeministri polak Morawiecki reagoi me nervozizëm ndaj kësaj mase, duke theksuar se “ Ne nuk do të lejojmë të vëmë në lojë sigurinë e furnizimit me energji të qytetarit polak, vetëm sepse dikush në Gjykatën Europiane të Drejtësisë ka marrë një vendim për pezullimin e aktivitetit të minierës sonë…”.

Fillimin e procedurës së dënimit potencial me gjobë të Gjermanisë për shkelje të detyrimeve të Traktateve e kritikoi edhe partia gjermane e ekstremit të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë), e cila ka zgjeruar dukshëm elektoratin e saj vitet e fundit. Një nga drejtuesit e saj theksoi se “.. Bashkimi Europian po ndërhyn në thelbin e identitetit kushtetues e kombëtar të shteteve anëtare, ndërsa Komisioni po hap konflikte të panevojshme, duke i trajtuar shtetet sovrane si hallka të tij..”. Po kështu, Peter Gauëeiler, ish deputet i CSU, një nga nismëtarët e kontrollit kushtetues të Programit te Bankes Qëndrore Europiane, theksoi se “Letra që Komisioni i ka dërguar Qeverisë gjermane kapërcen kompetencat e tij (pra Komisionit), duke qenë edhe ai vetë në pozita ultra vires, pasi nuk respekton parimet e demokracisë dhe të sovranitetit të popullit…”.

Eshtë interesant të vihet në dukje edhe prononcimi mbi këtë problem i vetë gjyqtarit kushtetues Peter Huber, i cili ka qenë relatori i çështjes mbi Programin e Bankës Qëndrore Europiane, e për këtë arësye edhe hartuesi i vendimit respektiv të 5 majit 2020 te GjKGj. Ai theksoi ndër të tjera se “..Eshtë e vërtetë që Gjykata Europiane e Drejtësise ka rreth 50 vjet që promovon idenë e përparësisë pa kushte të të drejtës europiane mbi atë kombëtare, ide që e kanë kundërshtuar sipas rastit thuajse të gjitha gjykatat e larta e kushtetuese të shteteve anëtare…. Përderisa BE ende  nuk i ka cilësitë e shtetit, çështjet e përbashkëta për shkak të anëtarësisë duhet të trajtohen në instancë të fundit nga e drejta kushtetuese e çdo shteti anëtar. Aty mund të parashikohet edhe përparësia  në zbatimin e të drejtës europiane, por duke përcaktuar sipas rastit edhe kufijtë e ushtrimit të saj, ashtu siç veprohet edhe në nenin 23 të   Ligjit Themelor (Kushtetutës Gjermane)”.

Tre partitë e koalicionit qeverisës CDU/CSU dhe SPD në Gjermani, janë treguar mjaft të rezervuara në deklaratat e tyre. Çështja është e ndërlikuar, e rëndësishme, e për më tepër debati rreth saj është rihapur në një kohë të papërshtatshme. Aktualisht vazhdojnë kritikat për vaksinimin dhe menaxhimin në përgjithësi të Pandemisë, e për me tepër, praktikisht ka filluar fushata për zgjedhjet parlamentare (për në Bundestag) të 26 shtatorit të këtij viti. Qëndrimet duhet të jenë të matura e në përputhje me programet politike, përfshi këtu edhe çështjet e bashkëpunimit e thellimit të integrimit në nivel europian. Nga ana tjetër, duket paradoksale se ndërsa letra e Komisionit, në përputhje me parashikimet e Traktateve, i drejtohet Qeverisë gjermane, vetë Qeveria nuk ka absolutisht asnjë të drejtë të komentojë, e aq më keq të ndërhyjë në vendimmarrjen e gjykatave në përgjithësi, veçanërisht në atë të Gjykatës Kushtetuese. Duhet shtuar gjithashtu edhe fakti se  gjetjet e GjKGj në vendimin e saj të dt. 5 Maj 2020 mbi raportin e të drejtës europiane me të drejtën e brendshme nuk janë risi.

Në vija të përgjithshme ato janë elaboruar edhe më parë në të njëjtën mënyrë përmes vendimeve të shumta të saj, mes të cilave mund të veçohej vendimi i 30 Qershorit 2009 mbi Traktatin e Lisbonës, i cili çeli praktikisht rrugën për hyrjen në fuqi të ketij dokumenti tepër të rëndësishëm reformues. GjKGj arrin aty në përfundimin se Traktati i Lisbonës nuk bie në kundërshtim me Ligjin Themelor gjerman, por vë në dukje qartësisht se  “Bashkimi Europian nuk është një shtet, por një lidhje e shteteve sovraneve që bazohet në normat e të drejtës ndërkombëtare. Përgjegjësia e integrimit aty është në duar të organeve kushtetuese të shteteve anëtare që veprojnë në emër e për llogari të popujve të tyre…Prandaj, delegimi i të drejtave sovrane në drejtim të Bashkimit Europian bëhet me vullnet të lirë e në bazë të parimit të autorizimit të kufizuar e rast pas rasti, dhënë për këtë qëllim nga dy dhomat e parlamentit, Bundestagu dhe Bundesrati…, sepse legjitimiteti demokratik vazhdon tu mbetet popujve të shteteve anëtare…”, e të tjerë. Thuajse të njëjtat deklarime janë bërë nga GjKGj edhe në vitin e largët 1992, me rastin e kontrollit kushtetues të Marrëveshjes së Mastrihtit.

Theksojmë së fundmi se në kushtet që paraqitet konflikti, rrezikohet shumë që BE të futet në një krizë kushtetuese. Sepse edhe ballafaqimi mes dy gjykatave me vokacion të padiskutueshëm ndërkombëtar është këtë radhë tërësisht frontal, i drejtpërdrejtë dhe i pashmangshëm. Qëndrimet janë krejtësisht të kundërta, në një kohë që lojtarë kryesorë janë vetë ato. Nga njëra anë, vetë GjEDr duhet të sqarojë e të shprehet lidhur me padinë që pritet të paraqitet pas dy muajve nga Komisioni, duke vendosur kështu  për nje konflikt në të cilin është vetë palë. Nga ana tjetër, edhe GjKGj mund të vihet në lëvizje sërish përmes kërkesave individuale për të gjykuar me pas mbi vendimmarrjen që pritet të marre GjEDr. Kështu do krijohej një rreth vicioz apo një lëmsh institucional, i cili do të ishte i vështirë, në mos e pamundur, të zgjidhej e qartësohej përfundimisht në këndvështrimin ligjor e kushtetues.  Prandaj kërkohet maturi, dialog e vullnet politik për të ndërmarrë nismat e duhura për kapërcimin një herë e mirë të kësaj situate, gjë që do të ndihmonte njëkohësisht si Bashkimin Europian, ashtu edhe shtetet anëtare të tij. Sepse rruga është e gjatë dhe bashkëpunimi duhet të zgjerohet e forcohet gjithnjë e më shumë.  Kjo imponohet edhe nga nevoja e realizimit sa më efektiv të objektivave  te BE-së. Sidoqoftë, duhet pritur. E sigurt është që brenda këtij viti do të kemi zhvillime shumë interesante në këtë fushë.

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back