Newsroom Liberale

Tekstet shkollore

               Publikuar në : 10:27 - 12/06/19 David Luka

Prof. dr. David Luka

Tek dëgjoja kryeministrin tonë të nderuar se e kishte zgjidhur problemin e teksteve shkollore, më vajti mendja tek ajo thënia e lashtë: “Ai që flet pa menduar, gabon”. Po ndërkaq, m’u kujtua edhe tjetra, po aq e vlefshme: “Ai që mendon pa dijtë, nxjerr gjëra të rrezikshme për kreje”.

Eureka! Të ishte kaq e thjeshtë dhe e lehtë kjo zgjidhje, bota do ta kishte praktikuar me kohë. Po ja që së bashku me tekstet e Oksfordit apo të Kembrixhit, do të na duhej të sillnim në vendin tonë edhe kushtet e atyre vendeve nga do të huazonim këta libra. E jo vetëm kushtet, por edhe mendësinë e formuar me shekuj, krejt ndryshe nga kjo jona.

Përpjekje për “revolucionarizimin” e shkollës ka pasur edhe në kohën e komunizmit në Shqipëri. Mbaj mend kur shtrohej problemi i programeve shkollore, një mësues pati shprehur mendimin që këto programe duhet të ishin të diferencuara. Sepse zhvillimi mendor dhe procesi i njohjes i nxënësve, nuk mund të ishte i njëllojtë si në kryeqytet, si në Tropojë. Mirëpo ideja e tij u quajt revizioniste. E shpëtoi nga gërvishtja një citat i K. Marksit, që thoshte se shkolla nuk mund të ngrihej mbi nivelin social-ekonomik të vendit ku ajo kryen veprimtarinë e saj.

Mirë që po i marrim librat shkollorë aty ku të jenë më të mirët, po ku t’i gjejmë përkthyesit. Sepse nuk mjafton që ato të zotërojnë mirë të dyja gjuhët, atë të librit, e domosdo shqipen standarde. Sepse edhe kjo nuk mjafton. Përkthyesit duhet të njohin domosdo edhe psikologjinë e pedagogjinë e kohës, së bashku me shkallen e njohjes së dijes së nxënësve sipas moshave, po të diferencuar për çdo klasë përkatëse. E pa dyshim duhet të njohin mirë edhe programet mësimore.

Dhe ja një shembull. Një mësues vë re se nxënësit e një klase të ciklit të ulët kanë vështirësi në zgjidhjen e problemave, po gjithashtu edhe në mësimet e historisë e të gjeografisë. Këtu bëhej fjalë për nxënësit e mirë të klasës. Gjatë ushtrimit të detyrës, mësuesi vë re se edhe nxënësi i mirë, duke u përpjekur të zgjidhte problemën, nuk kuptonte tri e më shumë fjalë të saj. Kjo, meqë përkthyesi a hartuesi i librit nuk kishte pasur parasysh fjalorin aktiv që duhet të njihte (e më pas të zotëronte) nxënësi i kësaj klase. Autori i tekstit nuk kishte mbajtur parasysh se ky fjalor pasurohet nga klasa në klasë, prandaj librat duhet rreptësisht të ecnin paralel me njohjen e fjalorit aktiv të moshës së tyre. Sepse, si do ta mësonte historinë një nxënës, kur nuk merrte vesh gjysmën e fjalëve të huaja, që përkthyesi kishte përdorur pa kursim në librin e tij, pa i shkuar nëpër mend që nxënësi ato fjalë nuk i njihte. Duhej kryer paraprakisht një studim i mirëfilltë për të përcaktuar sasinë e cilësinë e fjalorit aktiv të secilës klasë (përkat. moshë) e më pastaj mbi këtë bazë të hartoheshin tekstet përkatëse, duke mbajtur parasysh edhe pasurimin e këtij fjalori aktiv nga klasa në klasë.

Studiohet disa orë Fishta, kur nxënësit nuk njohin as 10% të leksikut të “Lahutës”. Sipas statistikave te “Lahuta” numërohen rreth 2500 fjalë të rralla, që në shumicën e rasteve nuk njihen as nga vetë mësuesit. Nxënësit, jo vetëm nuk e kuptojnë Fishtën, po ata nuk janë në gjendje as ta lexojnë atë. Puna ka shkuar deri aty sa “Lahuta” të përshtatet në prozë nga S. Këlliçi, me shënimin paradoksal e tejet injorant të botuesit: “Tue e falenderue autorin e përshtatjes, çmojmë punën e tij të censhme në këtë përshtatje, e cila mendojmë se ka me i shërbye mjaft receptimit të veprës ma lehtësisht prej nxanësve të shkollave, por edhe prej lexuesve të vegjël në përgjithësi”.

Lahuta e Fishtës është lule mali, ajo as nuk mund të preket e as të tjetërsohet, përndryshe vyshket dhe humbet njomësinë e bukurinë. 50 vjet rresht u mundua komunizmi ta varroste veprën e Fishtës. Mirëpo, ajo u ruajt e gjallë në kujtesën e bashkëkohësve, pikërisht sepse ishte shkruar shqip; sepse – siç e kanë çmuar pena të nderuara të kohës – e shkruante Orfeu i Shqipërisë apo Tirteu Shqiptar.

Lahuta është çmuar si bibël kombëtare dhe konsideruar si përmendore kombëtare. Nisma e liliputëve për ta prekur këtë bibël në pikën më nevralgjike të saj, nuk është vetëm shenjë latente injorance; përkundrazi, është një përpjekje e menduar mirë, që mund të quhet pa mëdyshje atentat kundër kulturës kombëtare shqiptare, duke shënuar tanimë edhe shfaqjen e krimit kulturor të organizuar.

përshtatësh Fishtën në prozë (siç!?) do të thotë jo vetëm ta denigrosh atë, por edhe ta zhveshësh nga të gjitha elementet artistike, ta kthesh atë në histori të rëndomtë. Fishta është dhe do të mbetet i papërsëritshëm në historinë e letërsisë shqiptare dhe përpjekja dashakeqe për ta prekur atë, për ta përshtatur (?!) në prozë, apo për ta “përkthyer” në gjuhën standarde, kanë dështuar pa nisur.

Në këtë vështrim, e gjithë koha kushtuar këtij autori të letrave shqipe në programet shkollore, është kohë e humbur. Fishta, duam apo nuk duam ne, i ka kaluar historisë së letërsisë. Ne shqiptarët e kemi zakon ta shpërdorojmë pasurinë kombëtare.

Problem më vete përbëjnë tekstet alternative për të njëjtën lëndë. Ky rast ka qenë e vazhdon të jetë veprimtari e pastër biznesi. Mjafton të lexohen autorët e këtyre librave, për t’u bindur që në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me matrapazë. Së pari, duhet argumentuar përse u dashkan tekstet alternative për të njëjtën lëndë, kur ne ende nuk kemi vepra akademike, ku mund të mbështetemi. Si do të mësonin të vërtetën shkencore nxënësit kur njëri shkruan se data e çlirimit është 28 Nëntori e tjetri 29 Nëntori. Çfarë do të mendojë nxënësi kur të lexojë që M. Frashëri ishte kryetar i Ballit Kombëtar, organizatë politike, që sipas Fjalorit enciklopedik shqiptar (2008) “Në periudhën e pushtimit gjerman bashkëpunoi me gjermanët për të likuiduar Lëvizjen Nacionalçlirimtare” e, më pas, të lexojë fjalimin që z. Edi Rama, mbajtur me rastin e kthimit të eshtrave të tij në atdhe. Shembuj si këto të sipërmet paraqiten të shumtë dhe zgjidhjet paradoksale të teksteve alternative në lëndë të ndryshme të kujtojnë vargjet e Fishtës: Ka qitë dreqi pushkë mbi ne, / Mos me u bâ dy vetë m’nji fjalë …

Shkolla shqiptare ende nuk e ka këtë luks që të punojë me tekste alternative. Do të ishte më e pranueshme që tekstet shkollore të hartoheshin nga grupe autorësh të zgjedhur e të besueshëm, që jo vetëm janë njohës të mirë të përmbajtjes shkencore të lëndës, por edhe mendje të ndritura, që dinë të ruajnë ekuilibrat e nivelit të shoqërisë shqiptare në zhvillim. E kundërta do të sillte vetëm çoroditje. Dhe lënia në dorë të mësuesve për të përzgjedhur tekstin më të mirë për ta përdorur në lëndën e tyre, ishte një zgjidhje e gabuar. Gjithashtu, udhëzimi që mësuesit të bënin vërejtje për librat që do të përdornin, ishte thjesht formalizëm, kur dihet niveli i ulët i tyre, që në shumicën e rasteve të kujtonte thënien e K. Marksit që mësuesit janë proletarë të mendimit. Mësuesit e lëndëve të ndryshme ishin mësuar me vite të tëra të përdornin një tekst. Duke ia ndërruar ato pa kurrfarë përgatitjeje paraprake, po i sillnin pengesa të mëdha, sepse tani duhej “mësuar” libri i ri nga vetë ata e, më pastaj, t’ua mësonin nxënësve.

Futja në orarin e shkollave tona sistemin e dy orëve rresht njëra pas tjetrës të së njëjtës lëndë, është një veprim i sforcuar, i bërë pa asnjë studim paraprak e pa asnjë eksperiment. Zakonisht elementet e reja në procesin e mësimit ndër shkolla ndërkallen pasi të jetë studiuar nga të gjitha anët e reja, që do të futet në programet mësimore. Më pas ajo nis të zbatohet shkallë-shkallë, së pari në një shkollë eksperimentale dhe, më pas, po shkallë-shkallë, sipas klasave. Së fundi, ajo përgjithësohet në të gjithë sistemin arsimor përkatës. Përndryshe, pa kurrfarë pune paraprake, vihet në dyshim dhe suksesi i veprimtarisë. Kujtoj se gjermanët për të ndryshuar një shkronjë të alfabetit të tyre (β = ss) kanë vite që diskutojnë. Problemi i futjes së dyorëshit në zhvillimin e një lënde, më kujton gazmoren e kinezëve. Inxhinierët gjermanë, përpara se të hapnin një tunel në një zonë të vështirë malore, kishin punuar plot tre vjet për hartimin e projektit më të saktë, e më pas e kishin zbatuar këtë projekt me shumë sukses, duke hapur tunelin në një kohë të shkurtër në të dy anët njëherësh, e për t’u takuar në mes me saktësi centimetrash. Ndërkaq kinezët e kishin nisur punën pa asnjë projekt. Duke pasur forca punëtore të shumta, ato kishin nisur të punonin në të dy anët njëherësh. Kur inxhinierët gjermanë u thanë se kështu nuk do të takoheshin në mesin e tunelit, kinezët iu përgjigjen duke qeshur: “S’prish asnjë punë, bëjmë dy tunele!”.

Futja e dyorëshit në programet shkollore pa kurrfarë studimi paraprak, na ngjan veprim i nxituar, me pasoja negative në të ardhmen. Ka shekuj që shkolla është mësuar me një orar stereotip, bazuar në pedagogjinë dhe psikologjinë e kohës. Kemi pra një strukturë të shpërndarjes së orëve në orarin ekzistues, i cili ndërtohet mbi baza parimore pedagogjike. Mbi këtë bazë mësuesit ndërtojnë ditarët e tyre, me të cilët do të punojnë brenda një ore mësimi. Tani zhvillimi i një lënde dy orë rresht, prek në thelb strukturën e orës së mësimit. Ajo tani duhet të ndërtohet ndryshe, sepse do të zhvillohet dy orë rresht. Po kështu duhet të ndërrohen edhe librat e lëndëve përkatëse, sepse janë ndërtuar mbi këtë parim, zbatimin e lëndës të mbështetur mbi një orë mësimi. Edhe metodikat përkatëse do të dilnin jashtë përdorimi.

Hartimi i orarit të mësimit në shkollë kërkon njohjen dhe zbatimin e disa parimeve, të cilat duhet të mbajnë parasysh natyrën e lëndës së mësimit. Në orët e para vendosen lëndët që nuk kërkojnë shumë përqendrim. Kjo, sepse nxënësit janë ende të papredispozuar tërësisht për mësimin. Në mesin e orarit futen lëndët që kërkojnë përqendrim më të madh (matematika, fizika etj.), dhe në orët e fundit lëndët e dyta si fizkultura, muzika, vizatimi etj. Me futjen e dyorëshit në procesin e mësimit, të gjitha parimet që duhen zbatuar për hartimin e orarit, përmbysen krejtësisht.

Në të gjithë veprimtarinë e shkollës sonë në kohën e komunizmit ka mbizotëruar formalizmi, si edhe ndërhyrja e politikës, dukuri që kanë dëmtuar seriozisht ndërtimin e një shkolle moderne. Mbaj mend që në një mbledhje vjetore, seksioni i arsimit i asaj kohe, pati kritikuar ashpër një shkollë për punën e dobët që ajo kishte bërë në lëndën e praktikës bujqësore. Ngjan hartuesit e referatit kryesor kishin harruar se ajo shkollë nuk kishte kopsht fare. E, megjithëkëtë, mësuesit u detyruan të bënin autokritikë. E njëjta gjë ndodh edhe sot në shkollat tona. Si do të realizohet me sukses porosia e kryeministrit për futjen në orar të orëve të fizkulturës, në një shkollë që nuk ka as palestër e as fushë sportive. E mësim nuk zhvillohet vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.

Përpjekja për ndërtimin e një shkolle kombëtare në vendin tonë nën udhëheqjen e nën drejtimin e partisë dhe të orientimeve dhe “mësimeve të ndritura” të sh. Enver, e degdisi shkollën në një katrahurë, duke ia nënshtruar ndërthurjes së tre komponentëve kryesorë: punë, mësim, kalitje. Ndërhyrjet në tekste ishin arbitrare. Në çdo element të tyre duhet të zinte vend propaganda, duken nisur që te problemat e aritmetikës së ciklit të ulët. Në të gjithë punën e shkollës mbizotëronte formalizmi. Shpesh mësimi kalonte në plan të dytë. Mbaj mend që një shkollë u lavdërua dhe u bë shembull në të gjitha shkollat e rrethit, sepse kishte ndërtuar “me forcat e veta” strehimin në oborrin e shkollës, ku mund të futeshin nxënësit në rast alarmi ajror.

Sot, tekstet tona shkollore, shpesh janë mbushur me të pavërteta shkencore, e jo vetëm, po edhe me shembuj që nuk edukojnë, të cilat janë vënë në dukje disa herë në emisionet televizive. E, te këto tekste, të metat kanë dalë në dritë mbasi ato janë botuar e vënë në përdorim të nxënësve.

Dhe së fundi: çfarë ju duhen nxënësve tanë librat e Oksfordit e të Kembrixhit? Që të vuajnë më tepër kur ta mbarojnë shkollën e ta shohin veten e tyre të papunë apo kamerierë? Se mos ka studiuar, zoti kryeministër, zëvendësi juaj, doktori i shkencave politike, sh. Taulant Balla me tekstet e sipërme? Jo! Jo! Mos e ndihmuan gjë kur ai shkoi në Munih të Gjermanisë për të parë një ndeshje futbolli të Bajernit, në një kohë kur ata që kishin studiuar me librat e Oksfordit mbase nuk kishin as televizor? Mos e ndihmuan gjë librat e mësipërm z. Berisha t’ia dridhte partisë mëmë që e rriti dhe e edukoi? Mos e mësuan librat e mësipërm L. Bashën, të linte parlamentin dhe, i kollarisur, të udhëhiqte protestat revolucionare, pa kurrfarë dëmi për veten e tij. Ai ka aq para sa të jetojë edhe pa rrogën e deputetit, ka edhe makinën në dispozicion, ka edhe pasaportë diplomatike, atëherë, përse i duhen librat e Oksfordit, që të humbasë këto që i ka fituar me sakrifica të mëdha(!?)

Shkruan patër Gjergji se si Shënkolli ngarkoi një varkë me mend dhe doli t’i shiste nëpër botë. Kur varka arriti në Shëngjin, aty dreqi ankoroi një tjetër varkë, po me shkarpa (këpucë) të vjetra. Mirëpo, shqiptarët “e pleqnuen se per ket vend / duhen shkarpa e jo mend”, prandaj vendosën mos me ble mend te Shënkolli, po shkarpa te djalli, i cili ia shiti veresie! Dhe qysh se të parët tanë veshën “falas” shkarpat e djallit, nuk patën nevojë më për mend.

Po, fundja, edhe ju vetë z. Kryeministër, që po rekomandoni librat e Oksfordit, mos ju kanë ndihmuar ndopak të vini nga Parisi me çorape të kuqe dhe të bëheni ministër Kulture, e më pas … deri këtu ku jeni? Mos ju kanë ndihmuar librat e vendit të Shekspirit që të ndërtoni një kështjellë të vetmuar në tokat e Surrelit? Shumëkush që ka mësuar me librat e Shekspirit do ta dëshironte një mëkëmbje të tillë. Mirëpo, me librat e Oksfordit, këtu në Shqipëri, mbetesh duke përsëritur fabulën kuptimplote “Dhelpra dhe rrushtë”.

Të them të drejtën, për t’i dhënë fund sa thashë më sipër, më pëlqeu përgjigjja që i dhatë Blendi Fevziut (maj, 2019), kur ai pyeti nëse jeni gati të bënit testin e drogës. Ju thatë se do ta bënit këtë test kur të gjithë politikanët kryesorë të vendit, duke nisur nga presidenti, do të bënin më përpara testin e pasurisë.

Dhe, kur të dalin përfundimet e këtij testi, shqiptarët e varfër kanë të drejtë të këndojnë atë këngën e bukur e kuptimplote:

Kish e t’kém si t’dal n’per Shkodër

Me nji surle e me nji loder,

 T’shkoj tu’u rá per máll:

Lum! e lum! pse Shqyptarija

Ká marrë trokun kah lirija

 Porsi pelë n’per záll …

 “Mësues i Popullit”

(Visited 6 times, 1 visits today)

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *