1

Teksasi ngriu për shkak të dizajnit

               Publikuar në : 09:57 - 25/02/21 James K. Galbraith 

James K. Galbraith

William Hogan nga Shkolla Kennedy e Harvardit ka meritat për dizajnimin e tregut të energjisë së Teksasit. Por kur teksanët ngrinë nga i ftohti dhe tubat e ujit u çanë, ai raportohet të ketë deklaruar se tregu i energjisë së këtij shteti ka funksionuar tamam siç është dizajnuar.

Fakti është që Hogan ka të drejtë, por kjo tregon shumë edhe për mënyrën se si mendojnë ekonomistët.

Për vite me rradhë rrjeti i energjisë elektrike ishte një biznes i qëndrueshëm dhe i mërzitshëm. Ppër të kundërshtuar efektet e monopolit, komisionet e përdorimit u vendosën për të stabilizuar çmimet ndërsa kompanitë morën një normë kthimi mbi investimin e cila (në parim) mjafton për të mbuluar ndërtimin, mirëmbajtjen dhe një normë fitimi të drejtë.

Por ekonomistët u ankuan: kompanitë operuese kanë incentivë të fryjnë investimet dhe të investojnë më shumë nga sa duhet, thanë. Sa më të mëdha të jenë operacionet e tyre aq më të larta janë kostot e tyre totale dhe aq më shumë para mund të nxjerrin ata nga rregullatori që përcakton tarifat.

Elektriciteti është në instancë finale një produkt standard, çdo grimcë energji elektrike është saktësisht njësoj si të gjitha grimcat e tjera. Dhe gjithashtu, Teksasi ka një rrjet energjetik të mbyllur, pa lidhje tregtare me pjesën tjetër të SHBA-së dhe rrjedhimisht, i përjashtuar nga rregullat federale. A ka ndonjë vend më të mirë dhe ndonjë produkt më të mirë ku mund të provohet virtyri i një sistemi konkurrues të derregulluar?

Për këto shkaqe ekonomistët propozuan treg të lirë: lëri kompanitë që gjenerojnë energji të konkurrojnë dhe të furnizojnë konsumatorët përmes një rrjeti të përbashkët energjetik. Lëri konsumatorët të zgjedhin me kë kompani të lidhin kontratë dhe me çfarë kushtesh e çmimesh. Konkurrenca do të maksimizojë efikasitetin dhe çmimet do të reflektojnë kostot e lëndës djegëse dhe normën më të ulët të mundshme të fitimit.

Roli i shtetit në këtë treg konsiston në menaxhimin e rrjetit të përbashkët që lidh prodhuesit me konsumatorët. Në kushtet e mungesës së ofertës, çmimet do të rriten, por ata që nuk duan të paguajnë mjafton të fikin dritat.

Në vitin 2002, guvernatori Rick Perry (më vonë sekretar i energjisë i Presidentit Donald Trump), Teksasi e derregulloi sistemin e vet energjetik dhe themeloi një treg të lirë, menaxhuar nga një organizatë jofitimprurëse e quajtur Këshilli i Qëndrueshmërisë Elektrike të Teksasit (ERCOT), ku marrin pjesë afërsisht 70 furnizues. Ndërsa disa qytete, përfshirë Ostinin, ruajtën sistemin e tyre të vjetër publik, edhe ata ishin të lidhur me sistemin shtetëror.

Problemi është se kërkesa për energji është inelastike: ajo nuk i përgjigjet aq shumë çmimit, por i përgjigjet kushteve të motit. Në kushtet e vapës apo të të ftohtit ekstrem, kërkesa bëhet gjithnjë edhe më shumë inelastike. Dhe,ndryshe nga tregu i zakonshëm, oferta duhet të jetë e barabartë me kërkesën çdo minutë të ditës. Nëse kjo nuk është e barabartë, i gjithë sistemi bie.

Sistemi i Teksasit kishte tre dobësi. E para, konkurrencën fyt më fyt për të ofruar energji me çmimin më të lirë, gjë që bëri që makineritë, puset, sahatët, tubat, mullinjtë e erës e me rradhë, nuk ishin të mbështjella për të përballuar të ftohtin ekstrem, i cili është një ngjarje e rrallë por jo e padëgjuar këtu. E dyta, ndërsa çmimet e shitjes me shumicë lejoheshin të luhateshin lirshëm, çmimet me pakicë vareshin nga kontrata që konsumatori kishte zgjedhur. E treta, çmimet mund të rriten shumë në çaste të caktuara kur kërkesa për energji është më e madhe, por pas kësaj, nuk bien po kaq shpejt.

Sistemi i ri funksionoi shumicën e kohës. Çmimet u rritën dhe u ulën. Konsumatorët që nuk nënshkruan kontrata afatgjata morën përsipër disa rreziqe. Një ofrues, i quajtur Griddy, pati një model të veçantë: për një tarifë anëtarësimi prej 9.99 dollarësh në muaj, mund të marrësh energji elektrike me çmim shumice. Në shumicën e kohës ky çmim ishte i ulët.

Problemi është se njerëzit nuk kanë nevojë për energji elektrike për “shumicën e kohës”; ata kanë nevojë për të përgjatë të gjithë kohës. Dhe, së paku që nga viti 2011, kur Teksasi u përball me një ngricë të fortë dhe të shkurtër, udhëheqësit e shtetit e dinin se sistemi ishte radikalisht i paqëndrueshëm në periudha moti ekstrem. Edhe arkitektët e sistemit e dinin atë shumë mirë, pavarësisht se çfarë zgjedhin të thonë sot.

Megjithatë politikanët e Teksasit nuk bënë asgjë. Ofruesit e energjisë në Teksas, një burim i pasur donacionesh fushatash, nuk deshën që t’u kërkohej të investonin në masa mbrojtëse në raste moti ekstrem, masa që nuk janë të nevojshme përgjatë shumicës së kohës. Më 2020, edhe inspektimet vullnetare u pezulluan, për shkak të COVID-19.

Dhe tani vijmë në ngricën e madhe të vitit 2021. Avulli i ujit në gazin natyror ngriu nëpër puse, në tuba dhe në impjante gjenerimi. Mullinjtë e erës pa mbrojtje nga moti ekstrem dolën nga linja, por ato ishin një pjesë e vogël e panoramës. Për shkak se rrjeti i Teksasit nuk është i lidhur me pjesën tjetër të vendit, nuk mund të importoheshin rezerva; dhe duke marrë parasysh se i ftohti ishte gjithkund, edhe po të kishte lidhje, vështirë se do të kishte energji për të blerë. Në orët e para të mëngjesit të 15 shkurtit, kërkesa kapërceu ofertën aq shumë sa i gjithë rrjeti u rrëzua brenda pak minutash.

Ndërsa kjo gjë ndodhi, mekanizmi i çmimit dështoi totalisht. Çmimet me shumicë u rritën njëqind herë, por çmimet e pakicës, për shkak të kontratave, nuk u rritën shumë, me përjashtim të konsumatorëve të kompanisë Griddy, të cilët morën fatura prej mijëra dollarësh për pak ditë furnizim. Kërkesa u rrit ndërkohë që oferta u rrëzua.

ERCOT u detyrua të ndërpresë furnizimin, gjë që mund të jetë e tolerueshme nëse ndodhte me rotacion nga lagjja në lagje nëpër të gjithë shtetin. Por kjo është e pamundur: si nuk mund t’i heqësh furnizimin me energji spitaleve, zjarrfikësave dhe objekteve të tjera të rëndësisë së veçantë, apo qiellgërvishtësve që varen nga ashensorët për të lëvizur. Kështu, dritat u mbajtën të lidhura për disa zona dhe u hoqën për ditë të tëra në zona të tjera.

Uji i ngrirë ishte faza tjetër e katastrofës. Tubat u çanë ndërsa furnizimi me ujë nuk e përballoi dot kërkesën. Nëpër të gjithë Teksasin presioni ra ose furnizimi u ndërpre. Spitalet nuk ishin në gjendje të gjeneronin avull dhe për rrjedhojë, ngrohtësi dhe disa prej tyre u detyruan të evakuojnë pacientët. E gjitha kjo, na thotë Hogani saktë, ishte sipas dizajnit.

Energjia elektrike po kthehet në linjë në Teksas; furnizimi me ujë kërkon edhe disa ditë. Ushqimi është i paktë dhe shtëpitë e dëmtuara do të duan shumë muaj që të riparohen. Miliona teksanë kanë vuajtur pasojat e dizajnit të shpikur nga ekonomistët, të ndihmuar nga një mit që i shërbeu industrisë së energjisë fosile dhe politikanëve të financuar prej saj. Nga këto politikanë, senatori i SHBA-së Ted Cruz, veproi në përputhje të plotë me logjikën e tregut të lirë duke kapur një avion për të vajtur në Kankun.

Perry thotë se ne teksanët jemi të gatshëm të sakrifikojmë për të shmangur mallkimin e socializmit. Por nëse socializmi do të thotë t’i besosh çështje të jetës apo vdekjes problemeve teknike të inxhinierëve dhe të tjerëve që dinë se çfarë bëjnë dhe jo ideologëve, piratëve, konsulentëve e të tjerë si këta, atëhere ka gjasa që teksanët që po ngrijnë nga i ftohti mund të zgjedhin atë mallkim në vend të këtij me të cilin po jetojmë sot.

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back