Kryesore

Teatri, PD-ja, e nesërmja postkonfliktuale me emrin Zhvillim

               Publikuar në : 11:27 - 23/05/20 Preç Zogaj

Preç Zogaj

Historia e ndërtesës së  teatrit para nëntëdhjetës  dhe  pas nëntëdhjetës ka prodhuar  plot  vendime dhe akte  në  të cilët palët  e  përfshira sot në debate apo konflikte gjejnë material sa të  duash për të ndërtuar sekush  një narrativë  të favorshme  për vete. Gjithnjë ka patur premtime, përpjekje dhe nisma për të siguruar  fondet e ndërtimit të  teatrit të ri. Pa e specifikuar (deri  para  daljes në skenë  të Aleancës  për Mbrojtjen e Teatrit)   nëse ishte fjala për një  godinë me arkitekturë   të re  mbi gërmadhat e të vjetrës  apo për  një  teatër të ri  në ruajtje të  arkitekturës  ekzistuese. Mendimi për të  ndërtuar një teatër të ri  ka përcaktuar politikën  e konstruksioneve  te vogla  me pak para, nga  një qeveri ne tjetrën,  sa për ta shtyrë, në pritje te zgjidhjes  njëherë e mirë, që si shumë projekte të tjera  me peshë nga fusha e kulturës është   lënë në fund të listës.

I njëjti mendim, i ushqyer  nga gjendja  jashtë  standardeve  bashkëkohore e skenës se aktoreve,  e sallës se spektatorëve, e mjediseve të tjera te prapavijës, sikurse edhe  në  faktin se  në origjinë, ajo godinë, megjithë vlerat historike,  nuk ishte  ndërtuar,  por ishte përshtatur si teatër, pra ky  mendim ka përcaktuar edhe mospërshirjen e qartë  të godinës së Teatrit Kombëtar në listën e  monumenteve te Kulturës ku shohim të jenë përfshirë lloj-lloj ndërtesash. Nuk është përfshirë sepse mendohej se do të ndërtohej  i riu- është  e thjeshte.  Nëse qeveria Rama apo qeveritë para  saj do të kishin planifikuar  fondet buxhetore  të  një viti të caktuar  për  ndërtimin e teatrit të ri mbi të vjetrin dhe do të kishin ndjekur procedurat transparente te projektimit, tenderimit e ndërtimit,  kam bindjen se nuk do të kishim patur përplasje si këto  që ndodhen këto dy vitet e fundit .

Fati i Teatrit Kombëtar vjen dhe shndërrohet  në subjekt  përplasjesh  me  hartimin  dhe miratimin   nga shumica socialiste të ligjit  special pa precedent që  bashkonte në një truall unik sipërfaqen që i takonte teatrit kombëtar me  ca troje shtetërore apo private rreth e rrotull  tij,  duke ia dhënë një sipërmarrësi për të ndërtuar aty  me PPP kulla dhe një teatër  nga teprica e fitimeve,  pak a shumë  në formën e lëmoshës.  Një  ligj i tillë e trajtonte teatrin kombëtar si aneks të kullave. Ky raport i kullave si simbole të kapitalizmit klanor- qeveritar  shqiptar me  një tempull të artit  ishte një lloj hologramë e përmbysjeve që kanë ndodhur e vijojnë  të ndodhin në vendin tonë ku një pjesë e madhe e  trashëgimisë dhe  thesareve kulturore   janë nëpërkëmbur nga babëzitë e lloj-llojshme.  Merret me mend se  ligji  ishte poshtërues  dhe  dyfish indinjues  pikërisht në  këtë kontekst.  Artistët  në shumicë absolute, mjaft  media, figura publike dhe OJQ, të mbështetur nga opozita , u  bashkuan  kundër  Ligjit Special. Presidenti i Republikës, Ilir Meta e  ankimoi në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa  përbashkuese numër një ishte që  hapësirës së  Teatrit  Kombëtar të mos i merrej asnjë  metër katror. Ishte e qartë  se po të ruhej sipërfaqja, projekti i kullave në tokë të huaj binte.  Sepse teatrit i ishte vënë syri  në radhë të parë për truallin.

Në evoluimin e vet  të njohur, kjo betejë,  ku kanë luajtur  një rol pozitiv  edhe qëndrimet e BE, u fitua. Tërheqja e  qeverisë nga aneksimi uzurpues i truallit  të teatrit shënon edhe ndarjen e  komunitetit  të artistëve. Shumë  prej artistëve,  ikona të gjalla të skenës dhe ekranit ndiheshin mjaftueshëm të fituar që teatri i ri  nuk do të ishte  një xhep i kullave  dhe do të ruante gjithë çfarë kishte qenë pronë e tij.  Ndërkohë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit vijoi betejën për  një teatër të ri  në ruajtje  të identitetit të ekzistuesit  dhe për  anulimin e ndërtimit me  PPP.  Kriza politike e vitit të shkuar,  zgjedhjet vendore, tërmeti, pandemia- të gjitha këto e   “ngrinë” për shumë muaj  konfliktin mes qeverisë dhe  AMT-së që mbështetej nga opozita.  Konflikti  u rindez në fillim këtij muaji  kur qeveria iu kthye  çështjes së teatrit me befasinë  dhe arrogancën karakteristike  të atyre  që zemërohen  e tërbohen kur detyrohen të heqin dorë nga  çfarë kanë dashur.

Pasi lëshuan  truallin,  qeveria dhe   bashkia  e Tiranës lëshuan, siç pritej, edhe PPP-në,  duke e marrë vetë përsipër  financimin e teatrit të ri.  Por  motivi  i inatit që nuk u eci plani i parë  nuk e shpjegon shterueshëm  operacionin policor  blitz  të qeverisë  natën e së shtunës  duke u gdhirë  e diela.   Besoj se ishte një akt i menduar  në vazhdën e dy- tre të mëparshmeve për të   larguar vëmendjen  nga  e vërteta  e ekonomisë dhe financave shqiptare përmes rigalvanimit të politikës.  Pikërisht ditën kur qeveria   po u jepte dorën  e fundit planeve  për të shembur teatrin qeveria teknike e Maqedonisë  se Veriut shpalli paketën e tretë të ndihmës  ekonomike për punonjësit, sipërmarrjen, konsumin , studentët, bujqësinë, prodhimin vendas, e tjerë.

Në kuptimin figurativ  të fjalës paketa e  tretë e qeverisë  së Ramës ishte shembja e teatrit. Duhet thëne se manovra është e efektshme për  hesapet e saj  sepse  rikthen  në vija të përgjithshme ndarjen politike në blloqe partiake. E vërteta e ekonomisë po e prishte  këtë ndarje. Konflikti me përmbajtje  të theksuar politike për  teatrin, që u  shoqërua edhe me një retorikë lufte, po e rithur. Në projektimin e  kësaj ndarjeje  te komuniteti i artistëve shohim se  pala e kënaqur,  (që në këtë  rast, me logjikën e llogoreve  i bie të  jetë pro qevritare, megjithëse unë njoh plot  prej tyre që as kanë qenë as janë socialistë e rilindës, përkundrazi, por thjesht kanë dashur e duan një  teatër kombëtar fringo),  e ka në favor faktin  që  trualli është shpëtuar dhe PPP-ja ka rënë. Pa llogaritur   akte  dhe momente të tjera nga historia e  teatrit.

AMT  në protestë ka  si argument kryesor  në favor  faktin   se çështja e teatrit ishte në  proces gjyqësor  në bazë të  dy padive që ka bërë Presidenti i Republikës në Gjykatën Kushtetuese dhe padisë së vetë AMT në SPAK. Nuk kishte asnjë arsye që qeveria  të ngutej  në  provën e saj të forcës  pa shteruar  betejën ligjore, duke iu ekspozuar  si rrallë herë këto shtatë vjet qëndrimeve  kritike nga jashtë vendit që e akuzojnë për një akt në sfidë të shtetit ligjor. Betja ligjore do të vazhdojë, pavarësisht se shembja është bërë fakt i kryer.

Ndarjet  e tjera mbeten në sferën e opinioneve.

Në gjithë këtë zhvillim të ri, Opozita  e Bashkuar  ka vijuar të mbështesë AMT, duke parë  në operacionin policor për  shembjen e teatrit një  shfaqje arrogance  që shkon  përtej konfliktit konkret dhe i kërcënon dhëmbët  demokracisë  për të gjithë. Duke vijuar t’u  japë mbështetje artistëve në mbajtje të angazhimeve  të marra, PD  si alternativa  kryesore e qeverisë  duhet ta shtrijë aksionin  e vet politik në tërësinë e çështjeve që preokupojnë qytetarët. Detyra dhe përgjigja e vetme  e PD-së dhe Bashës  për gjithë gamën e problematikave të vendit  është  të mundësojnë rrotacionin.  Për ketë u duhet të  një  propozim i qartë, bindës dhe i pëlqyeshëm. U duhet të modelojnë një sjellje dhe komunikim publik  sa më gjithëpërfshirës, frymëzues  dhe largpamës. Me  refrenin që dëgjohet kaq shpesh “ luftë, luftë, luftë” kënaqen, nëse kënaqen,  fanatikët pa shërim që janë gjithnjë pakicë, por kush e njeh natyrën e popullit shqiptar edhe në referim të  shembujve  kur kanë ndodhur rrotacione të pushtetit në  Shqipërinë  e pas nëntëdhjetës , e di mirë se shumica e njerëzve në këtë vend preferojnë  konstuktivizmin dhe  butësinë. Luftërat e panumërta i delegohen, pa qenë nevojë të përmenden  herë e pa here,   sundimit të ligjit. Reforma në drejtësi është kolona , mjeti dhe shpresa e vetme në këtë rrafsh.  Të tjerat janë retorikë dhe demagogji. Shprehja e mbështetjes pa ekuivoke të reformës në drejtësi, përkundër ideve apo përpjekjeve për kthimin e saj mbrapsht, është e domosdoshme dhe e mirëpritur  nga shefi i opozitës.

Organet e drejtësisë së re janë  vonuar të ngrihen, elita politike që është subjekt  i punës së SPAK-ut  ia ka dalë t’i vonojë, por jo t’i ndalojë.  Këto organe po ngrihen, ato  nuk e kanë konsumuar kohën e pritshmërive që ka publiku ndaj tyre, pandemia ka qenë një  vendnumëro edhe për  to. PD  duhet të evitojë çdo qëndrim që e vendos  përballë prioriteteve të  SHBA në Shqipëri.  PD duhet të evitojë  rënien në kurthin e temave  që  kthejnë rreshtimet partiake. Rama dhe qeveria e tij  i kanë  në favor  këto  rreshtime dhe s’do rreshtin t’i provokojnë sepse  nuk kanë shpresë të reklamojnë me fakte konkrete një bilanc  pozitiv në ekonomi.  PD  duhet të ndjekë në gjithë sjelljen e saj  daljen  tej logjikës së  llogoreve. Ajo e ka  propozimin bazë me emrin  Zhvillim, që duhet  ta zhvillojë e pasurojë  duke hedhur vështrimin e premtimin në një të ardhme  post kofliktuale. /Gazeta Liberale

 

 

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back