Letërsi

“Teatri i Gjergj Fishtës”, monografi e autorëve Çobani dhe Ballabani

Shkruar nga Liberale

Gjergj Fishta ka lënë të shkruara rreth 40 vepra teatrore, si: komedi sipas Molierit ( “Gjokë Tarçuku”, “Dredhitë e Patukut”), tragjedi (si “Juda Makabe”), drama (si “Shën Françesku i Asizit”) dhe melodrama (si “Shqiptari i qytetnuem” dhe “Shqiptarja e qytetnueme”), poemë liriko-dramatike (“Jerina”), poemë satiriko-dramatike (“Gomari i Babatasit”), skeçe (si “Nën hajat të Parrizit”), përkthime libretesh të muzikuara etj. Këto tekste teatrore (ose shumica syresh) janë venë në skenë së pari nga autori i tyre, d.m.th., nga vetë Fishta, që bënte punën e regjisorit, të skenografit, të realizuesit të dekoreve e gjithçka tjetër duhet për realizimin e një shfaqjeje teatrore.

Gjuhë e veprave dramatike të Fishtës që të çon peshë

Gjergj Fishta është poet i lindur. Ai thur me lehtësi vargje që rimojnë dhe ruajnë kadencat ritmike e bukurinë  e këngëve epike të rapsodive popullore. Kjo lirshmëri vihet re edhe të vargjet e veprës "Juda Makabe", por aty menjëherë të bie në sy edhe një dimension i veçantë konotativ i verbit fishtjan: tensioni dramatik.

Kjo dukuri bëhet e dukshme në këtë vepër, jo vetëm pse aty mbizotëron dialogu, por, sepse fjala merr një peshë ballafaquese ndërmjet personazheve antagonistë, komenteve entuziaste të koraleve me spektatorin\ lexuesin që përjeton idetë e veprës. Kjo edhe për faktin se koncepti dramaturgjik i Fishtës është klasik: heronjtë flasin me një gjuhë të zgjedhur e figurative që të çon peshë.

  1. 85-86

Tragjedia e tragjedisë Juda Makabe

Studiuesit kanë venë re një shpirt tejet të trazuar të poetit në kohën kur u shkrua tragjedia "Juda Makabe". "Kisha me pas vërtetë nevojë,- i shkruan Fishta një miku të vet në ato vite (At Pal Dodajt),- me shfry zemrën time, sepse jam shumë i pezmatuem prej intrigave, shtirjeve, tradhtive, poshtërsisë, kopracisë, mbrapështisë dhe veseve të tjera, prej të cilave qelbet Shqipnia e veçanërisht Shkodra"

Është kjo arsyeja që gjejmë te vargjet e tragjedisë "Juda Makabe" mallkime e anatema kaq të fuqishme, metafora të tilla, si ato për fitimet e padrejta të shtetarëve që janë "lot nanash (të) veja të mbetuna", lot "fëmijësh t'rritun pa prind"; kontraste të tilla si ato që përqasin atdheun e robëruar: "Po, për ato vise t'mjera, / Ku shklet i huej pa droje, / Nuk ka pse del Prenvera  / Bylbyli s'ka pse këndon". Për të mbërritur më tej tek ironi e sarkazma të mprehta që vetëm një Fishtë ka ditur t'i krijojë ashtu, për të sulmuar intelektualisht shëmtirën e përditshme e universale: “Mbasi zjarr, pra, ka marrë shpia/  E si e fikim na s'po kemi, / Edhe unë them, tash, lum zotnia, / Se me u nxe në të, faj nuk asht.”

  1. 87-88

Subjektet dhe personazhet

Subjektet dhe personazhet Gjergj Fishta i mori nga jeta e përditshme e mjedisit shqiptar dhe nga mitologjia klasike e biblike, por edhe nga folklori dhe mitologjia shqiptare. Madje duhet theksuar se te melodramat e Fishtës, ballafaqimi i galerisë së personazheve nga mitologjia shqiptare me galerinë e personazheve nga mitologjia greko-latine, është përpjekja e parë në letërsinë shqiptare për të krijuar dhe popullarizuar panteonin e Mitologjisë Kombëtare Shqiptare. Finalja e kësaj përpjekjeje është melodrama “Jerina” ku edhe të gjithë emrat e luleve, që mbijnë e rriten në Shqipëri, kthehen në simbole, sikundërse vetë Jerina, vajza shqiptare, bëhet në mënyrë alegorike mbretëreshë e tyre, mbështetur prej qenieve mitologjike të Bjeshkëve Shqiptare (dhe të Olimpit).

Ashtu si te “Lahuta e Malcis”, edhe në tekstet dramatike Fishta krijon një realitet virtual (nëse do të mund të quhej kështu): ulja në skenë e figurave mitologjike përkrah figurave njerëzore, të njohura ose jo historikisht. Edhe kur ndodh që në ndonjë pjesë dramatike të Fishtës të mungojnë personazhet mitologjikë, është prezent Kori (Vallja), që na kujton teatrin mitologjik. Kjo, sepse në dramaturgji, si në të gjithë letërsinë dhe kulturën shqiptare, çdo gjë duhej ngritur mbi themele të sigurta, që në Europë vlerësoheshin si letërsi dhe teatër klasik. Dhe me teatër klasik Fishta nuk nënkuptonte vetëm Eskilin dhe Sofokliun të shek.VI-V para Erës së Re, por edhe Shekspirin (Shek.XVI-XVII) e deri te Metastazio (Shek. XVIII), melodramat e të cilit vazhdonin të kishin popullaritet të konsiderueshëm edhe në kapërcyellin e shek XIX-XX kur lindej teatri shqiptar.

Për t’iu përmbajtur angazhimit të vet për një teatër klasik, Fishta jo vetëm melodramat, por edhe tragjeditë i shkroi në vargje. Dhe gjuha e tij është gjithmonë e fuqishme kur himnizon apo vë përballë personazhe antagonistë, kur uron apo mallkon, kur pohon a satirizon, kur shpërfaq karaktere të vendosur në qëllimet e tyre burrërore apo zhbirilon skutave më të thella të botës së tyre të brendshme.

f.136-138

Kush është Tonin Çobani dhe botimet e tij për Fishtën

Prof.as. Dr. Tonin Çobani është studiues dhe shkrimtar shqiptar, kritik letrar, eseist dhe gazetar me një veprimtari shkencore dhe krijuese gjysmëshekullore e më tepër. Me Gjergj Fishtën dhe veprën e tij ka filluar të merret që në vitin 1991, kur përgatit një teatër poezie me vargjet e “Lahutës së Malcis”, interpretuar nga trupa e Teatrit amator të Pallatit të Kulturës (Lezhë) dhe një numër special të gazetës KJ me titull Gjergj Fishta. Më tej ka botuar artikuj dhe studime në shtypin e kohës brenda dhe jashtë vendit. Ai ka botuar monografi dhe përmbledhje esesh, artikujsh e studimesh, si:

Monografitë:

  1. Figurat mitologjike në Lahutë të Malcis (2008),
  2. Lahuta e Malcis, ngjizja mitologjike  dhe fjalori i figurave mitologjike (2012),
  3. Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit (2014),
  4. Teatri i Gjergj Fishtës (2020).

Përmbledhjet me ese dhe studime:

  1. Miti dhe antimiti fishtjan, dhjetë ese për Fishtën (1999),
  2. Fishtologji (2006),
  3. Gjergj Fishta, fillimet letrare (2017),
  4. Tri ese: Eseja e tretë “Mitologjia në Lahutë” (2019).

Botime të veprave të Fishtës me shënime dhe parathënie (a pasthënie):

Juda Makabe (1995),

Shqiptarët dhe të drejtat e tyne (1998),

“Vepra letrare” në 10 vëllime (bashkautorë: Tonin Çobani– kryeredaktor, Ndue Zef Toma, Tefë Topalli, Stefan Çapaliku, Hamit Boriçi) (botimi I-2002), (botimi II-2012).

Tekste mësimore për shkolla të larta dhe të mesme:

12.  Eseistika për shkollat e larta (2013): Gjergj Fishta me esenë e tij retorike “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne”

Gjuha shqipe dhe letërsia 11 (Lahuta), për shkollat e mesme (me zgjedhje të detyruar), 2011- 2016.

Lahuta e Malcis e Gj. Fishtës për shkollat e mesme (2001),

Lahuta e Malcis, e Gj. Fishtës, antologji për shkollat e mesme ( 2009,  2011),

Poezi: nga Mrizi i Zanave, Vallja e Parrizit, Anzat e Parnasit” të Gj. Fishtës (1994),

Poezi të zgjedhura nga Mrizi i Zanave, Vallja e Parrizit, Anzat e Parnasit” (2004-5), /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH