Leteratura

Të shkruash në epokën e revolucionit teknologjik

               Publikuar në : 10:03 - 08/07/19 Klidi Apostoli

Nga Klidi Apostoli

Yuval Noah Harari, përfaqëson sot një nga mendjet më brilante të kohës, më konkretisht të kohës që përfaqëson fillesat e revolucionit më të madh të ndodhur ndonjëherë në historinë njerëzore: Revolucionit teknologjik. Asnjë nga revolucionet e mëparshme, edhe pse kanë çuar në pasoja të tilla që kanë influencuar dhe diktuar më pas çdo zhvillim të mëtejshëm njerëzor, nuk krahasohet me pasojat e këtij revolucioni që po jetojmë. Ndryshimet në aspektet e shoqërisë njerëzore dhe të njeriut si qenie më vete, pritet të jenë aq madhore dhe aq radikale, sa pas disa vitesh, ndoshta dekadash pothuaj shumica e normave, parimeve, botë kuptimeve etj., etj., të rreshtin së qenë siç ne i njohim sot, dhe të transformohen në koncepte thellësisht të ndryshme dhe ende të paperceptueshme për momentin që po jetojmë.

Sipas Hararit, ndryshimi i njeriut dhe i shoqërisë njerëzore, i diktuar nga revolucioni teknologjik që sapo ka filluar, do të jetë i tillë sa, ajo qenie që sot quhet “Homo Sapiens”, në një të ardhme të afërt, do të quhet “Homo Deus”. Termi “Homo Deus” kuptimin më të drejtpërdrejtë e ka në lidhje me faktin se njeriu i së nesërmes, që ka filluar të konturohet që sot, do të ketë në dispozicion të dëshirave të tij mundësi të pa kufizuara për t’i arritur ato dhe ato që ëndërron. Thënë ndryshe, revolucioni teknologjik, jo vetëm do të mundësojë përmbushjen e dëshirave aktuale dhe më të imta njerëzore, por do të krijojë terrene të reja për të lindur tek ai, “Homo Deus”-i, dëshira të reja. E gjitha kjo do bëjë që njeriu të përjetojë realisht një gjendje lirie të tillë, e cila është cikur deri më tani vetëm nga imagjinata e tij. Pra, një nga pasojat më të mëdha të këtij revolucioni për njeriun është arritja e një niveli lirie pothuaj maksimale, të papërjetuar kurrë më parë në historinë e zhvillimit njerëzor.

Nëse do të tentonim të ciknim shkurtimisht disa nga këto ndryshime që po i jetojmë çdo ditë, edhe pse në mënyrë jo të ndërgjegjshme, duke qenë se do të ishim të sigurt se do të linim pa përmendur pothuaj shumicën e tyre, gjithsesi për qëllimin e këtij shkrimi do të përmendnim vetëm një:

Zhdukja e shumë profesioneve, që në një të ardhme të afërt do të zëvendësohen nga saktësia dhe kapaciteti i algoritmeve kompjuterike, të tilla si profesionet në: shkencat inxhinierike, shkencat ekzakte, shkencat ekonomike, shumë profesione në fushën e shërbimeve, si drejtim i automjeteve, shërbimet mjekësore, shërbimet bankare, etj., etj.

Menjëherë ajo që të bie në sy në profesionet e përmendura më lart është mungesa e profesionit të shkrimtarit: Pse nuk është edhe ai profesion i përmendur në këtë listë? Pse nuk konsiderohet edhe ai si një profesion që po shkon drejt zhdukjes?

Natyrisht! Këtu duhet të ketë një gabim! Pse gabim?! Patjetër që duhet të ketë gabim sepse të gjithë e dimë se jo vetëm në vendin tonë, por në nivel botëror, njerëzit po lexojnë gjithnjë e më pak… po mendojnë gjithnjë e më pak. Ka pak e më pak libra të rinj botërisht të pëlqyeshëm dhe pothuaj nuk ka asnjë “gjeni” të letërsisë. Rëndom thuhet kudo se, me zhvillimin e teknologjisë nuk ka më vend për leximin etj., etj. Pra nuk do të ngurronim të shtonim në listën e atyre profesioneve me një të ardhme totalisht të pasigurt, edhe atë të shkrimtarit.

Por… ndoshta po nxitohemi… ndoshta mund të jetë duke na shpëtuar diçka…

Revolucioni teknologjik që sapo ka filluar, do të mundësojë zhvillimin e kompjuterëve me fuqi të tillë algoritmike, që do të zëvendësojnë gradualisht pothuaj çdo vendimmarrje apo proces racional të mendjes njerëzore. Do të jenë vendimet e ftohta, thellësisht racionale dhe precize të algoritmeve ato që do të japin gjykimin më të saktë dhe më të drejtë të shumë çështjeve të veprimtarisë njerëzore. Pra, në një farë mënyre, po shkohet drejt një bote ku vendimet më të rëndësishme racionale do t’i marrin ata: algoritmet kompjuterike. Aftësia e tyre për të analizuar të dhëna, për të bërë parashikime, për të ndërthurur nëpër analiza faktorë shtesë të pakufizuar, për të ruajtur në kujtesë një tërë si të pafundme informacioni, e për ta përdorur më pas atë në kohën e duhur… etj., etj., është e pakrahasueshme me aftësinë e mendjes njerëzore. Gama e vendimeve që po i besohen algoritmeve kompjuterike rritet dita-ditës, dhe pritet që të shkojë deri aty, sa të jetë pikërisht analiza e një algoritmi të tillë që të na udhëzojë apo drejtojë edhe drejt vendimeve të tilla personale si: cilin partner të zgjedh, apo kë të votoj? Me pak fjalë, beteja e mendjes njerëzore me algoritmet kompjuterike është e humbur një herë e përgjithmonë, ndoshta simbolikisht atëherë kur kampioni i padiskutueshëm i shahut, Garry Kasparov, u mund nga kompjuteri “Deep Blue” në vitin 1997.

Por… përveç një aspekti… është vetëm një aspekt, që algoritmet nuk kanë dhënë asnjë shenjë se mund ta zëvendësojnë nga veprimtaria mendjen njerëzore. Dhe kjo ka të bëjë me ato pjesë të trurit që kryejnë funksione të tilla si: imagjinata, kreativiteti, fantazia, apo aftësia për të besuar në diçka jo reale dhe jo racionale. Të gjitha këto aspekte pra, një algoritëm kompjuterik nuk është i aftë t’i perceptojë dhe interpretojë. Ato do të mbeten një terren ekskluziv i mendjes njerëzore.

Po edhe nëse është vërtet kështu, çfarë na duhet që të mbetemi të pakonkurrueshëm në aftësinë tonë për të besuar në fantazi apo në diçka joracionale?

Sipas Hararit, është pikërisht kjo aftësi, ajo që ka ndikuar në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Duke besuar në realitete gjysmë imagjinare, të ndikuar nga dëshira dhe nevojat e momentit, njeriu ka tentuar të kalojë nga një stad i evolucionit të tij në një tjetër. Herë ia ka dalë e herë jo, por nëse nuk do të besonte në objektiva të tillë jorealë që në momentin e parë duken thjesht fantazi ose të palogjikshëm, asnjë forcë zhvillimi nuk do të kishte lindur dhe do ta kishte çuar përpara shoqërinë njerëzore. Në këtë kontekst mund të përmendim shprehjen se: “Njeriu ëndërron gjithnjë gjëra të realizueshme”.

Por përtej arsyes së mësipërme, aftësia e njeriut për të besuar në një realitet joracional, tashmë, në kushtet e revolucionit teknologjik merr një rëndësi kritike dhe jetike. E gjitha kjo rëndësi ka lidhje me nivelin e lirisë maksimale. Siç e kemi përmendur më lart, një nga pasojat e zhvillimit teknologjik, është dhe arritja e një shkalle maksimale të lirisë njerëzore. Sa më i madh është niveli i kësaj lirie aq më e madhe do të jetë tentativa e njeriut për të braktisur realitetin, për të qenë i lirë, i pakufizuar apo kushtëzuar prej vetë realitetit, dhe për të ndërtuar më pas realitetin e tij, botën e tij, ashtu siç e dëshiron, siç e ëndërron apo siç e projekton atë në mendjen e tij. Dhe bëhet fjalë për realitetin individual, të pandikuar nga mjedisi, rrethanat apo shoqëria. Realitet ku njeriu përjeton lirinë maksimale të ofruar nga zhvillimi i teknologjisë. Për ta bërë më të kuptueshme këtë aspekt, do të përmendim lindjen dhe zhvillimin e botës virtuale. Ajo që shohim sot, nuk është gjë tjetër vetëm se hapi i parë i kësaj bote. Ajo sapo ka lindur. Në një të ardhme të afërt ajo vetëm sa do të zgjerohet më tej duke u shfaqur në forma të ndryshme, dhe duke përfshirë brenda saj gjithnjë e më shumë marrëdhënie njerëzore dhe madje deri edhe vetë realitetin objektiv. Edhe pse mund të duket e ekzagjeruar për momentin, pas disa dekadash, pyetja që mund të shtrohet do të jetë se: Kush është më shumë e vërtetë, bota reale që gjithnjë shfaqet e cunguar, si pasojë e kufizimeve të realitetit, apo bota virtuale, në të cilën njeriu shfaqet i plotë dhe në përputhje totale me dëshirat dhe lirinë e tij individuale? Aq më tepër kur revolucioni teknologjik do të bëjë të mundur që kjo botë virtuale të zgjerohet dhe konturohet nga dita në ditë më e plotë duke përfshirë brenda saj përherë e më shumë aspekte të jetës reale.

Pra, njeriu i epokës së revolucionit teknologjik, do të jetë gjithnjë në kërkim të një realiteti të ri, individual dhe imagjinar si e vetmja mënyrë për të përjetuar lirinë e tij maksimale.

Dhe këtë realitet tjetër, mund ta ndërtojë një shkrimtar. Pavarësisht formës së paraqitjes së tij, si libër, shkrim, skenar filmi, tekst kënge, apo formave të tjera që eksperimentohen vazhdimisht, njeriu në epokën e revolucionit teknologjik, do të jetë gjithnjë në kërkim të një realiteti tjetër. Do të jetë gjithnjë në tentativë për të braktisur realitetin objektiv dhe për të jetuar dhe përjetuar një tjetër botë apo univers individual. Univers pa të vërteta të pandryshueshme, të dhëna njëherë e përgjithnjë nga një burim tjetër jashtë njeriut. Univers ku ai do të jetë ndërtuesi dhe shkatërruesi i tij i pakufizuar nga asnjë rrethanë jashtë tij. Kjo është arsyeja se pse profesioni i shkrimtarit, ndoshta mund të ndryshojë formë, por në thelb ai do të mbetet i njëjtë … Kjo është arsyeja se pse revolucioni teknologjik jo vetëm që nuk do e cenojë procesin e krijimtarisë në përgjithësi, por përkundrazi, ai do ta bëjë atë të domosdoshëm, do ta shndërrojë në një mjet të pazëvendësueshëm për t’i ofruar njeriut të së ardhmes një apo shumë realitete, në të cilat ai do të jetojë përditshmërinë e tij.

I gjithë handikapi që po jetojmë sot, pra braktisja e leximit, parë në këtë këndvështrim, nuk është një braktisje ndaj produktit të krijimtarisë në vetvete, por është një mospërshtatje e produktit të saj me nevojat e njeriut të ndikuar thellësisht nga liria që ka sjellë revolucioni teknologjik. Është normale të ishte kështu, sepse ndryshimi që ka sjellë zhvillimi teknologjik ka qenë aq i befasishëm dhe i madh, sa ka gjetur të papërgatitur jo vetëm fushën e krijimtarisë, por shumë aspekte të veprimtarisë njerëzore, të cilat duan pak më shumë kohë të kuptojnë dhe përshtaten me atë që po ndodh. Është thjesht një problem forme apo përshtatjeje, por si do të jetë, është një çështje që do të tejkalohet… si përfundim, pavarësisht formës, shkrimtari do t’i ofrojë shumë shpejt njeriut botën që ai ëndërron të jetojë./Gazeta Liberale

(Visited 49 times, 1 visits today)

Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *