Kryesore

Të reja nga Fronti i Perëndimit   

               Publikuar në : 09:58 - 11/05/19 E Liberale

Çfarë do të thotë gatishmëria e CDU për të ndihmuar në kapërcimin e krizës dhe ndryshimi i qasjes gjermane nga ajo e BE. A mund të kushtëzohet hapja e negociatave që veç Francës kalon nga aleatja e PD-së  me një kompromis të minutës së fundit? 

Suadela Balliu

Edhe pse, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe Bashkimi Europian në qëndrimet zyrtare lanë të kuptohej se nuk do të negocionin krizën politike shqiptare, duket se aleatja e vjetër, ndoshta edhe më e rëndësishmja në Perëndim, e Partisë Demokratike ka shtrirë dorën e ndihmës. Megjithëse nga Berlini do të thoshte se nuk dëshironte të ndërhynte në raportet personale të PD-së në Shqipëri, por e inkurajoi të marrë pjesë në proceset politike, nënkryetari i grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul, në një intervistë të ditëve të fundit është shprehur se janë të përgatitur për të ndihmuar në kapërcimin e krizës, ndihmë që do të vinte vetëm nëse të dyja palët do të kishin vullnetin për ta bërë, sigurisht.

Krizën politike në Shqipëri, numri dy i CDU/CSU-së e cilësoi si të rrezikshme, veçanërisht në perspektivën në Bashkimin Europian, e cila do të vendoset në peshore,  siç e bëri po vetë të ditur më herët Wadephul, me gjasë vjeshtën e këtij viti. Dhe përgjigja për çeljen e negociatave me Shqipërinë, pasi vetë BE të ketë qetësuar ujërat me zgjedhjet e parlamentit europian dhe rrezikun në rritje të partive populiste, në rastin e Gjermanisë varet nga Bundestagu. Nuk mjafton vetëm mbështetja e kancelares Merkel, që Shqipëria të marrë dritën jeshile në shtator, siç është shprehur optimist kryeministri Rama, por progresi i bërë në reforma duhet të bindë deputetët gjermanë, që do të shqyrtojnë raportin dhe madje do të ndjekin nga afër arritjet.

Gatishmëria e CDU

Nëse deri më tani, edhe nga ajo çka kryeministri Rama do të deklaronte pak ditë më parë pas takimit me Merkel se ishte prekur fare kalimthi kriza e brendshme politike dhe se djegia e mandateve dhe mospërfshirja në zgjedhje është e patolerueshme sipas kancelares, Wadephul thotë se nëse palët nuk afrohen për të bërë kompromise reale, vënë pikërisht në pikëpyetje të madhe perspektivën europiane të vendit.

“Ta themi hapur: planet për një Shqipëri të Madhe do të çojnë në fundin e perspektivës së Shqipërisë në BE! Kjo është arsyeja pse qeveria dhe opozita kanë një përgjegjësi për të kapërcyer krizën menjëherë. Edhe nëse qeveria Rama ka shumicën në parlament, ajo duhet të jetë e përgatitur për të bërë kompromise reale. Ne jemi të përgatitur për të ndihmuar në kapërcimin e krizës, nëse të dyja palët kanë vullnetin për ta bërë këtë”, do të shprehej Wadephul

Nëse PD dhe PS nuk gjejnë kompromis, sipas deputetit gjerman, i hapin rrugën nacionalizmit, skenar që do të ndizte konflikte të reja në Ballkan.

Megjithëse kryeministri shqiptar u takua në  Berlin me zotin Wadephul, ashtu si edhe me kryetaren e Partisë Socialdemokrate Andrea Nahles për të gjetur përkrahje mbi  integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, deputeti gjerman do të fliste me doza të rezervuara rreth përparimit që vendi ka bërë, duke theksuar se ka ende shumë punë përpara se bisedimet e pranimit të fillojnë. Një nga punët përpara çeljes së këtyre bisedimeve, sipas Wadephul duket se është zgjidhja e krizës së brendshme politike, ku sot PD organizon protestën e katërt kombëtare  përpara godinës së kryeministrisë, ndërsa prej shkurtit ka djegur mandatet e deputetëve në bllok.

Megjithëse në deklaratën e tij të parë, pas takimit me Ramën, Wadephul dukej i qartë në qëndrimin e tij, duke iu drejtuar PD-së, me fjalët “Mos u mbyllni përgjithmonë! Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda”, duket se gatishmëria e CDU-së për një negocim të mundshëm të krizës shqiptare vjen nga lidhjet e forta që ka me Partinë Demokratike dhe investimin disavjeçar në të.

Aleanca me Bashën

Në hartimin e programit të qeverisjes për zgjedhjet e parakohshme, që kreu i PD-së Basha e prezantoi pak ditë më parë, u tha se demokratët u ndihmuan nga një delegacion i CDU-së gjermane. Po ashtu ekspertë të këtij grupimi, me në krye këshilltari ekonomik i grupit parlamentar të CDU-së  në Gjermani, Martin Henze, ndihmuan edhe në hartimin e programit ekonomik të PD-së, disa muaj më parë. Ky i fundit  do të do të pozicionohej edhe në krah të aksionit opozitar, duke argumentuar se opozitës i janë mohuar të drejtat edhe në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Henze madje do të propozonte edhe një formulë zgjidhjeje të krizës.  “Ka shumë zgjidhje që mund të adaptohen, besoj se partitë duhet të gjejnë zgjidhje. Një alternativë mund të ishte një qeveri tranzitore me ekspertë të fushave në mënyrë që të ngjallin besim tek të gjitha palët. Nëse në 2017 nuk ishte formati i duhur, të gjendet një format tjetër”, do të shprehej Henze, duke shtuar se zgjedhjet lokale të 30 qershorit, nëse do të mbaheshin me kushtet aktuale, nuk do të ishin as të lira e as me standarde.

Sinjalin tjetër se gjermanët nuk po e shpërfillin krizën politike në Shqipëri e dha edhe raportuesi për Shqipërinë në CDU-CSU në parlamentin gjerman Christian Schmidt, i cili do të deklaronte se nuk do të kishte negociata, nëse nuk hetohen vjedhësit e votave. “Për të nisur negociatat rreth pranimit në Bashkimin Evropian, duhet të ketë një angazhim të dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet institucioneve të pavarura. Veçanërisht hetimet për vjedhjet në zgjedhje duhet të kryhen si pasojë nga prokurorët publikë”, do të shprehej Schmidt, i cili edhe gjatë vizitës së tij në Tiranë në prill, do të thoshte nuk duhej fajësuar vetëm opozita për aktin ekstrem të djegies së mandateve, por përgjegjësi kishte edhe qeveria.

Schmidt gjithashtu  ka folur për një zgjidhje të krizës që mund të vijë  përmes një kuptimi politik dhe një marrëveshjeje mes palëve. “Një sistem demokratik mund të punojë vetëm me një opozitë funksionale që iu është dhënë të drejtave themelore”, ka thënë raportuesi për Shqipërinë.

Ai ka vënë në dukje se do të jetë parlamenti gjerman, që do të vendosë për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Schmidt ka vlerësuar përparimin, duke vënë theksin te forcimi i drejtësisë dhe tek roli i prokurorisë, që duhet të jetë më aktive në hetimin e fenomenit të shitblerjes së votës. “Në fund, ne do të duhet të vendosim për nivelin evropian për regjimin e vizave, si dhe për bisedimet e pranimit. Unë kisha një përshtypje të mirë të angazhimit të ministrit të ri të brendshëm Lleshaj lidhur me gjendjen e funksionimit të ligjit”, është shprehur Schmidt.

Negociatat edhe në dorë të CDU

Edhe nëse kancelarja gjermane Merkel është pro çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, atë do ta vendosë pikërisht grupi parlamentar CDU-CSU, që i kanë lidhjet të drejtpërdrejta me Shqipërinë. Pas deklaratave  të fundit të dy deputetëve gjermanë të grupimit aleat me PD-në, ka reaguar edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili deri më tani, si nga zyrtarë të BE-së ashtu edhe nga ShBA ka marrë kritika për vendimin e paprecedentë të daljes nga Parlamenti.  “Mesazhet ishin të qarta dhe të prera në këtë Ditë të Europës nga Berlini, se pa u dënuar politikanët që vodhën zgjedhjet e vitit 2017, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat. Kjo është e vërteta dhe jo ajo që thotë Edi Rama. Kjo është e vërteta, e zeza mbi të bardhë”, do të shprehej Basha në ditën e Europës, ndërsa zhvillonte takime me qytetarë.

Nëse kryeministri Rama do të deklaronte i prerë, për të disatën herë se nuk do të negocionte me opozitën kushtetutën dhe ligjet e vendit, edhe pse ishte i gatshëm për dialog, presioni përpara  të cilit po e vendosin deputetët që do të kenë në dorë të japin përgjigje pozitive për çeljen e negociatave  të Shqipërisë me  BE-në, mund të bëjë kryeministrin të marrë në konsideratë një marrëveshje me opozitën për zgjidhjen e krizës, edhe pse kjo e fundit ka vendosur si kusht të panegociueshëm largimin e Ramës si kryeministër.

Britania

Që zgjedhjet të jenë demokratike, do të duhet që të gjitha palët të marrin pjesë në proces, ka deklaruar ambasadori britanik në Tiranë, i cili duket se i është bashkuar zërave të deputetëve gjermanë, që duket se po i japin formë një tjetër skenari, ku në mos një ndërmjetësim i drejtpërdrejtë nga ndërkombëtarët, duket se do të ketë nxitje për uljen në tryezë të palëve dhe gjetjen e një kompromisi. “Zgjidhja për krizën politike është në fakt që të dyja palët të bisedojnë me njëra-tjetrën dhe çdo zgjidhje patjetër që mund të vijë vetëm përmes dialogut. Sa i përket zgjedhjeve me 30 qershor mendoj që teknikisht mund të realizohen në datën e caktuar,  por është e rëndësishme që të jenë demokratike dhe kjo do të thotë se të gjitha palët të marrin pjesë në zgjedhje”, do të deklaronte në një intervistë ambasadori Duncan Norman, ndërsa ka shtuar se që zgjedhjet të jenë demokratike u duhet dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin mes alternativave. “Teknikisht natyrisht që mund të bëhen zgjedhje pa opozitën por nëse kjo do ishte një gjë e mirë apo jo mbetet për t’u parë”, ka thënë diplomati britanik.

Ndërsa koha drejt zgjedhjeve të 30 qershorit po afron , në një atmosferë të dominuar nga protestat e përjavshme të opozitës, mesazhet e ndërkombëtarëve se zgjedhjet janë demokratike vetëm me opozitën po shtohen dhe kjo do të thotë se java që vjen mund të jetë vendimtare.

Në daljen e tij të fundit, në një intervistë televizive, ambasadori Soreca u ka bërë thirrje partive politike të mendojnë rreth përgjegjësive të tyre, ndërsa e ka pranuar se zgjedhjet nuk janë të mira në këndvështrim politik. “Zgjedhje të mira janë ato në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra të mund të zgjedhin. Ne do të vazhdojmë në këto ditë, në këto orë që të ftojmë të gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne bëjmë diskutime dhe bashkëbisedime me të gjitha palët dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në minutën e fundit”, është  shprehur Soreca. Megjithëse nuk duket ende të ketë sinjal për ndërmjetësues të posaçëm për krizën mes palëve politike, siç ndodhi më 2017-n, sërish Perëndimi skeptik që palët do të mund të arrijnë vetë një zgjidhje, ku me kalimin e kohës qëndrimet vetëm sa thellohen  dhe ku e vetmja përpjekje që rezultoi pa sukses ishte ajo e partive të vogla që i kërkuan presidentit Meta mundësimin e një tryeze Rama-Basha, kanë zgjedhur ndikimin në një formë tjetër, atë të presionit me çeljen e negociatave. “Boll më me zgjidhje ekstra që na kanë kthyer në po të njëjtat probleme ekstra”, do të shprehej Rama, në fund të prillit, por nëse shqetësimi prioritar i qeverisjes së tij është përgjigja që Shqipëria do të marrë në shtator, do t’i duhet ta rimendojë kompromisin me opozitën./ Gazeta Liberale

(Visited 3 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *