Kryesore

Të ngjashmit/ Libri i polemikave për letërsinë

               Publikuar në : 10:49 - 09/09/19 Minella Aleksi

Minella Aleksi

Përsëritja prej shumë vitesh e propozimit për Nobel të shkrimtarit shqiptar përbën një moment arsyetimi reflektues ndaj rolit të këtij shkrimtari në jetën shoqërore shqiptare. Opinioni i përgjithshëm dëshmon se kulturës shqiptare në këto 50 vitet e fundit i dha shkëlqim admirues, mbresëlënës gjenia krijuese e shkrimtarit Ismail Kadare.
Për cilindo shqiptar është mjaft vlerësues fakti që personaliteti i kulturës shqiptare At Fishta ka qenë anëtar i akademisë italiane të shkencave dhe arteve, (Qershor 1939). Kaq sa mbush me krenari qenia e këtyre personaliteteve të kulturës si pjesëtarë të këtyre akademive, po aq ndihet efekti i kundërt kur ndeshesh me opinione të cilat i kundërvënë krahasimisht këta kolosë kundër njeri tjetrit. Kryesisht janë pikësynime të caktuara, të mire studiuara, politike që nxisin dhe fërkojnë duart kur ky proces gjen përkrahës.

Janë dopak poet të viteve të fundit të cilët kanë hapur lulet e frymëzimit dhe përhapur polenin nëpër faqet e librave të tyre me poezi duke arritur që, nën petkun e krijuesit të ndrydhur në vitet e diktaturës të merren sot në konsideratë deri në atë masë sa, nëpër ekranet e panumërt televizivë që ofron Tirana sot, të shfaqen edhe si përcaktues të vlerave të atyre personaliteteve letrarë që konsiderohen shtylla të kulturës kombëtare. Keqardhëse është kur dëgjon ndonjë nga këta prej Shkodre si Primo Shllaku, i cili në mënyrë kategorike afirmon se mbi Fishtën nuk qëndron asnjë tjetër, ndërsa jezitin Kadare as mos ia zini në gojë, sepse ai, sipas Shllakut, nuk duhej të krijonte në vitet e diktaturës. Këtyre lloj poetësh u vijnë shumë në ndihmë miqtë e tyre, të cilët përpiqen e shkruajnë nëpër faqe interneti se Primo shllaku, poet p.sh., ishte aq konsekuent në rezistencën e tij përgjatë viteve të komunizmit, sa më mirë pranoi të mos thurte e publikonte asnjë varg se sa të konfirmohej me real- socializmin. Me këtë gjykim të shkurtër nuk u pajtuan të mëdhenjtë e kulturës franceze për letërsinë e Kadaresë në kohën e real- socializmit.
Shprehja e të tilla lajthitjesh vlerësuese letrareske, do na kish lënë pa ato vlera letrare e kulturore madhore kombëtare të krijuara të paktën në këto 100 vitet e fundit.

Të ishte për ata që shkëlqimi i emrit Kadare, i bezdis vështrimin do pranonim vetëdijshëm se At Fishta i letrave është i vetmi që meriton kurorë lavdie, por si të mënjanojmë nderimin që na bën Akademia e Shkencave Politike e Morale Franceze duke ulur në kolltukun e filozofit Karl Popper, të mbetur bosh, shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare! Anëtar të tjerë të huaj të kësaj akademie janë kardinali Ratzinger- Papa i sotëm, shkrimtari Vaclav Havel, mbreti Huan Karlos, etj. që plotësojnë numrin 12 të të anëtarëve të huaj.

Të paktën një herë në javë në shtypin e përditshëm shqiptar do gjesh shkrim, në të cilin përmendet emri i një prej personaliteteve më në zë të kulturës botërore, filozofit Karl Popper, i quajtur disa herë si Demokriti i kohës sonë.
Me rastin e pranimit si anëtar, shkrimtari Kadare përshëndeti akademikët francezë që e përfshinë në mesin e tyre dhe në fjalën e tij nderoi në mënyrë të veçantë personalitetin kulturor, filozofin Karl Popper, duke sjellë shembuj të mësimeve të Atij në lidhje me funksionimin e demokracisë në kohën e sotme.

Nëpër rreshtat e fjalës së Kadaresë në këtë tempull të kulturës ndjehet natyrshëm respekti për këtë kolos të mendimit botëror, boshllëkun e të cilit akademikët francezë e plotësuan me shkrimtarin shqiptar. Një pikënisje dhe vlerësim që cilido personalitet evropian do e kërkonte si kurorë lavdie.
Ulja e Kadaresë në fronin e akademisë së famshme dëshmoi edhe një herë atë që përsëriti shkrimtari se letërsia duke qenë universale qëndron përmbi regjimet politike.

Mirëpo ne njerëzit që kemi më shumë nevojë për Atë sikur e kemi harruar këtë fakt mjaft domethënës. Gazetaria vasale e politikës shqiptare e gjen mjaft komode këtë harresë dhe nuk mungon të na japi limonata politikanësh në vend të ushqimit jetik shpirtëror.

Shteti kërkon t’i shtypë shkrimtarët duke dashur t’u ulë rangun e lartë shoqëror, por ata i nënshtrohen ligjeve të artit të tyre dhe reagojnë ndaj kësaj shtypjeje duke kaluar në një gjendje gjysëmvdekjeje për t’u ringjallur në një vepër të re. Kështu na thotë shkrimtari në një nga librat e tij. Në këtë rrugë prej artit të madh kaloi vepra e disa prej emrave shqiptarë me status të lartë përgjatë diktaturës.
Për një vend, aq më tepër kur është i vogël pasja e shkrimtarëve të mëdhenj është si të kesh edhe një qeveri tjetër paralele. Këta personalitete të letrave i dallon dukshëm një veti nga politikanët. Të parët kanë prirjen e përgjithshme që sa herë lind nevoja e mendimit të tyre në funksion të një zhvillimi të caktuar shoqëror ata janë të prirur e të pranishëm me mendimin e tyre. Nuk ndodh kjo me ata që janë në pushtet. Këta nuk dallohen nga prirja për të kërkuar mendimin e lirë të shkrimtarit apo shkencëtarit. Janë aq të trembur nga mendimi i lirë sa nuk guxojnë as t’i afrojnë e jo më t’i pyesin. Qeveritarët tanë presin gjithë pompe këngëtarë e artistë të huaj duke u bërë edhe spektatorë qesharakë nëpër shfaqjet e tyre dhe nuk po na japin kënaqësinë që të paraqiten një herë të vetme në një tavolinë bisede mëngjesi në sallat e tyre të pritjes, shkëmbime mendimesh, me njerëzit më të nderuar të kulturës shqiptare. Kanë alergji nga mendimet e tyre të lira, konstruktive dhe me rrezatim perspektiv për shoqërinë.

Sa shumë gjëra do kishin shkuar mbarë në vendin tonë në këto 18 vjet nëse do ishin dëgjuar kërkesat, këshilla të tyre!
Presidentët tanë mjaftohen duke u varur dekorata në qafë dhe me kaq e konsiderojnë të mbaruar punën. Ndërsa pushtetarët janë të përditshëm me praninë e tyre ekraneve në sytë e njerëzve, shkrimtarët e shkencëtarët janë më të rrallë, madje shfaqen atëherë kur dhimbja shoqërore i afrohet pragut të mosdurimit. E thonë mendimin dhe ne lexuesve na qartësohet arsyetimi. Është njësoj si të të zërë një hall i madh familjar dhe nuk di si të veprosh e në këtë situatë paqartësie e vuajtjeje shpirtërore të afrohet një kushëri i cili ishte larg në hallin e tij e kishe kohë pa e parë por që, e ndjen mendërisht e shpirtërisht të afërt dhe të besueshëm në shpresën e një zgjidhjeje.
Karl Popperi dha mendime se si duhej të sillej politika me shoqërinë, veçanërisht në drejtim të kujdesit për mos abuzim me lirinë. Ashtu sikurse theksoi që ndërrimi i pushteteve duhet të bëhet në mënyrën më të qetë, pa gjak. Ai parashtroi mendimin se nuk duhet të kërkojmë gjithçka prej demokracisë, prandaj formuloi shprehjen – Mos i dëshpëroni popujt.
Shkrimtari dhe shkencëtari kërkohen dhe japin gjykime mbi politikën dhe shoqërinë, ndërsa politikanit nuk i kërkohet dhe nuk mundet ai që të japë një mendim se si duhet të zhvillohet letërsia apo një shkencë  .
Shpesh shkrimtari i madh e mban brenda tij edhe politikanin, e kundërta nuk ndodh.
Në Panairin e debatit parlamentar politikani shkon i shoqëruar nga një hije shoqëruese muskuloze sepse rruga e politikanit kalon përmes udhëkryqesh mashtruese, shkelje fate njerëzish dhe pasigurisë që mbjell një jetë e tillë.
Në Panairin e librit shkrimtari shkon i rrethuar nga admirimi i lexuesve autograf-kërkues sepse zhvillimi i veprës së atij përcjell ushqim shpirtëror të shëndetshëm për shoqërinë. Shoqëria buzëqesh kur sheh në rrugë shkrimtarin flokëthinjur e akademikun e letrave, piktorin e popullit e dramaturgun të cilët me hapin e ngadaltë në trotuar kërkojnë të shijojnë diellin dhe ecejakun e njerëzve që s’janë indiferentë ndaj tyre duke i shoqëruar me vështrime admiruese.

Nuk mund të anashkalohet moment i shembjes së diktaturës kur populli në sheshe mbante ngritur portretin e shkrimtarit. Urdhri për këtë akt i erdhi nga thellësia e shpirtit të tij të madh. Shkrimtarin ndjente më të afërt në këtë çast kthese, Atë shikonte si dritë perspektive shoqërore, ashtu si e kish ndjerë në ditët më të errëta të historisë së tij.

Çudi, asnjë portret të këtyre që sot kemi të varur nëpër mure zyrash shtetërore. Këta janë të përkohshëm, të paarritshëm në panteonin që ngre shpirti i popullit. Përfaqësuesit shpirtëror të popullit përpiqen që me librat e tyre të zhvillojnë mendimin e emancipuar shoqëror dhe përparojnë unifikimin, afrimin e njeriut, politika me politikanët më diabolikë të saj risjell herë pas here ndarjen Veri Jug .
Nuk kujtojmë se kush ishte ministër kulture në kohën kur shoqëria shqiptare kishte një të tillë e ndeshej me sfidat më serioze, por me kohë nderojmë njeriun e letrave, At Fishtën dhe të afërtit e tij në letrat e shkencat shoqërore, Atë që e përfaqësonte dhe zhvillonte kulturën shqiptare duke qenë shpirti i saj. Të ngjashmit e letrave dijnë të shprehin veneracion ndaj të njëjtëve të racës së tyre, e dinë mirë vendin e tyre dhe nuk kërkojnë të shtrihen e gllabërojnë hapësirën e tjetrit. Kjo ndodh për shkak se forca e shkëlqimit në letrat e kulturën e një populli nuk vjen nëpërmjet një votimi si në parlament, nuk vjen nëpërmjet një fushate premtimesh, nuk vjen përmes allishverishesh skutash zyrash shtetërore.
Ajo kalon nëpër filtrin e shpirtit të popullit dhe atje ku ndjehet më afër merr mirënjohjen e shkallës sipërore.

Jeta e pushtetit kalon përmes fate njerëzish, jeta e shkrimtarit kalon përmes fate personazhesh të marrë nga fatet e përditshëm që ka krijuar qeverisja e pushtetarëve. Vepra e shkrimtarit është një lloj instrumenti optik që i ofrohet lexuesit duke i dhënë mundësinë që të dallojë qartë, atë që pa librin nuk do mund të dallonte tek vetja e tij, thotë Prusti.
Ngandonjëherë dhe për disa që ushqehen me kulturë emri i një shkrimtari, titulli i një libri, tingëllon si emri i një atdheu./Gazeta Liberale

(Visited 46 times, 1 visits today)

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *