Editorial

Të mjera ato kohë kur të çmendurit udhëheqin të verbrit

Shkruar nga Liberale
Të mjera ato kohë kur të çmendurit udhëheqin të

Florian Çullhaj, PhD

Politika me P të madhe do të thotë të delegosh në vendimmarrje dikë që është kompetent. Sipas përfaqësuesve të Rilindjes të gjitha punët komplekse duhet t’u lihen në dorë ‘kompetentëve’. Ky është thelbi i demokracisë; për të administruar fondet publike në emër të tyre, njerëzit dërgojnë ata për të cilët kanë krijuar besim.

Në ditët  e sotme, me një ndarje të theksuar të punës, është fakt se jo të gjithë mund të bëjnë gjithçka dhe se është e nevojshme të mbështetemi herë pas here te njerëzit që janë më kompetentë në fushat përkatëse. Të mbështetemi te ata që dinë më shumë se ne. E gjithë kjo është e natyrshme dhe askush nuk e vë në dyshim. Por, cilat janë ato aftësi specifike që duhet t’i atribuohen një klase politike si përzgjedhëse e ‘kompetentëve’? Si delegohet vendimmarrja në mënyrë racionale tek dikush, ndaj të cilit më parë ke krijuar besim? A e vlerëson atë nga paraqitja, apo nga mënyra sesi komunikon?

Në nivel normativ, ja se çfarë duhet të ketë një klasë e aftë politike: Së pari, aftësi për të përzgjedhur dhe vlerësuar specialistët më të mirë që do angazhohen në administrim e shtetit; së dyti, aftësi për të kuptuar linjat thelbësore të veprimtarisë së specialistëve dhe për t’ia shpjeguar ato popullit, duke vepruar në këtë mënyrë si ndërmjetës. Në anën tjetër, në mënyrë që të dërgojë në qeverisje atë klasë politike që më së miri do të plotësojë kërkesat e tyre, edhe votuesi duhet të ketë disa aftësi specifike. Përkatësisht, në nivel normativ, votuesi duhet të jetë në gjendje të vlerësojë: Së pari, efektivitetin me të cilin klasa politike ka përzgjedhur dhe deleguar specialistët për të përmbushur interesat e vendit; së dyti, mënyrën se si vetë votuesi arriti të bëhej i kuptueshëm për klasën politike, mbi politikat makro që do të zhvillohen.

Në dritën e këtyre standardeve ideale, vlerësimi i emërimeve të  funksionarëve publik tash e gjashtë vjet të shkuara, kuptohet që nuk është një vlerësim i vështirë. Klasa politike që mbështet Rilindjen është ajo që e ka dorëzuar vendimmarrjen në duart e një individi të vetëm. Të përzgjedhurit e tij këto gjashtë vjet kanë bërë çudira, jo në cilësinë e ushtrimit të detyrës por në veprimtari korruptive e abuzime me detyrën në nivele të pakrahasueshme më parë. Ata, jo vetëm nuk janë ndëshkuar por janë mbrojtur me çdo mjet e mënyrë dhe dështimet e tyre flagrante janë shitur si suksese të veçanta. Nuk kish si të ndodhte ndryshe me një vertikalizim të tillë autoriteti, ku kuptohet hapur që kolegjialiteti dhe debati konstruktiv horizontal është kthyer tashmë në një veprimtari rudimentare e kësaj qeverie.

Rilindja është një klasë politike që ka dështuar në mënyrë sistematike, masive dhe pa asnjë ekuivok. Të dhëna të pakundërshtueshme janë në dispozicion të kujtdo, ku saktësohet se Shqipëria në të gjitha fushat ka përkeqësuar seriozisht performancën e saj në krahasim me qeverisjet e mëparshme. Për më tepër, të njëjtat të dhëna na tregojnë se Shqipëria ka humbur terren në krahasim me rajonin, duke përkeqësuar situatën e brendshme tashmë kritike dhe duke krijuar situatat të reja edhe më konfuze. (si për shembull, saga e ‘mini-shengenit’).

E gjitha kjo ndodhi pa asnjë ndërmjetësim – si një ndër standardet  normative për një klasë politike – për  arsyet reale të kësaj situate. E vetmja gjë që kemi kënaqësinë të dëgjojmë është propaganda kërcitëse e Rilindjes, e cila trumbeton se si kemi mbijetuar përtej mundësive tona duke qenë se ‘armiqtë’ e brendshëm dhe të jashtëm punojnë ditë e natë kundër interesave të Shqipërisë.

Megjithatë, lexuesi ka të drejtë teksa mendon se nuk është vetëm faji i qeverisë, sepse as populli nuk e bën detyrën e tij. Nëse populli do ishte me të vërtetë kompetent për të bërë atë që i takon, gjegjësisht, të gjykonte ata që qeverisin bazuar ekskluzivisht vetëm tek rezultatet e tyre, ai (populli)  do ta kishte eliminuar prej kohësh të gjithë kastën qeverisëse të sotshme.

Si përfundim, në vend të përmbushjes së standardeve normative për përgjegjshmëri politike në përzgjedhjen e admistratorëve të shtetit, ne akoma e shohim Rilindjen teksa vazhdon të na japë mësim për ‘cilësinë’ e qeverisjes së saj. Së bashku me Kryeministrin d. v. i cili, kompetencën e tij qeverisëse po e vërteton duke e shpënë shtetin Shqiptar drejt falimentit. Siç thoshte mbreti Lir, të mjera janë ato kohëra kur të çmendurit udhëheqin të verbrit./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH