Art & Kulturë

Të krijohet një akademi letrare mbarëkombëtare “Ismail Kadare”

               Publikuar në : 10:41 - 25/05/19 E Liberale

Prof. Dr. Agron Fico, fitues i çmimit të Republikës, studjues i mirënjohur në fushën e krijimtarisë popullore, autor i shumë librave, krijues i katedrave të gjuhës shqipe në Pekin dhe New York, i njohur ndryshe si “Profesori i tre kontinenteve”, i ka dërguar një promemorie z. Adnan Mehmeti, president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, të cilit i sugjeron krijimin e një akademie letare mbarëkombëtare që do të mbajë emrin e shkrimtarit tonë me famë botërore, “Ismail Kadare”, vepra e të cilit është botuar në më shumë 45 gjuhë të botës me 1301 botime.

Prof. Fico, i sygjeron z. Mehmeti që në atë akademi të përfshihen jo vetëm shkrimtarët dhe artistët e komunitetit shqiptar që jetojnë e punojnë prej kohësh në SHBA, por dhe intelektualë, gazetarë e publicistë amerikanë, të cilët kanë shkruar apo komentuar në shtyp, sa herë që veprat e Kadaresë janë botuar në SHBA.

Sipas promemories që z. Fico po e bën publike nëpërmjet gazetës “TemA”, qëllimi kryesor i kësaj nisme është që nëpërmjet asaj akademie letrare të hartohet një rezolutë e cila më pas do t’i dërgohet Komitetit Nobel në Suedi, që çmimi letrar t’i jepet shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare, çmim që ai e ka merituar prej kohësh por që i është mohuar padrejtësisht.

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Tiranë,23 maj 2019

PROMEMORIE

Zotit Adnan Mehmeti

President

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Nju Jork

Shkrimtarët shqiptarë në Amerikë janë bërë një faktor i rëndësishëm në jetën kulturore dhe publike të Diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata, me veprat e tyre të gjinive dhe llojeve më të ndryshme artistike-letrare, kanë dëshmuar se letërsia e krijuar prej tyre ruan lidhjet me traditën letrare kombëtare, por duke jetuar në një shoqëri demokratike kanë krijuar edhe vetë një traditë të re letrare dhe artistike.

Mjafton të përmendim prodhimin letrar të krijuar gjatë vitit të kaluar, 2018, me 29 tituj të llojeve të ndryshme, fakt që tregon se sa është rritur si sasi dhe cilësi kjo veprimtari letrare dhe artistike.

Madje mund të thuhet se Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është bërë truri dhe zëri artistik-letrar i gjithë kombit shqiptar nga modeli i organizmit dhe funksionimit të kësaj organizate, ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë shoqatat analoge pothuajse nuk ndihen.

I dashur zoti President,

Kjo “parathënie” e shkurtër dhe e thjesht më lejon që të parashtroj pranë Jush mendimin dhe propozimin e mëposhtëm:

Organizimin e një akademie letrare mbarë kombëtare kushtuar veprës së shkrimtarit të madh të kombit shqiptar, Ismail Kadaresë.

Siç dihet vepra e tij është botuar në 45 gjuhë të botës dhe përfshin 1301 botime.

Ky korpus madhështor ka merituar prej kohësh çmimin “Nobel”.

Padrejtësia ndaj Kadaresë është padrejtësi ndaj kombit shqiptar.

Kjo Konferencë e organizuar në Nju Jork duhet të përshijë figurat më të shquara inelektuale të kombit, por edhe intelektualë dhe gazetarë amerikanë, të cilët kanë komentur ose kanë shkruar artikuj sa herë veprat e Kadresë janë botuar në Amerikë. Madje, po të jetë e mundur edhe ndonjë senator ose kongresmen , miq aktiv të kombit shqiptar.

Ky aktivitet është mirë të mbahet jo më vonë se 10-15 shtatori, që të fitohet kohë për t’i kërkuar Komitetit Nobel të Çmimit Letrar në Suedi, nëpërmjet një rezolute nga ky tubim kombëtar, që t’i jepet çmimi i merituar Kadaresë sonë.

Një rezolutë edhe me firmat dhe emrat e personazheve amerikanë sigurisht e rrit kredibilitetin publik të kërkesës sonë. Dihet se çmimet “Nobel” për letërsi jepen në muajin tetor të çdo viti.

I dashur Adnan,

Jam i bindur se ju i ndiqni ngjarjet në Shqipëri dhe në Kosovë, me keqardhje shihet qëndrimi patetik dhe gati indiferent i Shteteve kryesore të Europës ndaj kërkesave e drejta të shqiptarëve. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe janë aleati dhe miku besnik i fateve të kombit shqiptar.

Ju njoh nga afër shumicën prej jush, kam nderim dhe besim se jeni shkrimtarë me gjak shqiptari, guximtarë dhe me besë kombëtare, që do të merrni përsipër këtë barrë dhe përgjegjësi.

Historia dhe kombi shqiptar do t’ju jetë mirënjohës përgjithmonë.

Me nderim dhe dashuri,

Prof. Agron F. Fico./ Marrë nga Tema

(Visited 18 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *