Editorial

Të gjithë në duart e kryeminsitrit dhe jo të drejtësisë

Shkruar nga Liberale
Të gjithë në duart e kryeminsitrit dhe jo të

Ervis Iljazaj

Liria e fjalës dhe media në  përgjithësi, tashmë nuk do të jetë më në  duart e drejtësisë por në duart e burokracisë  dhe burokratëve, të  cilët pa asnjë dyshim janë  të ndikueshëm nga pushteti politik i qeverisë. Kush mendon të  kundërtën, edhe pse AMA apo AKEP  formalisht janë  autoritete administrative dhe rregulluese autonome, atëherë  nuk jeton në  Shqipëri, por në  ndonjë vend skandinav. Mjafton të përmendim faktin se kryetari i ri i AKEP u emërua  ish shefi i protokollit të  kryeminitrit, për të  kuptuar se sa të  pavaruara do të  jenë  në  të  vërtetë  këto autoritete.

Në  këtë  kuptim, ai që në një  shtet të së drejtës duhet të  jetë  i kontrolluari, kryeminsitri  dhe qeveria e tij, kthehet me ligjin anti-shpifje në  kontrollor. Historikisht, përpjekja për të  ndërtuar një demokraci funksionale dhe një shtet të së drejtës, ka qenë gjithmonë  për të  patur institucione, mekanizma, lirinë  e shprehjes dhe të  mendimit, apo gjykata që  mund të  kufizojnë  pushtetin politik dhe të  garantojnë  liritë  dhe të  drejtat themelore të  njeriut pikërisht nga pushteti politik

Mirëpo, me këtë  qeveri po ndodh të rësisht e kundërta. Të  gjitha këto mekanizma, drejtësia, media, apo liria e shprehjes, jo vetëm që nuk po e kontrollojnë  dhe kufizojnë dot pushtetin politik, por ky i fundit është kthyer në  kontrollorin e tyre.

Dhe ligji anti shpifje nuk është  rasti i vetëm që  ndryshon rolet midis të  kontrollluarit dhe kontrollorit. Të  njëjtën gjë bën dhe ligji i famshëm  anti-KÇK, ku pushtetit ekzekutiv si policia i jepen kompetenca të  pushtetit gjyqësor.

Në një regjim demokratik, pushteti ekzekutiv nuk jep drejtësi, nuk kontrollon dhe as lufton korrupsionin në pushtetin gjyqsor, por ndodh krejt e kundërta. Ndër shekuj, përpjekja e shoqërive demokratike ka qenë pikërisht të ndërtojë institucione për të kontrolluar pushtetin, pra qeverinë. Në këtë kuptim, pushteti ekzekutiv nuk mund të kthehet nga objekt kontrolli në kontrollues. Sepse nëse ndodh kështu, atëherë nuk jemi në një shtet të së drejtës, por në një parti-shtet.

Gjatë 30 viteve tranzicion shqiptarët janë mësuar me politikën  që jep dhe bën drejtësi. Pikërisht për këtë arsye, me një sforco të madhe shoqërore, politike dhe ekonomike u aprovuar Reforma në Drejtësi, një nga reformat më të përfolura dhe që ka mbajtur peng shqiprinë për tre vite me radhë. Me shpresën se drejtësia e re do të vendos të bëjë drejtësi në mënyrë të pavarur, ndryshe nga sec jemi mësuar, ku kjo e fundit ka qenë totalisht e kapur nga pushteti politik.  Mirëpo, nëse drejtësinë e re e bën përsëri qeveria, atëherë cfarë ka ndryshuar nga 30 vitet e fundit me Reformën në Drejtësi?!

Problemi me qeverisjen e Edi Ramës nuk janë  ligjet, por fakti që  gjykimet se si zbatohen ato bëhen po nga vet ai dhe jo nga gjykatat apo organe të  tjera jashtë  ndikimit të  qeverisë. Në  këtë  kuptim, ajo që  po ndodh me ligjet që  ka aprovuar parlamenti kohët e fundit, është  se këto ligje po i lënë të gjitha pushtet në  një  dorë  të  vetme. I njëjti i aprovon, i njëjti i ekzekuton dhe i njëjti i gjykon.

Kështu që arbitrariteti që  po krijon kjo qeveri me këto ligje, është në kufijtë e një autoritarzmi shumë të  rrezikshëm për të ardhmen e Shqipërisë. Po të  shtosh këtu, që  në këto momente nuk ekziston as pushteti gjyqësor, as opozita e vërtetë  dhe një  president në  procedurë shkarkimi me një  vendim politik, atëherë  axhenda e qeverisë  duket sikur nuk  mund  të  ndalet me asnjë  mënyrë, përveçse po ndodhi ndonjë mrekulli që  nuk duket aspak në horizont. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH