Aktualitet

Të gjitha gabimet e Albin Kurtit

               Publikuar në : 22:31 - 13/05/20 liberale

Nga Enver Robelli

Pa marrë parasysh rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat u shkarkua qeveria e Albin Kurtit, fakt është: ai është kryeministër në detyrë që e ka humbur besimin e parlamentit. Madje me mbi 80 vota. Rrjedhimisht, Kurti që nga shkarkimi do të duhej të koncentrohej në kryerjen e punëve prioritare dhe jo të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Sot kryeministri mbajti një mbledhje për të treguar se sa i suksesshëm ishte gjatë 100 ditëve që nga zgjedhja e qeverisë së tij. Gjithsesi, disa suksese janë shënuar në tre muajt e fundit, mes tyre edhe ca përpjekje për të çmontuar sistemin nepotist dhe korruptiv. Jo pa arsye janë alarmuar partitë e vjetra, argatët e tyre dhe krejt llumi i profiterëve të pasluftës. Por në mbledhjen e sotme Kurti po ashtu e pa të udhës që në prani të ministrave të LDK-së të etiketojë partinë e tyre në mënyrë paushalle. Ishte një gjuhë e pavend, e panevojshme dhe e padenjë për një kryeministër.

LDK si parti ka pothuaj aq fuqi parlamentare sa ka edhe VV. LDK si parti ka mëkatet e veta. Është shkruar e thënë shumë për këto mëkate të saj muajve dhe javëve të fundit. Çmimin për skandalet e saj kjo parti e paguan në zgjedhje. Nuk i takon Albin Kurtit të merret me atë çmim në mbledhje të qeverisë. As të merret me “politika kadrovike” në LDK. Betejat politike mes partive mund të zhvillohen jashtë kabinetit qeveritar, jo në kabinet. Ajo është qeveri e krejt Kosovës, jo e VV-së. Në kabinetin qeveritar kryeministri nuk ka të drejtë të etiketojë partinë e ministrave me të cilët qeverisë. Kabineti nuk është stadium për fushatë elektorale. Shumica e ministrave nga LDK janë profesionistë, të besueshëm dhe seriozë, madje disa larg më të mirë se ndonjë ministër që e ka emëruar Kurti nga radhët e partisë së tij. Vetë Kurti ka thënë se qeveria do të punojë si ekip dhe në qeveri nuk do të këqyret se kush nga cila parti vjen. Sot Kurti – jo për herë të parë – u soll në kundërshtim të plotë me atë që ka propaganduar, u soll si shtrembërues parimesh e premtimesh sipas interesave të ngushta të partisë së tij.

Edhe nëse një ditë Kurti e realizon ëndrrën e tij të madhe që të mos ketë fare nevojë për asnjë partner koalicioni (çka do të ishte keq për demokracinë e brishtë kosovare), Kosova ka nevojë përherë për opozitë të fuqishme dhe të reformuar, e cila nesër ose pasnesër ose një ditë mund të marrë pushtetin dhe të qeverisë më mirë se pozita, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë. Në vendet demokratike duhet të ketë përherë opozitë si korrektuese të pushtetit. Një pushtet që synon që qeverisë mirë duhet të ketë interes të përballet me opozitë serioze.

Gjithsesi, me këtë udhëheqje LDK do ta ketë vështirë të entuziazmojë votues përtej korpusit të saj tradicional që përfiton direkt nga sistemi. Por as kjo parti në aspektin afatmesëm nuk do të mund t’i rezistojë presionit të votuesve të saj për të ndryshuar. Kush nuk ndryshon dhe kush nuk rinohet në udhëheqje me figura të reja dhe të popullarizuara, nuk ka të ardhme politike në Kosovë. 20 vjet pas luftës vota nuk fitohen më me citate të Ibrahim Rugovës, as me premtime se kur të vijë LDK në pushtet do ta kthejë flamurin dhe himnin e Rugovës (të dy këto premtime i ka bërë para disa viteve Isa Mustafa, por, nejse, kush bëhet merak për pallavrat e djeshme elektorale). Të rinjtë e Kosovës kanë halle të tjera. Dhe këto halle prej vitesh po i detyrojnë ata të largohen nga Kosova.

Sido që të ndodhë, nuk është detyrë e Albin Kurtit që në mbledhje të qeverisë të merret me LDK-në. Le të merret me problemet brenda partisë së tij, ku, siç u pa së fundi, u dorëzua përballë presionit popullist të militantëve dhe e largoi nga puna një këshilltar politik, Shkëlzen Gashin, i cili nuk bëri asnjë sakrilegj. Tha se disa individë nga pala shqiptare mund të kenë kryer krime gjatë dhe pas luftës. Sa për kujtim: kanë qenë deputetë të VV-së që i kanë akuzuar direkt prijësit e PDK-së se në luftë kanë zhdukur veprimtarë të çështjes kombëtare. Kishte ministra të VV-së që për të luftuar Gashin (dhe mbase edhe Kurtin) dezinformuan opinionin.

Sa ishte në opozitë Kurti përherë ka theksuar nevojën e emancipimit politik të Kosovës dhe kufizimin e rolit të ndërkombëtarëve. Këtu ai ka shumë të drejtë. Mbi 20 vjet pas luftës, mbi 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë është absurde që për zgjidhjen e çdo krize politike të pyeten ambasadorët dhe autoritetet e tjera ndërkombëtare. Çfarë po bën Kurti pas shkarkimit? Gati çdo ditë po dërgon letra duke u ankuar gjithandej nëpër botë për atë që i bëri vaki. Kjo nuk e krijon përshtypjen e emancipimit politik. Sado e padrejtë sjellja e LDK-së, hallet politike të Kosovës nuk ka për t’i zgjidhur asnjë deputet nga vendet e BE-së. (Ata janë zgjuar nga gjumi vetëm pas tollovisë së shkaktuar nga Richard Grenelli).

Jo fort e mençur është edhe strategjia e Kurtit për të dhënë intervista në mediat ndërkombëtare (Foreign Policy, The Economist etj), ku kritikon administratën e tanishme në Washington për rrëzimin e tij. Sado skandaloze të jenë sjelljet e kësaj administrate, dhe kjo është e ditur, kryeministri duhet të mbajë qëndrim të matur dhe të përdorë gjuhë diplomatike në relacion me botën e jashtme, në këtë rast me vendet që janë bashkëthemeluese të shtetit kosovar. Kosova është vend i vogël dhe i pafuqishëm, siguria e të cilit varet nga garancitë e shteteve perëndimore, të cilat në dy dekadat e fundit këtij vendi ia kanë hequr pampersin për t’u rritur.

Të gjithë kemi qenë dëshmitar se si është “ngulur” Edi Rama. Më 2016 ai tha se Donald Trumpi është “turp për civilizimin tonë” dhe e akuzoi kandidatin e atëhershëm republikan për president për retorikën e tij antimyslimane. Thua ti që një politikan nga Tirana i ka edhe çelësat e Mekës dhe është i mandatuar nga profeti Muhamed për mbrojtjen e myslimanëve gjithandej. Më vonë, pasi u zgjodh Trumpi president, kryeministri i Shqipërisë mezi priste të shpërndante postimet e John Boltonit në Twitter. Ajo fjala e bukur shqipe “dija hallin vetes” nuk ka qenë kurrë më e kërkuar. Politikanët shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë nuk duhet të inspirohen nga udhëheqës si Rexhep Taip Erdoani. Turqia luan në ligë tjetër të politikës ndërkombëtare dhe nganjëherë (jo përherë) i lejon vetes edhe konfrontime me partnerët perëndimorë, ne s’luajmë as në ligën ballkanike.

Vende të fuqishme si Gjermania kujdesen që të mos i acarojnë raportet me Washingtonin. Në tetor të vitit 2013 (atëherë shef në Shtëpinë e Bardhë ishte Barack Obama) u bë e ditur se shërbimi sekret amerikan NSA ka përgjuar telefonin mobil të kancelares Angela Merkel. Kancelarja nuk doli nëpër gazeta vendore dhe ndërkombëtare për të bërë fushatë kundër Obamës, por u mjaftua me fjalinë: “Përgjimi mes miqve nuk bën fare”. Edhe me Donald Trumpin kancelarja ka shumë mospajtime, por përpiqet të menaxhojë disi situatën pa thyer pjata. Po të varej nga shumë politikanë gjermanë, Richard Grenelli nuk do të ishte as rojtar në ambasadën e SHBA-ve në Berlin. Por kështu është raporti i forcave, kështu janë raportet mes shteteve dhe kështu, brenda këtyre raporteve, shtetet dhe politikanët përpiqen të manovrojnë, duke matur fjalët dhe duke kalkuluar dëmet dhe shmangien e dëmeve. Në këtë fushë Albin Kurti ka ende çka të mësojë.

Si përherë e vërteta është një mozaik me shumë gurë. Raportet me SHBA nuk ka mundur t’i prishë Albin Kurti për tre muaj më shumë se i kanë prishur me keqqeverisje PDK, LDK dhe AAK për dy dekada. Andaj, klithjet e Isa Mustafës dhe shërbëtorëve të tij se Kurti dëmtoi “më së shumti” raportet me SHBA-në janë propagandë primitive. Kryeministrit paraprak me muaj të tërë nuk i është dhënë viza për të shkuar në SHBA. Raportet me SHBA-në janë dëmtuar nga partitë e vjetra që kanë ndërtuar një sistem korruptiv dhe nepotist (siç po shihet te shembulli i ndarjes së terminaleve doganore, një shembull mes qindrave). Në këtë sistem LDK nuk është parti me duar të pastra. Qeverisja e keqe në të kaluarën ka ndikuar që SHBA-të të heqin dorë nga përkrahja aktive e Kosovës në rritjen e njohjeve.

Meqë LDK po vajton shumë këto ditë për shkeljen e Kushtetutës nga qeveria e Kurtit (gjithsesi veprim jo i mirë), ndoshta nuk lëndohet kryetari i LDK-së nëse i përkujtohet se me nënshkrimin e tij ai me naivitet kolosal ka pranuar krijimin e një “republike serbe” brenda Kosovës, synim ky që u bllokua në pjesën më të madhe nga Gjykata Kushtetuese. Raportet me SHBA-në i kanë prishur ata zyrtarë të PDK-së dhe AAK-së që gjenden në lista të zeza në Washington dhe me të cilët Isa Mustafa nuk e ka fare problem të qeverisë. Edhe në të ardhmen.

Konflikti mes VV-së dhe LDK-së, ngacmimet, sulmet, përçmimet që ia bëjnë njëra-tjetrës, në thelb, tregojnë se mosbesimi mbetet i madh dhe në të dy partitë pjekuria politike nuk ka arritur ende nivelin e duhur. Po ta kishte arritur nivelin e duhur pjekuria politike, sjellja kryengritëse dhe skandaloze e ministrit të Brendshëm nga LDK do të menaxhohej më mirë nga partnerët e koalicionit dhe nuk do të kishte ndodhur kjo që ndodhi: shkarkimi i qeverisë gjatë pandemisë. Këtu përgjegjësinë e bartin të dy liderët. Se cili ka faj më shumë, kjo është punë e matësve të fajit nëpër partitë e tyre. E vërteta është se Kosova u fut në një krizë të thellë politike kur gjendej para vështirësive të mëdha si pasojë e pandemisë. Dhe kjo gjendje e vështirë do të vazhdojë. Sepse virusi nuk e ka ndërmend të largohet nga Kosova. Por as kultura e keqe politike.

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back