Aktualitet

Të dërguarit perëndimorë nga Prishtina në Beograd, Lajçak flet për propozimin pas takimit të gjatë me Albin Kurtin

Shkruar nga Liberale
Të dërguarit perëndimorë nga Prishtina në Beograd,

Të dërguarit perëndimorë po vizitojnë Kosovën dhe Serbinë si pjesë e përpjekjeve të tyre të vazhdueshme për të zbutur tensionet dhe për të ndihmuar në sigurimin e një marrëveshjeje pajtimi mes dy palëve.

Të dërguarit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Francës, Gjermanisë dhe Italisë janë takuar me kryeministrin Albin Kurti, në Kosovë. Ata planifikojnë të shkojnë në Beograd më vonë gjatë ditës për t'u takuar me presidentin Aleksandar Vuçiç, për të hedhur hapat e mundshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

Pas më shumë se dy orësh bisedimesh "të gjata, ... jo të lehta, por ... shumë të sinqerta, shumë të hapura" me Kurtin, i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak tha se ishte shumë herët për të njoftuar ndonjë zhvillim dramatik mbi propozimin e  paraqitur në Prishtinë dhe Beogradi vitin e kaluar.

“Ne kishim pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim,” -  tha Lajçak, ish-ministër i jashtëm i Sllovakisë. – “Shpresoj se do të arrijmë atje, në kuptimin dhe përdorimin e plotë të potencialit të këtij propozimi.”

BE-ja ka kaluar më shumë se një dekadë duke ndërmjetësuar dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Asnjë detaj i propozimit të fundit nuk është bërë publik. - “Ne jemi në mes të misionit tonë dhe vazhdojmë për në Beograd,” tha Lajçak.

Muajin e kaluar, fuqitë perëndimore morën pjesë në zgjidhjen e një situate të tensionuar në veri të Kosovës, ku serbët ngritën barrikada në rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë serbe.

Situata në veri mbetet e paqëndrueshme. Vetëm disa dhjetëra policë të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, i njohur si EULEX, po kujdesen për sigurinë e zonës pasi të gjithë përfaqësuesit etnikë serbë dhanë dorëheqjen nga postet e tyre në nëntor.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Serbia, me mbështetjen e aleatëve Rusinë dhe Kinën, ka refuzuar të njohë shtetësinë e Kosovës, e cila është pranuar nga SHBA-ja dhe pjesa më e madhe e Perëndimit.

Sulmi i përgjakshëm i Serbisë kundër separatistëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1999 përfundoi me një bombardim 78-ditor të NATO-s, që gjithashtu dëboi trupat, policinë dhe forcat paraushtarake serbe nga Kosova.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH