Kryesore

Tatoci dhe kinemaja e harruar

               Publikuar në : 10:12 - 17/10/20 liberale

Vladimir Myrtezai

I gjithë ky rrëfim vjen nga një kohë që është e paimagjinueshme sot; nga realitete të ëmbla ku nuk ka garë për të kapur fundin, por si një realitet në dukje i përsosur nën një regjim të mbyllur krejt e përkrejt, ku nuk ndjen ankth, dhe fatin e ke të mirëpërcaktuar që më parë. I dorëzuar krejtësisht para këtij kushti, të duhet të ndërtosh ecejaken e mbijetesës me pikatoret e kënaqësisë njerëzore, duke sfiduar gjithçka që të rrethon: vendndodhjen, kohën paralele, llojin, mundësitë e projektuara e shumëçka tjetër. Njerëz të ndodhur në një konflikt pa mundësinë për të zgjedhur, por me një formë të dukshme për t’u përmbushur në misionin e tyre si qenie rastësore në udhë. Një lloj njeriu mahnitës për të lundruar në kohë nga ajo më sublimja si pa objekt e përmbushje kënaqësish, bash e krejt si një vepër arti.

Ndryshimet e shpeshta klimaterike nuk bënin gjë tjetër veçse ndryshonin pjesën shoqëruese të personazheve tashmë mitikë në qytetin verior. Qyteti vetë merrte formën e zhvendosur dukshëm të këtyre personazheve, që në fakt qenë fryma, forma e të menduarit dhe energjia e shpërndarë në atmosferë që ndërtonte më pas klimën e përshtatur mes psikozës njerëzore e përshtatjes arkitektonike si shtojcë e saj. Dukej që vetë format e urbanistikës, të hibridizuara, propozonin edhe skenarë nga më të mrekullueshmit në shtresën dhe zhargonin e shpërndarë njerëzor. Kështu, sikur i ftonin personazhet të jepnin zë, tinguj dhe batuta si stoli për ngjarjet.

Tatoci qe pozicionuar në kohë të përshtatshme e të papërshtatshme njëherësh; në pozicion gjoje. Ai përdorte një biçikletë të markës italiane “Bianki”. Në kokë hidhte një kapele republike. Me damar të kërcyer, trup eshtak dhe një stërmasë miopie në sy që e detyronte të mbante syze si fund kavanozi. Duke qenë se i pëlqenin ëmbëltoret, miksonte gjëra të pabesueshme në ushqim. Kishte gjithnjë një të qeshur që të ngjitej në kujtesë dhe nuk ruante kufij moshe në emër të përshtatjes me këdo e gjithandej kapte syri tij. Ai shpërndante një energji-lëvizje që të linte pa mend. Futej lehtësisht në bisedë dhe shquhej për një shpirt bredharak. Nga profesioni qe revizor në një ndërmarrje rrobaqepësie, e dominuar me gra si krah pune. Atij i pëlqente të shoqërohej me atë që quhej (në formë të pashpallur, e padekretuar me vendim e vulë) “elitë” e qytetit. Shoqërohej me personazhe të njohur e të veçantë dhe frekuentonte shpesh estradën e qytetit. Ishte i divorcuar, por që, me kompromis, apartamentin e tij e ndante me ish-gruan, dhe padyshim, në netë të vetmuara, teatrin e rrugës e kthente në shtëpi për të hyrë në krevatin e ish-gruas për nevoja të ngutshme, sa herë që, me sa dukej, nuk i kontrollonte dot hormonet. Kur ky personazh nisi t’i mungonte qytetit seriozisht, në formë të besueshme thekët, nga një rrëzim prej biçikletës së tij legjendare, pa mëdyshje që, dëshpërimisht, qytetit do t’i mungonte një perlë nga anonimati i zgjeruar njerëzor.

Një karakter në përsëritje të postuar e të shumëfishuar, që nuk e zëvendësonte dot asnjeri. Një njeri unik, që po ta zhvendosje në kohë, krahasuar me shumën e karaktereve që e rrethuan, ai do qe nga më të papërsëritshmit në llojin dhe ngjyrën e vet. Të dukej sikur ndalonte kohën, dhe kjo e fundit humbiste karakter, strukturë, rregull dhe formë, ç’trajtësohej fundekrye. Të jepte përshtypjen sikur jetonte dyst e i ngopur nga mirësitë që i kish dhuruar jeta.

Nuk se ishte vetëm në gardën e ngjyrtë të njerëzve pikantë e të rrallë, që krijohen në një opinion qyteti si stampa publike njerëzish të përveçëm; por qe ndjellës tipik, si një kundër-harresë. Ishte kripa mes një shtrese njerëzish të zakontë, endacak që çlironte liri në rrugë.

Kaq shumë e dashuronte natyrën femërore, saqë të bënte të ndiheshe keq, për të kqyrë e vënë në dyshim vetveten në raport me këtë vështrim. Fakti që punonte në prani të një shumësie grash, nuk se e shuante urinë e tij për të qenë në  plot patos në marrëdhënie me femrën. Çudia vetë…

Ai manifestonte një uri, vëmendje dhe përkushtim që të linte pa arsyetim, pa përmendur faktin që tanimë i kish mbushur të tetëdhjetat. Nuk përpiqej të kërkonte asnjë raport dukjeje dhe inteligjence nëpër biseda mbi epikën e historisë së zonës ku jetonte.

Lundronte thjesht, si nomad, me tërheqjet e instinktit dhe gjërave të vogla që mbushnin ditën. Nuk kish dyshime për riprodhimin, për pasardhësit, pasi i kishte dhënë karar me kohë e me vakt kësaj dileme. Nuk qe as egoist apo në delir ndikimi prej një rrethi të caktuar shoqëror. Nuk shqetësohej më për asgjë, por vetëm për ta jetuar atë kilometër katror që i përkiste, në atë gropë të zgjedhur fatalisht, të cilës donte t’ia thithte të gjithë nektarin njerëzor, pa dallim race, feje apo prejardhjeje. Thjesht e ndjente se ishe në zonën e zulmës së panjohur që ai pëlqente, dhe me kaq ushqehej e mjaftohej.

Miqtë e tij (në fakt, dukej që përveç konsumit të gjërave elementare, të ndoca përshëndetjeve të zakonshme, nuk i interesonin) s’e kishin dëgjuar asnjëherë të ankohej apo të shkaktonte një bisedë a një mjedis dramatik, jo dhe vetëm jo. Tatoci qe një ajër i lehtë gazmor, që shpërndante dhe i jepte qytetit një ngjyrim të lumtur, aq sa të lejon një shoqëri në rrugë, për të ndarë një batutë, një humor apo dhe një përshëndetje rastësore, njerëzore, tepër njerëzore.

Ja pra, ky ishte Tatoci – një brengë e mundësisë, një shkaktar i njerëzores. Sfondi i tij në gjasmim lumi ishte bulevardi i shëtitjes, pjaca.

Lumi i njerëzve sa vinte dhe shtohej në mbrëmje. Kishte një ritual të përnatshëm në një ndarje statike dhe të përsëritur. Xhiroja e mbrëmjes në qytetin verior qe një tjetër formë e manifestimit të shumicës në veprime të përbashkëta, një aleancë e paralajmëruar mes tyre për të kryer ritin e të parit në pjacë. Aty ndodhnin shkëmbime nga më interesantet për domethënien e bashkësisë. Të parët qenë çiftet e konsoliduara në martesë, që kryenin ksehasjen e mbrëmjes, por dhe relaksoheshin duke riparë çifte të tjera binjakë, të pandryshueshëm në dukje, dhe provonin se asgjë e pamjeve të para nuk kish ndryshuar. Të tjerët qenë beqarë të vonuar, që ripërsëritnin në mënyrë të domosdoshme dashurinë e tyre të fshehur për zonjat që parakalonin në bashkësi, dhe i jepnin sigurinë e vazhdimësisë për lidhjen e tyre. Po të tjerët ishin të sapoardhurit në qytet, që shijonin këtë formë të dukshme të traditës, disi e dalë kohe, por gjithsesi ruante një ngrohtësi të veçantë njerëzore. Dhe të tjerë qenë një shumë spektatorësh të fshehur pas kanateve të dritareve të drunjta, ku ky ritual ishte pjesë e rëndësishme e mbarimit të ditës për të gjitha hamendjet në vizatimin e turmës, në një apel të rreptë mungesash apo të shtimit të njerëzve të rinj.

Kjo qe bota e vogël në qytetin e veriut, në një shkas sugjestionues, përkundër njëri-tjetrit, në një varësi të përbashkët e të shkumëzuar njerëzore. Me tej kishe të bëje me punë, pamundësi, ekonomi e vogël, pafuqi, rituale fetare pas perdes, arsye shëndetësore dhe një pamundësi e qartë e të bërit dashuri dhe akte të lira me çdo kusht. Një bashkësi që s’mund t’i shkëputeshe lehtë, dhe aq më pak ta braktisje e ta shpërfillje. Një rrëke njerëzore që do mund të lëkundte a të shkundte qoftë edhe një sistem por jo traditën e trashëguar tashmë të qytetit.

Qyteti qe mjaft tërheqës dhe kish ndarjet e veta, si në njerëz, si në zakone, po ashtu edhe në psikën e lidhur ngushtë me atë çfarë i rrethonte si ajër apo atmosferë.

Një zhvillim tjetër që buronte nga këto kushte dhe ravijëzonte skenën qe edhe kinemaja, rreth dyqind metra pranë kishës dhe pjacës së qytetit; si e vetmja dritare për të bashkëshoqëruar ëndrrën e secilit në trajtë vetëpasqyruese. Një gropë imazhesh dhe iuzionesh të larta, ku njerëzit krijonin realitete paralele dhe stimuj të lakmueshëm për të përpunuar të ardhmen. Kinemaja qe një tjetër pasqyrë për të imituar jetën, në një situatë pamundësie në hapje; për të mësuar si dashurohesh dhe si do mund të jesh mbinjeriu që shpëton një shpirt të lirë – një gjë e jashtëzakonshme. Ky territor tjetër i qytetit qe i shkëputur nga format tipizuese, si ajo e pjacës apo e xhiros së mbrëmjes. Kishte një vertikalitet më të theksuar dhe dukshmëri agresive personazhesh që e dominonin. Këtu qenë të dukshëm djem të rinj, të fortë dhe herë matrapazë, pasi bëhej fjalë për një tjetër rit drejt pushtimit në publik. Disa nga këta rrinin në të gjitha turnet që shfaqej një film, dhe bënin të fortin në blerjen e biletave. Të vajturit në kinema ishte një histori më vete, ashtu siç është edhe dalja prej saj. Projektoheshin filma joshës, me luftë e me histori, me legjenda etj. Legjenda e Eneas, Troja, Trimëritë e Herkulit, Tre musketjerët, Fanfan Tulipan e kështu me radhë. Filma me tradhti dhe fitore të heronjve pozitivë, si dhe me dashuri, një tjetër stimul eksitues në kinemanë e qytetit. Kudo flitej për një film të porsadalë, për të cilin rrëfehej në të gjithë mënyrat. Njerëzit sajonin epitete, pseudonime dhe emra që ua ngjisnin fëmijëve, dhe kur lëshonin shtat, edhe flokëve u jepnin forma si të atyre nëpër filma. Edhe femrat e çupëlinat pikante ushqeheshin me modele të qëruara për të tregtuar sadopak ojnat dhe bukurinë e tyre. Qe një ngasje e ëmbël brenda rrethit. Prodhoheshin gati dhjetë filma në vit me subjekte të kësaj natyre, dhe e gjithë bashkësia qe e magjepsur me këtë dritare lumturie. Më kulminante qe pjesa se si disa të fortë, për të siguruar biletat, çanin nga lart me bërryla turmat e grumbulluara në sportele; trupa të zhveshur e të dirsur, duke promovuar si fuqinë, ashtu edhe fizikun e tyre, që po hynte në fazën e pjekjes. Ky çast qe magjepsës, se të gjitha femrat e qytetit kishin mundësinë e një preludi modelesh të njerëzve me emër në qytet si të fortë dhe dashnorë të pushtetshëm, dhe puploheshin që aty, pa filluar shfaqja në kinema. E pashpjegueshme, si në kohërat antike, drejtpërdrejt, në një shkëmbim force të mishtë për të dominuar psikën e turmës.

Shpesh shkoja dhe e ndiqja me zili këtë spektakël, duke e menduar veten si triumfues në çdo arritje në marrjen e biletave me forcë. Qe një ëndërrim mbi të pamundurën, që e kisha vuajtur për gjithë jetën. Pasi isha i brishtë e jo muskuloz dhe i urreja radhët.

Tatoci ishte i pranishëm në të gjitha skutat dhe skenat e argëtimit njerëzor.

Vendi ku qe e vendosur kinemaja kish një tjetër shkak të rrallë, që e bënte edhe më të çuditshme dritaren e kinemasë. Përballë saj qe një godinë e kuadratizuar, që quhej Shtëpia e Oficerëve, një lloj banese në formë hoteli, ku banonin ushtarakë. Pikërisht për këtë arsye, ngjyrave dhe formës pikëlluese të pritjes për të hyrë në kinema i shtohej edhe një tjetër ngjyrë e ashpër, ajo e ushtarakëve, që shpesh ndjeheshin shumicë përballë kinemasë, dhe e shtonin edhe më mbledhjen e një dufi të fortë përballë pasqyrës së ëndrrave që ajo reflektonte.

Krejt rastësore, për të ndihmuar krahasimin, shpesh vinin tabore ushtarësh të organizuar në kinemanë e qytetit, dhe krijonin një dendësi roitëse dhe një hapësirë të pamjaftueshme për t’i shpëtuar një zallamahie dhe popullimit të banjove të kinemasë si asnjëherë më parë. Pastrueset e kinemasë kishin punën më të madhe, pikërisht në vizita të këtilla kolektive, dhe shfrynin sa majtas-djathtas, por dhe përftonin një eksitim të vagullt për përmasën mashkullore që sundonte ditët e këtij disproporcioni masiv të njëanshëm.

Pak më poshtë, djathtas, qe konvikti i famshëm i studentëve nga krahinat e veriut, kurse përballë Kulla e Markagjonit, një ndërtim në mbaresa të arkitekturës osmane, me një kullë vrojtimi mjaft të lartë dhe një odë burrash në krye. Qyteti qe i organizuar si në një sistem fortese, pasi hyrja e saj që në fillim, në krah të kështjellës, kishte një qendër artizanale zejesh dhe shërbimesh. Ishte si një oazë mbrojtëse për të mos e lejuar pushtuesin, kalimtarin apo të huajin për të depërtuar në zemër të qytetit. Në këtë prizëm gjërash ekzistonte edhe një parapritë e mbrojtur mirë nga dy krahë ujorë: nga një lumë dhe nga liqeni në anën tjetër.

Kafenetë qenë një histori edhe më tërheqëse, sepse nuk ishin të shumta në numër, por esenciale dhe tipike në jehonën e tyre me bëma, ndodhi dhe me karaktere atipike. Kafja e Madhe qe një pikë strategjike, si zemra e qytetit, e mbështetur në krahë nga një varg ndërtesash të një shtrese tregtarësh që lëviznin e tregtonin në Mesdhe, dhe për këtë fakt, fryma e ndikuar  me elemente barokë e bënte edhe më të shënjuar për mbamendjen. Grupi i orkestrës që luante çdo ditë në Kafen e Madhe qenë një tjetër kapitull me histori dhe karaktere që nuk mbaronin, si të pashtershëm.

Qyteti i fotografuar në fantazinë dhe përjetimet e një fëmije kishte fatin e një

ç’fokusi të ëmbël, jo objektiv në ruajtjen me saktësi të përshkrimit të tyre; por kishte edhe një kundërfakt arti, pasi e njësonte dhe merrte e jepte shenja të mjafta thelbësore nga ky qytet. Qe një flirt i fshehtë nga dashuri të pashpallura marrëdhëniesh diskrete, dhe çfokusi e bënte më të përgjithësuar dhe unikale tablonë. Shenjat virtuoze të përjetimeve me persona e personazhe pothuaj mitikë dhe ekstremisht çudanë, e mbante edhe më në traumë e mungesë qetësie ngjarjen e shtrirë qytetase.

Fokuset e dritës për të zbuluar këtë trup të shtrirë sa gjerë-gjatë, në një plastikë rrjedhëse dhe me mizanskena nga më të çkoduarat për nga kalimi i dritës, sa nga njëra gjendje në tjetrën, të jepte ndjesinë e strukturuar të një objekti të lakmueshëm për të ndriçuar ngjarjen – ngjarje e zakontë nga njerëz të pazakontë, sikundërse shpërthenin edhe ngjarje të jashtëzakonshme nga njerëz të zakontë.

Çdo gjë qe para sysh me projeksionet e virgjëra e të freskëta, të stimuluara nga një shtysë e fuqishme që mund të shkaktohet nga spazmat e kujtesës, pothuaj në marrëzi, që shkaktonin një akt të pashembullt shënjimi në truallin e rrëfenjës njerëzore.

Gjithnjë më dukej se me kast, fati më kishte sjellë në këtë qoshk të zhvendosur në kohë, për të shënjuar me mprehtësi gjërat që i kam parë e dashur si një lëndë e rrallë.

Unë jam fati im në sprovën për të qenë dëshmitar. Ndihesha i përkëdheluri i tij: se si realiteti i ngjan motamo një vepre arti.

Një qytet me targat e tij të karaktereve të rrugës që lëviznin si me automat në rutinën e qytetit të kudogjendur e aktivë në një lëvizje të përsëritur e dëshira të zgjuara dhe në një marrëdhënie të shumëfishtë fijesh të padukshme që bënin atë rrjetë të zbardhur nga dritat e arsyes që vetëm ata kishin të drejtën ti merrnin përsipër a ngjyronin dosido. Një lloj jete me magnet e të sinkronizuar marrëdhëniesh e kodesh të pazbuluara lehtë .Qyteti me një kinema e shumë aktorë të pashpallur që luanin dramën e tyre në këtë kurth njerëzor. Tatoci dhe shumë të tjerë ishin dilema vullneti dhe dëshirat e lexuara të sipërfaqes që për fat ishin të hapur e luanin në publik çdo gjë që i kish afruar jeta pa teklif e pa drojë duke e përsëritur jetën në shfaqje të hapur e në delir të pambaruar të asaj që i themi frymëmarrje jete .

Qyteti verior kishte shumë të pangjashëm në dekorin e karaktereve shetitës e publikë ata shfaqeshin nganjëherë si përjashtim i një shumice të mbyllur e të konservuar në halle të padukshme e kalime nga ato njerëzoret që jetojnë në mungesë drite e gjysmë terr. Por këta të dukshmit qenë të mjaftueshëm në dekorimin e jetës qytetase e plot dritë e humor ,që në ag të lindjes së diellit e deri në perëndim të saj. Ishin gëzimi i një qyteti nganjëherë të zymtë për nga shirat, ftohtësitë e motit apo ngrehinat e kuadratizuara e uniforme arkitektonike. Por gjithshka përmbysej nga të tillë personazhe që i jepnin jetë, nënshtresë e lym njerëzor një kohe që do mund të parakalonte sa herë të donte në të gjitha format e saj edhe ushtarakisht nëse duhej .Por prap kish diçka shkundëse që e nxirrte nga lëkura e zymtë pikërisht për këtë shkak të lindur thellësisht njerëzor. Si qytet i humorit të përditshëm e të rrallë. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back