Aktualitet

Tatimet apel bizneseve: Nisni fiskalizimin!

Shkruar nga Liberale
Tatimet apel bizneseve: Nisni fiskalizimin!

Administrata tatimore ka nisur një fushatë informimi lidhur me procesin e rëndësishëm për biznesin, atë të fiskalizimit. Pjesë e kësaj fushatë ishte forumi i organizuar me Dhomën Amerikanë të Tregtisë. Kreu i Dhomës z. Enio Jaco u vuri theksin tek rëndësia e këtij procesi, i cili synon të reduktojë evazionin dhe informalitetin.

“Ky është një proces me interes të lartë për ne, sepse ka një impakt të drejtpërdrejtë tek ne. Fiskalizimi zvogëlon evazionin fiskal, zvogëlon informalitetin në ekonomi dhe zvogëlon mundësinë e korrupsionit në Administratë. 3 elementë këto, që kanë shumë rëndësi për ne si AmCham. Ekonomia informale ka qenë një problematikë e vjetër e jona dhe shpresojmë shumë që të kemi një përmirësim me anë të këtij procesi", tha ndër të tjera z. Jaco.

Fiskalizmi është një reformë në mënyrën e raportimi të të dhënave nga ana e biznesit drejt administratës tatimore, ndaj dhe informimi për gjtihë procesin është një domosdoshmëri.

“Kemi marrë angazhimin që gjatë gjithë vitit 2021, pavarësisht afateve ligore, ne do të jemi aty për t’i ofruar asistencën maksimale çdo biznesi, duke i këshilluar, duke i ofruar shërbimet tona. Inkuroj bizneset të regjistrohen në platformë dhe të nisin procesin. Ne si administratë do të kemi një qasje ndihmuese dhe jo ndëshkuese për çdo problematikë që bizneset do të kenë”, tha drejtuesja e Drejtorisë së Tatimeve, Delina Ibrahimaj për Vizion Plus.

Që prej datës 1 janar 2021, ka nisur faza e parë e këtij procesi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, vetëm me faturë elektronike, B2G.

Prej datës 1 korrik 2021, do të nisë zbatimi për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve, B2B. Ndërsa nga 1 shtatori do të nisë zbatimi për transaksionet me para në dorë të tatimpaguesvë, B2C.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH