Dossier

Tanja Visarova, historia e robinjës franceze të mbretit Zog

               Publikuar në : 10:15 - 13/04/19 E Liberale

Ajo quhej Tanja Visarova, e nga vjeshta e vitit 1929 deri më 1933-shin do të ishte e dashura sekrete e mbretit Zog. Fotoja e saj, ku shfaqet pothuajse e zhveshur me një kurorë në kokë, e vështrimin e humbur diku, në sytë e burrit i cili e bëri ta dashurojë, duket e bukur në aparatin e Ymer Balit. Historinë e Tanjës, “robinjës së mbretit shqiptar”, ne e lexojmë në librin studimor kushtuar fotografit të parë tiranas Ymer Bali, nga studiuesi dhe artisti Besim Fusha i UET PRESS. Ish-balerina e njohur e Parisit, për të cilën kërkonin radhë të mëdhenjtë, si Henri Matisse apo Renoir, do të jetonte disa vite e mbyllur në Pallatin Mbretëror. Në vitin 1929, ajo nisi të dublonte artistë nëpër skena erotike filmash, ku interpretonte skenat nudo. Në kulmin e kësaj karriere ajo ftohet në Bruksel të kërcejë në një mbrëmje zyrtare. Një muaj më parë kishte marrë ftesë për të kërcyer në Shqipëri për përvjetorin e parë të mbretit Zog. Ishte hera e parë që ajo e dëgjonte emrin e tij dhe të Shqipërisë. Ishte para dy zgjedhjeve: të udhëtonte drejt Shqipërisë, apo të vazhdonte të bënte rolin e mbretëreshës së erosit? Me pasionin për të panjohurën ajo zgjodhi Shqipërinë. Njerëzit e mbretit do t’i blinin shumë rroba. Rrugës ajo do t’i kërkonte shoqëruesve një foto të mbretit, por ata nuk kishin. Ajo ishte kurioze ta shihte këtë burrë. Shpesh e imagjinonte të madh në moshë. Por pasditen e 10 gushtit ajo do të shihte një burrë të gjatë, hollak, biond me sy blu. Do ta merrte për një oficer austriak. Por befas dikush do t’ia prezantojë duke i thënë se është mbreti. Zhgënjimin ajo nuk do të denjonte t’ia shprehte. Pak më vonë ajo do ta pyesë se kur do të luajë në teatër, por mbreti i tha se do të kërcente vetëm për të. Pak më vonë, në orët e tyre intime, ajo do të mësonte se për mbretin nuk ishte hera e parë që e shihte Tanjën. Ai e kishte parë më parë teksa kërcente në Foli, Berzher, ku kishte hyrë ta shihte fshehurazi. Për ta besuar këtë aventurë, ai i tregoi një foto. Më pas foto të tjera tregonin Tanjën në kohë të ndryshme. Ajo nuk ishte rastësisht këtu. Mbreti e kishte ndjekur. Ai do t’i thoshte se ashtu të zhveshur në skenë e kishte imagjinuar si grua fatale. Më pas e pyeti në kishte pasur burra të tjerë. Ajo i tha se ishin dashuruar pas saj, por nuk kanë qenë të dashurit e saj. Në planet e jetës së saj nuk hynte dashuria. “Mbreti Zog i shqiptarëve ka qenë shumë i sjellshëm me mua, i butë e shumë njerëzor. Ai e arriti atë çfarë dëshironte, veçse pas një muaji me mirësjellje të pashembullt. Nuk më nxiti. Priti deri sa të isha e gatshme. Me të jetova të gjitha ëndërrimet dashurore”, do të kujtonte ajo më vonë.

Në aparatin e Balit

Historia e Tanja Visarova është vetëm një nga dhjetëra histori të fshehura në fotot e Ymer Balit. Duket se oborri mbretëror dhe koha e mbretit Zog ka qenë grishëse për fotografin e ri. Dhjetëra foto na rindërtojnë ngjarje të mbretërisë shqiptare. Ngjarjet më të rëndësishme dhe protagonistët e Shqipërisë në fund të Luftës së Dytë Botërore e deri në fillim të viteve ‘70, janë ruajtur në fotot e Balit. Ndërsa shfletojmë librin e Besim Fushës, shohim një artist elegant në përzgjedhjen e ngjyrave dhe modern në qasjen ndaj subjektit. Në Universitetin Europian të Tiranës, Bali u kujtua përmes një aktiviteti dedikuar studimit të Fushës. Ky libër nuk është vetëm një përmbledhje e fotove më të rëndësishme në kohë të Balit, por dhe një studim mbi artin e fotove të realizuara prej tij. Mbi figurën e Ymer Balit dhe punën e Fushës foli rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Nevila Nika. “Nuk ka familje të vjetër tiranase që nuk ka në arkiv një foto që mban logon Bali”, tha ajo, duke kujtuar kontributin e këtij artisti për ruajtjen e kujtesës, pasi një foto shpesh flet më mirë se dhjetëra dokumente. Belina Budini, dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, u shpreh se është detyra e studiuesve të sjellin njohje më të thellë të figurave me kontribute si Bali. Për Alda Bardhylin, “nëse historia e fotografisë shqiptare nuk do të kuptohej pa Marubin, ashtu dhe historia e Tiranës si kryeqytet nuk mund të kuptohet pa fotot e Balit, i cili ka mundur të fokusojë në aparatin e tij vite të rëndësishme të ndërtimit të vendit, siç ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore apo vitet e para pas hyrjes së komunizmit në vend”. Për Besim Fushën, puna për këtë libër ka qenë e gjatë dhe një pjesë të madhe të fotove i është dashur ta gjejë në familjet e vjetra tiranase. Bali është një nga emrat më të shquar të fotografisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX. Ai është dalluar për fotografitë dokumentare, por njëkohësisht edhe me sens të dalluar artistik.

Bali lindi në Tiranë më 10 tetor 1894 në një familje të hershme tiranase. Bali, qysh në moshë të re, mësoi mjeshtërinë e fotografit, me të cilën siguronte jetesën, duke i shërbyer në këtë mënyrë edhe qytetarëve. Rreth vitit 1930 shkoi në Austri, ku ndoqi një kurs specializimi për teknologjinë bashkëkohore të fotografimit. Duke vështruar me vëmendje fotoportretet e Balit në përgjithësi, dallohet se atij i parapëlqenin qëndrimet ballore të personave që fotografoheshin, ku sytë të shikojnë objektivin, e prej tyre të fiksohej në letrën fotografike psikologjia e tyre. Këtu bëjmë fjalë për shërbimet fotografike për komunitetin. Ymer Bali, mjeshtri i aparatit fotografik, ashtu si edhe bashkëkombësi i tij matanë Atlantikut, fotografi i madh, Gjon Mili, nuk krijoi familje. Ndoshta të zhytur thellë e tërësisht në fushë të fotografisë, ata mbase ishin xhelozë se një person i dytë do t’u përgjysmonte kohën e punës, që për ta ishte plotësisht e fotografisë. Studio “M. Bali” rreth viteve ‘30, filloi të botojë një kolanë të pasur kartolinash me tematikë dhe pamje nga Shqipëria. Ymer Bali është ndarë nga jeta në Tiranë në vitin 1967.

Ky artist i fotografisë shqiptare me shpirt të madh, mbetet një nga fotografët më të dalluar të gjysmës së parë të shekullit XX, e njëkohësisht më i shquar i kryeqytetit.

Dashuria me izraeliten

Gjatë studimeve në Vjenë, Ymer Bali, do të njihet me të bijën e një çifti me origjinë izraelite, i cili kishte një atelie fotografi. Djaloshi shqiptar kishte nisur të punonte në këtë atelie ku u dashurua me vajzën hebreje. Në mjediset tiranase thuhej se artisti pati dhe një djalë me të, për të cilin do të ndiente mall e vuajtje kur rrugët shqiptare me botën u mbyllën në vitin 1945. Mbas vitit 1920, kur Shqipëria nisi rrugën e shtetëzimit, Bali vendosi ta ndante jetën mes Tiranës dhe Vjenës. Fotot e tij do të shoqëronin në atë kohë albumin “Shqipnia e ilustrume” 1928, realizuar nga politikani Teki Selenica. Ngjarjet shqiptare të kohës janë të ruajtura në aparatin e tij. Deri në moshë të vonë Bali jetoi në shtëpinë ku pati lindur.

Ndrojtja e Nexhmije Hoxhës

Me ndrojtjen që i lexohet në fytyrë, portreti i Nexhmije Hoxhës, atëherë Xhunglini, dallohet bri vajzave të vogla të veshura me veshje kombëtare. Fotoja e realizuar nga Bali tregon gëzimin e vajzave të institutit femëror “Nana Mbretëreshë” në një dalje publike.

Puthja partizane

Për shumë kohë fotoja ku dy partizanë shfaqen duke puthur në buzë njëri-tjetrin pas Çlirimit të Tiranës më 1944-n, është quajtur anonime. Puthja që simbolizon fitoren është në pronësi të AQSH-së dhe mendohet se është realizuar nga Ymer Bali, duke pasur parasysh sfondin në të cilën ai ndërton gjithnjë fotografinë. Kjo foto është realizuar më 17.11.1944.

Buzëqeshja e Qemal Stafës

Qemal Stafa duket se ka qenë një personazh i dashur për aparatin e Ymer Balit. Në një nga kodrat e Tiranës ai shfaqet i veshur me çorapet e gjata, e kostumin tipik të kohës, me flokët e ngritura lart mbi ballë. Është një ditë pranvere, e bashkë me të dallohen Xhezmi Delli, Myslym Keta etj./ Gazeta Liberale

(Visited 31 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *