Kryesore

Talenti nuk mjafton; Artisti ka nevojë për kulturim

               Publikuar në : 09:36 - 29/06/20 liberale

Me një portret të gjallë, të folurën energjike dhe mjeshtërinë e kuvendimit të çlirët e plot humor, Pëllumb Kulla u ul përballë studentëve të departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre, me përvojën e gjatë të një artisti që ka ditur të skalisë emrin e tij në kujtesën e shqiptarëve. Gjurma e tij më e freskët është përmbledhja publicistike “Dikatura e Parasë”, botim i UET Press, i cili sapo ka dalë në qarkullim.

Takimi i zhvilluar në ambientet e UET, në formën e një Master Class, është në vazhdën e një tradite të kultivuar prej vitesh tashmë në UET, ku personalitete të jetës publike nga lëmi të ndryshme të artit, shkencave humane dhe natyrore, ndajnë me studentët ide, përvoja, diskutime mbi fenomene të reja e të mbartura të realitetit shqiptar, duke nxitur protagonizmin dhe përfshirjen e të rinjve në debatin publik në vend.

Nën praninë e miqve, bashkëpunëtorëve të ngushtë të artistit Pëllumb Kulla, si Koço Devole, Dritan Boriçi, Petrit Ruka, Mero Baze, Pano Kondo, drejtuar nga dekani i Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, Ermir Nika dhe drejtoresha e botimeve UET Press, Suela Mino, njëkohësisht edhe redaktore e librit, ky takim tejkaloi prezantimin e librit, për t’u kthyer në një bisedë mbresëlënëse për të pranishmit.

Regjisori, dramaturgu dhe autori i njohur Pëllumb Kulla, u rrëfeu studentëve “sekretet” e jetëgjatësisë së tij artistike, duke u ndalur në sfidat që i presin ata si artistë në formim; mënyrën sesi ka ndryshuar vlerësimi për artin dhe humorin; peshën që ka një artist për emancipimin e shoqërisë, identitetin që duhet të krijojë dhe atë që e mbart nga mjedisi ku është rritur, e të tjera pyetje që solli kjo bisedë, mes të qeshurave dhe premtimit për t’u ritakuar…

1- Sa ka ndikuar tradita jonë shkrimore në formimin tuaj?

Nuk di se si e gjykoni ju dhe a e shikoni këtë ndikim. Unë vetë mendoj se ai ështe padyshim i pranishëm, në të gjithë indet e krijimtarisë time. Edhe pas 80 vjetësh nuk e përcaktoj dot veten, nëse jam autor apo regjisor, sepse nuk e di ku mbaron autori dhe ku fillon regjisori. Ndonjëherë njeriu bëhët regjisor sepse ka qejf të ketë dorë në prezantimin sa më mirë te asaj që shkruan, por fusha e artit skenik sa është një fushë plot me lule shumëngjyrëshe, ka edhe gjemba. Është një jetë e trazuar me emocione, të cilat kanë ulje ngritje dhe në përgjithësi të jep një pagjumësi pozitive, për të pasur ambicie dhe për t’i realizuar ato. Talenti është shumë i rëndësishëm, por do punë, do studimin, do kërkimin, do vëzhgimin, do një vëmendje të palodhur për të grumbulluar, për ta shkrirë në magje bashkë me talentin që duhet të kesh. Ndaj mos u mjaftoni asnjëherë vetëm me talentin; lexoni, njihni traditën, thellohuni në vëzhgimin e mjedisit që ju rrethon, kulturohuni. E gjithë kjo përvojë dhe përkushtim bën artistin.

2- Cilët autorë mendoni se nisin traditat e lëvrimit të gjinisë së satirës dhe humorit shqip? Si i vlerësoni sot kontributet e Nonda Bulkës, Qamil Buxhelit, Niko Nikollës, Miço Kallamatës, Gjike Kurtiqit, Dritëro Agollit…?

Mendoj se ato nisin ca më thellë, që me Çajupin. E pastaj si mund t’i harrojmë Nolin dhe Konicën, këta mjeshtra të satirës, të cilët e lëvruan atë me një efektshmëri mbresëlënëse në shkundjen e prapambetjes, në përqeshjen e kundërshtarëve politikë, apo antikombëtarëve të shumtë?! Them se këta duhen vlerësuar si pararendësit e personaliteteve që rreshtuat ju pak më sipër. Janë individualitete me peshë. Unë kam qenë afër më shumë me Buxhelin, i cili kishte një nerv dhe dinamizëm në atakimin e realitetit. Dy tre ministrave të Kulturës në këta vite të paskomunizmit, u kam shkruar duke u propozuar që të themelohet një traditë për një çmim vjetor të satirës dhe humorit me emrin Qamil Buxheli dhe është për të ardhur keq që nuk jam dëgjuar. Si duket nuk ndaj me ta të njëjtin opinion në lidhje me atraksionin e shquar të shqiptarëve drejt humorit.

3- Letërsia juaj, në veçanti vëllimi me tregime “Rrëfenja nga Amerika”, është vlerësuar si një tregues i rëndësishëm i lidhjes së letërsisë së lëvruar nga diaspora shqiptare në Amerikë dhe letërsisë bashkëkohore shqipe; Ju si e vlerësoni këtë ndërveprim?

Unë mendoj se pavarësisht se ku është shkruar, në trojet amerikane apo
ata shqiptare, kjo lloj prodhimtarie e ndarë nga oqeani nuk ndryshon asfare. Noli dhe Konica, ashtu sikundër dhjetëra e dhjetëra pena të tjera të diasporës, nuk kanë asgjë amerikane përvec mjeteve dhe rekuizitës së shkrimit. Në fokusin e tyre ka qenë sikurse në atdhe, emancipimi i shoqërisë shqiptare, prosperiteti, pra zgjidhjet ekonomike, krahas nevojës për të qenë pranë qytetërimit perëndimor.

4- Si ndjehet Pëllumb Kulla me humorin që serviret sot në ekranet shqiptare, për pubikun e gjerë?

Ka sasi, por fare pak shfaqje cilësore. Shihen mjaft artistë me vlera, por që lenë pas dore një punë më të thelluar e më të përgjegjshme për të lënë arritje që të mbahen mend. Të krijohet përshtypja sikur edhe artistët e mirë nuk lexojnë sa duhet dhe nuk ndjekin e nuk vëzhgojnë arritjet jashtë kufijve.

5- Në vlerësimin tuaj nga çfarë duhet të ruhet, të ketë kujdes, apo vëmendje të shtuar, humori dhe satira e sotme shqipe, kryesisht ajo televizive?

Ajo çka promovohet si lëndë artistike në skenë, në television, apo në letërsi, meriton një vëmendje shumë të madhe. Por në jetë duhet mësuar shumë nga e kaluara, e cila kishte avantazhin e madh që punonte më shumë me lëndën, kishte periodicitet të vogël. Ne bënim 4 premiera në vit, në estradën e Fierit apo Tiranës dhe këtë e shëtisnim në tërë Shqipërinë dhe pastaj regjistrohej në television. Tani uria e madhe jo vetëm e spektatorëve, por sidomos e oligarkëve që kanë qejf ta mbajnë gjallë atë television, bëjnë që aktorët të punojnë secili më vete dhe të takohen rrallë me regjisorin, me sa kam parë dhe kam shëtitur në dy- tre oficina ku punohet, ku goditet kjo gozhda e humorit. Banaliteti ka marrë nje epërsi të madhe. Artistët tanë bien pre e popullaritetit që ua kërkon spektatori i mësuar me banalitete. Ata nuk kërkojnë finesën që duhet të ketë humori. Humorin dhe satirën duhet ta shohim më pranë problemeve të aktualitetit dhe larg tendencës së “humorit për humor”. Duhet ta ruajmë nga banaliteti aq i kudogjendur.

6- Çfarë ka ndryshuar në të “qeshurën” e shqiptarëve?

Shqiptarët kanë qeshur edhe kur nuk kanë patur ç’të hanë. Nganjëherë duket sikur e qeshura nuk ka lidhje me lumturinë. Nuk janë artistët ata që ua kanë sjellë njerëzve të qeshurën. Artistët janë krijesat e saj. Shpesh njerëz me shije i braktisin sallat ku ofrohet humori banal. Por njerëzit pa shije janë më të shumtë dhe nuk u largohen këtyre sallave. Në këtë krahasim që më kërkohet unë jam i mendimit se tani në vend të tërhiqen spektatorët drejt një humori më të fismë, janë të shumtë artistët që bashkjetojnë dhe bile ulin nivelin, si të kënaqur me shpërblimin e ulët të të qeshurës së lirë. Kjo nuk është një shfaqje e lirisë nga censurimi. Është një dëshmi se liria e shprehjes, mungesa e frikës, nuk kanë sjellë vetëm të mira. Komunikimi me publikun, përmes artit e veçanërisht humorit, është një përgjegjësi e madhe, sepse formëson shijet, etikën, standardin e një shoqërie; mpreh shqisat e saj të reagimit qytetar; është një instrument që ka fuqi të ndikojë në emancipimin e shoqërisë. Nëse nuk shihet me këtë ‘sy”, zhanri i humorit dhe satirës humbet “misionin” e tij. /Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back