Aktualitet

Takimi me delegacionin nga Senati Amerikan, Basha zbulon diskutimin

               Publikuar në : 16:51 - 14/10/21 liberale

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me një delegacion nga Senati Amerikan, ku ishte e pranishme edhe Yuri Kim. Në një komunikim me mediat, Basha u shpreh se diskutimi ishte përqendruar në dy pika: është folur për demokracinë në Shqipëri, si dhe për rajonin dhe veçanërisht situatën në Kosovë.

“Dy janë çështjet kryesore për të cilat kemi folur me përfaqësuesit e lartë nga Uashingtoni: Njëra ka të bëjë me demokracinë shqiptare, udhëkryqi në të cilën ndodhet, në veçanti pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, dhe rolin e Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare në parlament dhe në bashkëpunim me të gjithë forcat e gjalla të shoqërisë shqiptare dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë, legjitimitetit dhe sundimit të ligjit.

Dhe sigurisht përmes një vendi që është demokratik, ku nuk shkatërrohen por respektohen zgjedhjet e qytetarëve. Ku nuk goditet dhe burgoset i pamunduri, por ndëshkohet politikani i korruptuar apo bosi i krimit të organizuar, të krijojmë një klimë investimesh, nga e cila të përfitojnë shqiptarët përmes vendeve të punës, përmes transferimit të teknologjisë dhe të transferimit të kapitalit amerikan në Shqipëri.

Çështja tjetër, se s’do ta quaja të dytë se mori një pjesë po kaq të rëndësishme të bisedës, ka të bëjë me rajonin dhe në veçanti sa i përket situatës së provokuar nga ringjallja e planeve hegjemoniste serbe përmes proceseve si ai i Novisadit dhe nevojës për të përforcuar praninë politike dhe të gjithanshme amerikane për të ndalur dhe kundërvënë çdo ofensive të forcave joperëndimore ndaj arritjeve 30 vjeçare të ShBA-ve dhe të Boshtit Euro-Atlantik për stabilitetin, paqen dhe demokracinë në Ballkan. Me theks të veçantë për ruajtjen dhe garantimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe përfundimin me sukses të njohjes reciproke si gur i fundit i themelit të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Basha.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back