Globi

Takim Kurti-Vuçiç në prani të Merkel dhe Macron

Shkruar nga Liberale
Takim Kurti-Vuçiç në prani të Merkel dhe Macron

Një takim ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç është zhvilluar në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Të pranishëm në takim ishin edhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Takimi është zhvilluar rreth një javë pas arritjes së marrëveshjes për targat ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, është shprehur i lumtur që Kosova e Serbia kanë “tejkaluar krizën me targat e veturave” dhe i ka ftuar palët të vazhdojnë me dialog.

Para se të niste samiti, Kurti e konsideroi se Kosovës i është bërë një padrejtësi e madhe nga BE-ja për mosliberalizimin e vizave, megjithatë ai tha se mbetet me shpresë se Unioni do të mbajë fjalën e dhënë.

“Komisioni Europian për të dytën herë rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe është bërë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve tonë që vuajtën shumë. Ne jemi me shpresë që ky samit do të bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saj dhe ky është zgjerimi si projekti më i rëndësishëm politik dhe proces historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Kurti e ka konsideruar padrejtësi të madhe pasi pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës e të cilat i ftoi t’i bashkohen vendeve të tjera të BE-së për njohje të shtetit të Kosovës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH