Aktualitet

Take it easy!

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Në qytet nisi papritur një shi i madh e i rrëmbyeshëm, danga-ganga, me pika të mëdha, që për më pak se një minutë i bëri qull të gjithë ata që kishin dalë atë pasdite korriku.

Qe si një prej atyre gjendjeve të bukura me panik, ku ngatërrohen njerëz, reklama e makina si dublazhe në shpejtësinë e çastit e të rrëmujës që grumbullon gjithçka në një pikë veprimi të nxituar.

Gjithçka merrte e jepte nën një shformim total të hapësirës së qytetit, shto këtu edhe zhbërjen e të gjitha elementeve nga një moment qetësie drejt një nxitimi alarm.

Shiu i beftë shpluhurosi gjendjen mes tyre dhe e ktheu të gjithë shtjellën në një stihi gazmore. Çadra, karrige, tavolina dhe trupa njerëzish të hepuar nga nxitimi. Qëndrime në vendnumëro, sinjalistikë, ndriçim, policë kuturu dhe turma lypsarësh rutinë – një kaos i ndërvarur e shpërthyes. I vetmi që kishte luksin ta shijonte këtë anarki natyrore e urbane ishte një personazh, si një shenjë e përhershme tanimë në rrugë: Garib Luka. Me gotën e verës përpara, shoqëruar me ndoca mbeturina mezeje në mbarim, qëndronte në një gjendje statuje duke përpirë në ekzaltim të plotë këtë çast jete që nuk do e ndërronte me asgjë tjetër këso bote. Çaste që i përsëriteshin shpesh para syve, si një nuhatës i thekur i rrjedhës njerëzore: në rrugë, në absurd, pa kohë të angazhuar; krejt i lirë dhe i zhvendosur nga çdo përgjegjësi apo plan.

Garib Luka është një tip disi përjashta rrjedhës së zakontë; një njeri që e shndërroi jetën në festë, me të ëmblat dhe të kripurat e saj; njëfarë balance që zor se mund ta gjesh gjëkundi. Edhe si trajtë të dhënash psikofizike është i ndarë veç: hundë kërrute, i shkurtër dhe me sipërfaqe të agravuara e të leshta, më shumë një formë e imagjinatës sesa një njeri normal; i ngjashëm me shëmbëllime piktorësh atipikë, që më shumë kërkojnë ekspresionin sesa vetë modelin që u rri përballë. Një mënyrë për t’i shpëtuar natyrës apo fotografimit të modelit që kanë në kokë. Është rasti kur figura reale përjashton natyrën dhe e risjell atë si gjendje të projektuar fillestare, gjë e rrallë si takim i këtij dyzimi të pakontraktuar e të njëjtë. Në këtë takim ndodh e kundërta: e përfytyruara është realiteti që asgjëson shajninë e reales.

Garib Luka ka një veti që rrallëkush e ka. Qe betuar me veten që jetën ta merrte me gaz, si një aventurë që i ra nëpër këmbë e duhej hequr qafe. Të gjitha zgjedhjet në jetë i kishte të rastësishme, ngaqë ishte një qenie e dobët e me plot ngjyra, që ta jep lehtësia se si e mat njeriu vetë atë që i del përpara, gati si bezdi – vetë jetën. Edhe martesën e fatalizoi në të njëjtën zgjedhje, si një emocion mes yshtjes dhe flirtit; si një lojë për të pushtuar një kështjellë në të cilën qe burgosur me dëshirë, sepse sipas tij, gruaja ishte një kështjellë që duhej pushtuar. Po aq lehtë e kërkoi edhe zhburgimin, me një kosto që e shpërfilli po si një gjë që nuk i hynte më në sy.

Garib Luka është djali i vetëm në familje, i rrethuar nga një numër i madh motrash. Nuk kishte as edhe një paralel, si trashëgues nga degët e babait, dhe kësisoj mbretëronte i vetëm në fis për çdo trashëgimi të mundshme. Ky qe një fakt që nuk i hynte në punë, pasi marrëdhënien me pronën e kish të ftohtë, ngaqë përtonte t’i hapte telashe vetes. Kishte një natyrë afruese dhe mendonte që të gjithë sa i silleshin rrotull i dominonte si qenie të kompromentuara. Flirti me letërsinë, në përgjithësi i kishte dhënë dhuntinë e të mbajturit mend të gjërave të shkurtra e pikante, që i përdorte me mjeshtëri në tavolinat që i silleshin tash e parë. Kishte një formim që dekorohej nga fjalët e urta e postulatet e përgjithshme për jetën dhe dijet e përditësuara në fragmente librash dhe bisedash të lindura në çast.

Gjetja e fundit që e mbante si stoli çastore lidhej me tavolinat e pijes, me biseda shëtitëse e të përcipta. Garib Luka ishte forma më e lartë e manipulimit të drejtpërdrejtë, sy më sy, i rrallë në sojin njerëzor, që çdo minutë të kohës e kthente në një festë të agravuar me alkool, duke i thënë “ik e mbushu!” halleve që dëgjonte rëndom rreth e rrotull.

Format e reja të jetesës ia kishin mbushur kohën me konsum të gjatë për mbijetesën në rrugë, si stil i gjetur, gati i një lavdie që nuk se e bënte realisht të lumtur.

Zhbëhej i tëri mes pijes, interesave të vogla dhe me ndonjë shitblerje të beftë, që për burra të llojit të tij tashmë ishte kthyer në modë.

Për shkak të ndërrimit të sistemit, jeta e kishte hedhur në disa pozicione të favorshme, ku më shumë e ku më pak i dilnin përpara përfitime nga më të ndryshmet. I urrente parimet dhe prirej të shpjegonte që njerëzit duhet të hiqnin dorë syresh, pasi sipas tij jetohej në epokën e konsumit, ku çdo gjë shitej e blihej, kështu që, parimet i kishte hedhur në koshin e stërfryrë të historisë.

Garib Luka vuante nga deliri i madhështisë, gjë që njihej prej shumëkujt, dhe veçanërisht prej njerëzve pikantë, përfshirë edhe ata që qeverisin, me të cilët e kishte rrahur jeta. Fare pa teklif sillte biseda të nxehta, ku kishte qenë o dëshmitar, o ndërmjetës në kënaqësitë kalimtare të tyre. Përzihej në jetët e tyre me jehonë thashethemnaje urbane dhe pispillohej si pjesë e këtyre ngjarjeve, duke u viktimizuar në këtë kallaballëk të molepsur. Hynte e dilte me fantazi nëpër rrëfime tavolinash... si njeriu që e takoi rastësia me njerëz të rëndësishëm dhe me ndikim në shoqëri. Herë pas here përdorte udhëpërshkrime të huazuara dhe ndërtonte pika takimi paralele.

Vetëm kur gjendej në ndonjë hall, Garib Luka shndërrohej në një thëthirë të përkorë e të vëmendshme, me qimet e kokës përpjetë, e të përngjitej si tenja. Shpërndahej gjithandej në formë ngjitëse, sa poshtë lart, dhe jargonte lëngje qarjesh e pakënaqësish, deri sa haste në njeriun e duhur, që e impresiononte dhe i jepte një dorë. Përngjitja merrte formën e njeriut që e dëgjonte hallin e tij, veçse shpërndahej e multiplikohej si një hall kolektiv. Në këto raste ruante një gjendje të butë, për të gjetur momentin që të bëhej prezent në trajta të ndryshme, duke luajtur burrërinë tradicionale, njeriun e matur, me kulturë të vjedhur e kështu me radhë.

Çudi më vete se si halli mund të marrë format e keqardhjes në dritare të përsëritura njerëzish të të njëjtit soj, që shpërndaheshin me shumicë, si ftesa për evente. Ishte një lloj flame që i bënte jehonë zejes së tij... një mjeshtri e hershme mes njerëzish manipulatorë me kollare, deri sa i bëhej konak nëpër tavolina hallesh. Aq shumë qe i përfshirë në këtë shumëfishim të sajesash, saqë kur ajo i rikthehej në ciklin e kryerjes, zinte dhe i besonte edhe vetë ato dokrra që kish shpërndarë. I pëlqente kjo dukuri, pasi forma e riciklimit qe më e përkryer se gjendja fillestare e thashethemit. Nuk qante kurrë, sepse nuk kishte kohë për shkak të gjendjes së vazhdueshme në eufori dhe nën efektin e pijes.

Garib Luka u ruhej emocioneve të forta. Jetonte në mesin e artë të njerëzve dhe shpesh predikonte tema mbi kurvërimin e rrugës, si modë e shtresës së tij. Raportin me seksin tjetër e kishte shpeshtuar në format e fantazisë duke luajtur në pista të shumëfishta. I dukej sikur kompensonte kohën e humbur në adoleshencë, ngaqë kishte qenë i ndrojtur e frikacak.

Femrat dhe dobësitë e tyre prej tarallakesh të paplotësuara i ruante në një fond të shpërpjesëtuar soji dhe karakteresh që i përdorte për befasi të nxehta ndër takime online. Gra nga më të ndryshmet dhe nga më hallexheshat, që plotësoheshin në dëgjesat e Garib Lukës.

Ngaqë kishte kohë për këtë lloj loje, e ndërtonte jetën pa vetë atë, si gjë që i mungonte. Një lundërtar hipotetik fatesh e femrash të dobëta.

Kjo marrëdhënie e re e kishte çliruar dhe e kishte mbushur me siguri. Llafosej me një fjalor të çlirët e të shthurur me to, për të hapur shtigje të reja lirish të paprovuara. Marrëdhëniet e tjera ishin fasadë e papërfillshme, dhe i jepnin akoma më shumë stil indiferencës në dukje mes hokatarësh e gjithfarë pijanecësh në qarkullim. Kaq siguri i kish dhënë kjo mënyrë jetese, saqë e bezdisnin ca figura të impostuara në art, gazetari e politikë, ku më me inat të veçantë shihte regjisorët.

Garib Luka kishte fituar një status të pazakontë në jetën e rrugës e të tavolinave, kjo edhe për shkakun se edhe vetë formën e tij antipatike e shiste me marifet si prurje të re në modelin e njeriut tërheqës e sarhosh. Shumë gra e vajza, por edhe vejusha të dala piste, ndalonin te ky lloj tipi, sepse nuk bënte zhurmë dhe zhbëhej rehat në turmën e të çinteresuarve. Për ato ai ishte modeli i njeriut që ka kohën për t’u asistuar dhe rrëmbyer në vorbullat rrëqethëse të kuriozitetit femëror. Shumë prej tyre ishin viktima të mospërfilljes, ose sheshpushimet e dështimeve në marrosjen pas intimitetit. Forma e ndezur dhe e krifëruar e Garib Lukës në gjendje euforie si pragdehje, i bënte ato të mbështeteshin me lehtësi në një liri të patrysnuar e të sigurt. Garib Lukës i pëlqente ky lloj kaosi me shumë ngjyrë, ku zhgërryhej dhe kapardisej, për t’u zgjuar sërish i dehur nga dhelat dhe qarjet hipokrite të tyre.

Trajtat e qendrës me shumë hyrje-dalje flirti i jepnin mundësinë ta kthente këtë planimetri në shtjellë të lumturisë së përjetshme, duke u hedhur sa në një skaj e sa në një tjetër, me lehtësi dhe i magjepsur nga jetët e të tjerëve, duke mos ndarë as edhe një gjë me veten, përveç kohës që rridhte lumturisht gati si festë e përhershme. Kish humbur raportin me jetën e zakonshme, me planifikimet, me lindjet e vdekjet.

Për një çast mendoi se kishte kapur kulmin e të qenurit i lumtur. Çfarë mund të kërkonte më nga jeta kjo lëvozhgë e mistertë mes alkoolit, femrave dhe tavolinave që prisnin një hall njerëzor. E ftonin kudo, i paguanin verën e mezet dhe shiste ndonjë interes sa për të thënë. Aq shumë e kishte ndihur fati, sa në të gjitha përmbysjet kishte aftësinë të ishte në po atë pozicion të favorshëm. I palodhur si një monument kotësie, për të shitur veten si interesant dhe përherë në vijën e parë të përtimit. Kohët e fundit nuk kujdesej më, i lëshuar e i dehur nga euforia e pambarimtë e festës që po shkartisej.

Ia kish dhuruar Zoti me tepri: të rrinte gjithë ditën e lume në sy të rrugës, larë e palarë dhe krejt i kënaqur.

Nuk i duronte dot një pjesë njerëzish që luanin kartën e njerëzve të persekutuar nga regjimi i dikurshëm; e pengonin në zellin e tij harbues. Begatia e jetës së natës me kurvat e metropolit e ngazëllente dhe i jepte prehje. Fshehtazi besonte se bënte gjënë e duhur, duke përçmuar lidhjet e përjetshme e patetike, dhe me shumë ngushtica që s’e lejonin të zhdërvidhohej lumturisht.

Harta e marrëdhënieve me njerëz të ndryshëm e kishte çliruar dhe e kishte bërë një tjetër njeri. E gjithë loja ishte kush dominonte rrugën, rrjedhën e tavolinave të pijes dhe mjeshtërinë për t’u shitur mbret në rrugë. Në rrjetin e tij të konfesimit dhe shitjes së gjërave me interes kishte bankierë, juristë, ekonomistë, bixhozçinj, pronarë minierash, ndërtues, agjentë shitjesh dhe gra të biznesit. Mjaft të ishte me ta, të tjerat ishin tavolina nostalgjie, zdërhallje, kurva dhe herë-herë piktorë që i kishte ndeshur në interesa lidhjesh dhe shitjesh të punëve të tyre.

Zot mbaje! – thoshte çdo ditë. – Mos ma prish ëndrrën! Ma lër siç e kam. Usta i jetës për ta kopsitur atë.

Të vetmit armiq të heshtur ishin dy prej sërës së tij, që e kuptonin thellë si i të njëjtit lloj. Të vetmet pengesa që donte të mos i takonte kurrë. Arsyeja ishte se përballja me të tillë e sillte në vete, e demaskonte së brendshmi dhe e vinin në një krizë që e largonte me shpejtësi nga gjendjet e tij të mikluara. Bëhej fjalë për dy personazhe-kufi: një noter rondokop dhe një gazetar në zë. Rrëshkiste shpejt dhe fshihej kur mendonte se mund të ishte në të njëjtën hapësirë të përbashkët. Ndjehej i dematerializuar dhe i identifikueshëm në lojën dhe manipulimin që e karakterizonte. Dita që qëllonte të ndeshte ata, konsiderohej si ditë tersi. Çdo gjë tjetër qe lumturi në turmë, harbim, libido, kënaqësi dhe hare e zhvendosur shpengueshëm.

– Zot mbaje! Mos ma ndërro lumturinë dhe fatin që ndan me mua këtë mrekulli, – nuk harronte të thoshte.

Stuhia e lehtë dhe e gëzueshme verës ra nga vrulli i parë dhe kaosi që shkaktoi si një alibi e mjaftueshme për skena të tilla u shpërbë. Një shtjellë frymëmarrjeje për Garib Lukën që endej mendueshëm e euforik në lodrimin e të gjithë realitetit, që i sillej në sy sipas qejfit. Por, gjithsesi, ndjehej sërish rrotull një kërcënim i padukshëm shiu që afrohej më me ngulm e me rrebesh.

– Bukur! – tha me vete, i çliruar dhe i davaritur fare që natyra kishte aftësinë të të shndërronte para syve të gjithë pamjen kokëpërposhtë e në formë kapriçoje. Kështu edhe me njerëzit, njëlloj.

Ethshëm i paplanifikuar, i rrezikshëm e lozonjar.

– Ja pse ia vlen të jetosh pa frena e në rrjedhë të lirë, – mendoi. Qeshi me veten dhe nga larg dalloi fytyrën e një të njohuri që kishte një biznes gjërash me vlerë; një simpatizant i radhës. Kohë pa kohë harxhonte ndonjë çast me të. Ja... sërish fati në derë, që tavolina e tij dhe qejfi të vazhdonte në një raund të ri e të kopsitur; shansi që koha të mos ndalojë e të mos ketë mundësi për ta degdisur në vetmi. Porositi sërish verë dhe i bëri me dorë të njohurit të tij të urdhëronte në tavolinë. Shiu e zgjati vërshimin, por pa e lëkundur aspak vëmendjen e tij të përqendruar te mysafiri i ri, në dobi të kohës së kthyer në festë, si një vijë e pandarë, as si fillim e as si fund. Buzëqeshi dhe iu përvijua gjyshi si një alibi e fundit për veten. Prapë buzëqeshje.

Ithtar i gjyshit të tij apo i sirtarit të alibisë për t’u dukur dikushi në sytë e vetes. Alibi e formës për t’u justifikuar në një ndërgjegje të dorëzuar, por jo deri në fund. Për ta çuar më larg  atë, gjyshin si amanet, si model a si justifikim, apo si alibi e përsëritur ngeshëm e jetës.

– Ah ky shiu..., – tha me veten. U shtriq sërish nga qëndrimi i gjatë në një vend. Si në çudi, u kthye tërësisht te preja e re që kish mbërritur si me porosi në tavolinë./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH