Aktualitet

Ta pranojë, ose ta refuzojë mandatin

Shkruar nga Liberale
Ta pranojë, ose ta refuzojë mandatin

Zhgënjim nga (jo) qeveria

Më shumë se 100 ditë nga zgjedhjet e parakohshme, në Kosovë negociatat mes Vetëvendosjes dhe LDK, nuk po arrijnë marrëveshjen për qeverinë e re, ndërsa presidenti Thaçi kërkon që Albin Kurti të marrë mandatin ose ta refuzojë atë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të dielën se kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet marrë mandatin për formimin e qeverisë, apo në të kundërtën, ta refuzojë atë. Ai i bëri këto komente, pas një takimi me ish shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker. Presidenti Thaçi tha se ka kaluar një kohë e gjatë që nga mbajtja e zgjedhjeve dhe se qytetarët dhe partnerët ndërkombëtar, tha ai, po presin formimin sa më të shpejtë të qeverisë.

“Koha po kalon, prandaj unë si president i vendit duke parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë që ka dalë në zgjedhjet e 6 tetorit, që ka qenë edhe kandidat zyrtar i partisë për kryeministër gjatë fushatës, edhe gjithashtu që ka nominuar më tepër se gjysmën e qeverisë, unë duke menduar se do ta pranoj, sepse është një rregull i pashkruar, në moment që kryetari i partisë së parë dhe i nominuari nga partia takohen dhe ka caktuar gjysmën e qeverisë, në konsultim e sipër edhe në kuptimin zyrtar merr nominimin. Unë kam nënshkruar atë ditë nominimin për zotin Kurti si kandidat për kryeministër të ardhshëm të qeverisë së Republikës së Kosovës, ai nominim me nënshkrim është ende në tavolinën time të punës këtu, prandaj shpresoj që nuk do të kalojë shumë kohë e gjatë që edhe zoti Kurti të reflektojë në kuptimin e pranimit të nominimit që është vullnet i partisë së tij dhe elektoratit të tij, në rrethana tjera duhet ta deklaroj refuzimin”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se është në vullnetin e spektrit politik që ta përmbyllë procesin e zgjedhjeve sa më shpejt që është e mundur, duke zbatuar vullnetin e votuesve. Presidenti Thaçi tha se në çdo veprim të tij do ta respektojë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Natyrisht se tash i mbetet kryetarit të partisë së parë që të bëj hapin dhe në këtë drejtim ka qenë edhe takimi ynë së bashku me kryetarin e partisë së parë, që ka qenë në këtë zyrë dhe ka premtuar që në ditët vijuese do ta pranon edhe në kuptimin juridik përgjegjësinë e mandatarit për themelimin e qeverisë’, tha presidenti Thaçi.

Një ditë më parë ai tha se e ka nënshkruar mandatin si kryeministër për zotin Kurti, por ekspertët thonë se ai nënshkrim nuk nënkupton fillim të rrjedhjes së mandatit përderisa një gjë e tillë nuk është vendosur në këshillim me fituesin e zgjedhjeve.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se presidenti nuk ka mbështetje kushtetuese as ligjore për të caktuar afate për dorëzimin e mandatit pa e pranuar propozimin nga lëvizja Vetëvendosje.

Thirrjeve për formim më të shpejtë të qeverisë iu bashkua edhe ambasadori Walker.

“Kam folur me disa përfaqësues të partive politike dhe jam ende i hutuar sikurse është i gjithë vendi. Mendoj që Kosova ka nevojë për një qeveri të re – keni humbur më shumë se 100 ditë dhe shpresoj që nuk do të nevojitet më shumë kohë për ta formuar qeverinë, në mënyrë që Kosova të kthehet në rrugën e duhur”, tha ai.

Takimet Thaçi-Kurti

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar më 6 janar me kandidatin për kryeministër të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kuadër të këshillimeve për formimin e qeverisë. Zoti Kurti ishte zotuar se propozimi do të ndodhë në “ditët në vijim”, por negociatat e tij me Lidhjen Demokratike të Kosovës, që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk kanë siguruar një marrëveshje për ndarjen e pushtetit.

Thaçi tha të shtunën se pret që spektri politik të shterë të gjitha mundësitë e komunikimit për ndërtimin e institucioneve para se të ndërmerr hapa të tjerë. Ai i bëri këto komente në Prishtinë, si përgjigje ndaj vonesave për krijimin e qeverisë së re nga ana e lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Pres që spektri politik të shteroj të gjitha mundësitë e komunikimit për ndërtimin e institucioneve pastaj do të shohim hapat që do të ndërmarrim”, tha ai.

 “Unë pres që, vendimin veç se e kam nënshkruar, duke menduar se veç do ta merr pasi që vet është deklaruar, ka zhvilluar fushatë si kandidat për kryeministër, ka emëruar gjysmën e qeverisë, është krejt normale, e kuptueshme dhe e përgjegjshme që në kuptimin ose fizik ose përmes komunikimit tjetër të pranon edhe zyrtarisht nomimin si kandidat për kryeministër. Nëse jo, natyrisht se është e drejtë e tij e refuzimit publik apo zyrtarë që nuk është i gatshëm por kjo i mbetet në përgjegjësinë e respektimit të vullnetit të elektoratit por edhe para se gjithash të gjithë qytetarëve të Kosovës, të shtetit të Kosovës dhe natyrisht mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se adresa e zgjidhjes së ngërçit është ende tek partitë politike dhe se sipas tij në momentin kur kalon në një fazë tjetër, ai do të punoj që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve të Kosovës.

“Kosova edhe gjatë nuk do të jetë e bllokuar por e theksoj edhe njëherë do të shikojmë të gjitha mundësitë e variacioneve politike që kanë adresë të partive politike me përgjegjësitë e tyre të respektimit të vullnetit qytetar por edhe të përgjegjësive kushtetuese e ligjore, gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe natyrisht jo vetëm të një adrese politike, vazhdoj të besoj fuqishëm se do të ecim në drejtimin e duhur në mënyrë që të vazhdojmë me implementimin e prioriteteve që si shtet i Kosovës qoftë për liberalizimin e vizave qoftë për të ardhmen tonë euro-atlantike”, tha ai.

Vetëvendosje: Presidenti të mos bëj trysni

Por në përgjigje të këtyre deklaratave, Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i bëri thirrje në fillim të javës presidentit të Kosovës që të mos ushtrojë trysni ndaj partisë së tij, e cila doli fituese e zgjedhjeve parlamentare të gjashtë tetorit, për formimin e koalicionit qeverisës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para dy ditësh i bëri thirrje zotit Kurti përmes një letre të propozojë sa më shpejt kandidatin për postin e kryeministrit, tri ditë pasi që ai i dha një afat 48 orë zotit Kurti pas takimit këshillues për caktimin e këtij emri.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një letër dërguar presidentit Thaçi, tha se kërkesa e këtij të fundit përbën ndërhyrje dhe paragjykim të procesit të formimit të institucioneve dhe paralajmërim kërcënues, siç tha ai, për subjektin fitues të zgjedhjeve.

“Kushtetuta e Republikës sonë nuk i njeh presidentit një rol imponues në formimin e qeverisë. Ai duhet të jetë i durueshëm dhe të presë. Formimi i qeverisë nuk është i lidhur me afate, përjashtimisht pas mandatimit zyrtar të cilin e bën presidenti pasi t’i jetë ofruar zyrtarisht emri i kandidatit, për shkak se demokracia nuk është thjeshtë grumbullim numrash, por përafrim qëndrimesh, harmonizim programesh e bartje përgjegjësish”, thuhet në letrën e zotit Kurti.

Negociatat pa marrëveshje

Gjatë javës që lëmë pas të dyja partitë shkëmbyen oferta e kundër oferta, por pa ndonjë lëvizje nga vendnumërimi. Madje të premten, bisedimet u duk se po shkonin drejt dështimit, pasi LDK bëri publike ofertën e re për Vetëvendosjen, ku kërkoj që kreu i zgjedhur i Kuvendit, Glauk Konjufca të shkarkohej dhe ky post ti lihej LDK-së. Veç kësaj, LDK kërkonte postin e presidentit pas një viti por që me garantimin në një marrëveshje VV të zotohej për sigurimin e votave për kandidatin e LDK. Ndërsa nga ana e VV-së erdhi një lëvizje sipas të cilës Kurti dhe të tijtë ishin të gatshëm që të shtonin numrin e ministrive me qëllim përfaqësimin e sa më shumë përfaqësuesve të LDK, gjë që u refuzua nga kjo e fundit. Nuk është hera e parë që Kosova përballet me periudha të gjatë negociatash për formimin e qeverisë. Në vitin 2014 ishin dashur gjashtë muaj për të gjetur një zgjidhje.

Qytetarët të zhgënjyer me zvarritjet rreth formimit të qeverisë

Zhvillimet politike, për disa nga qytetarët nuk janë atraktive, andaj edhe iu kushtojnë pak rëndësi. Qytetarët shprehin zhgënjimin e tyre me zvarritjen e krijuar rreth formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Përmes një ankete të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se dy partitë që po negociojnë rreth marrëveshjes për koalicion, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po krijojnë vonesa të panevojshme.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kanë zhvilluar tetë takime, ku kanë diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës. Por, marrëveshja nuk është arritur.

Rina Cukaj, studente e Fakultetit të Filologjisë, dega e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës, thotë se do të ishte e mirëpritur një marrëveshje mes këtyre dy partive, në mënyrë që të formohet qeveria e re.

“Besoj se është maltretim për krejt popullin. Ne jemi studentë dhe ende nuk jemi në atë fazën, të themi të vendosmërisë, por ka njerëz që e kanë në pyetje vendin e punës dhe zvarritja ndikon te ta, apo diçka të ngjashme dhe kisha besuar që një zgjidhje sa më e shpejtë dhe pozitive do të ishte e mirëpritur për krejt qytetarët”, thotë ajo.

Edhe Betina Elezi, studente në Fakultetin Filologjik, thotë se po ndihet tejet e zhgënjyer me zvarritjen e arritjes së marrëveshjes.

“Sa i përket zvarritjes së formimit të qeverisë, mendoj që është një katastrofë e madhe për popullin, sepse ne gjithmonë jemi mësuar të zhgënjehemi prej politikanëve, por tash mendoj se u tejkalua gjithçka. Shpresoj që sa më shpejt të formohet qeveria dhe të funksionojë shteti, ashtu siç duhet”, thotë Betina Elezi.

Ndërkaq, Sali Gashi, jurist me profesion, i cili punon aktualisht në një kompani private në vend, thotë se i ka humbur shpresat tashmë se do të arrihet ndonjë marrëveshje për formimin e qeverisë së re nga dy partitë që po negociojnë.

“Si të mos jemi të zhgënjyer… Prej tyre po presim që ta formojnë qeverinë. Nuk pres të formohet qeveria, si përfundim, do të kemi vetëm zvarritje”, thekson Sali Gashi.

Zhvillimet politike, për disa nga qytetarët nuk janë atraktive, andaj edhe iu kushtojnë pak rëndësi. Altin Kastrati, nga Prishtina, thotë se për aq sa po ka mundësi, i shmang temat politike.

“Të them të drejtën, po mundohem t’i iki kësaj teme sa më shumë, në mënyrë që të mos preokupohem. Do të doja të fokusohesha në punët e mia, merrem me dizajn grafik”, thotë ai.

Ndërkaq, Hafiz Demi, 35-vjeçar, i papunë, thotë se një shtet që nuk ka një qeveri funksionale ndikon dhe i prek të gjitha shtresat e popullatës.

“Normalisht, gjithë rininë na prek nëse jetojmë me një shtet pa qeveri. Rinia po e sheh që nuk ka asgjë nga ky vend dhe po e shohim se si të rinjtë ikin jashtë. Unë do t’u thosha politikanëve që sa më shpejt të merren vesh dhe këtë ta bëjnë për të mirën e popullit se me të vërtetë po ndihemi të zhgënjyer”, thekson Hafiz Demi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Kuvendi jofunksional, rreth 200 mijë euro paga për deputetët e rinj

Rreth 200 mijë euro do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës pagat bazë të deputetëve të legjislaturës së shtatë të Kuvendit, pavarësisht se ky institucion nuk është duke punuar.

Ky dëm për buxhetin e vendit vlerësohet se po bëhet për shkak të ngecjes mes dy subjekteve politike Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, ka deklaruar për Ekonomia Online se gjatë kësaj periudhe të mosfunksionimit, Kuvendi do të ishte dashur të formoheshin komisionet parlamentare për të vazhduar proceset përpara të cilat kanë mbetur në gjysmë.

Demhasaj theksoi se deputetët që kanë dhënë betimin kanë të drejtën e marrjes së pagës bazë, por kjo do t’i kushtojë buxhetit dhe vendit, pasi ata nuk mund të përfundojnë asnjë punë, por vetëm në mënyrë formale./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH