Politike

Ta nisësh fushatën si Biden, e ta përfundosh si Trump

               Publikuar në : 18:30 - 31/03/21 liberale

Alfred Peza

Lulzim Basha është nje lider kampion, kur vjen fjala pët të improvizuar në gjithçka, pa patur kurrë në jetën e tij politike një ide të vetën për ta çuar deri në fund. Rikujtoni përshembull, se çfarë bëri gjatë kësaj jave të parë në fushatën e tij zyrtare, për zgjedhjet e 25 prillit.

Kandidati i opozitës sonë për Kryeministër e hapi fushatën duke thënë se ajo ishte në stilin e Joe Biden dhe po e përfundon ditën e shtatë, si ajo e Donald Trump. U nis për të bërë fushatën e Presidentit të SHBA dhe e përfundoi si ajo e ish Presidentit. E nisi fushatën si fitues dhe e përfundoi si humbës. U nis si i majtë i strukturuar e i kuruar dhe e përfundoi si i djathtë i rrëmujshëm e i zhurmshëm.

Lulzim Basha e nisi betejën e tij finale për ta rikthyer opozitën në pushtet, duke kopjuar takimet elektorale të Joe Biden, kur për shkak të pandemisë globale mbështetësit e tij shkonin për ta ndjekur brenda makinave të tyre nëpër sheshe. Kështu ruanin shëndetin e vetes dhe të të tjerëve duke dhënë një mesazh për gjithë qytetarët e tjerë, se edhe në një luftë si kjo, jeta triumfon përmes formash të ndryshme mbi virusin vrasës.

E pamë se çfarë ndodhi pasditen e 25 marsit në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Edhe përkrahësit e Lulzim Bashës erdhën me makina si ato të Joe Biden. Por e përdorën fundin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” thjeshtë si një parking gjigand makinash. Sepse të gjithë i braktisën ato, për tu dyndur me flamuj, bori e fanfara rreth e rrotull podiumit “si mizat në kërcu”, duke e shndërruar atë në një miting si në kohë të zakonshme jashtë çdo rregulli e norme të distancimit social.

Më e rënda në gjithë atë shfaqje skandaloze, që e shëndërroi festën e hapjes së fushatës në një “bombë pandemike”, ishte se në asnjë moment drejtuesit e mitingut nuk u bënë thirrje për tu rikthyer në makina, për të vendosur maskat, për të mbajtur distancën nga njëri tjetri apo për tu shpërndarë që të evitonin mbushjen e arkivave me pamje që do bënin të skuqej edhe një elefant e jo më një lider politik.

Në mbrëmjen e asaj natë, liderët e opozitës duke ndjerë presionin e madh publik dhe reagimet negative në rrjetet sociale, tentuan të lanin duart si “Pons Pilati” duke ia faturuar këtë, zellit të papërmbajtur të militantëve që me zor po priskan ditën e votimeve për të larguar Edi Ramën. Le ta zemë për një moment, se e gjitha kjo, ishte e vërtetë. Le të pranojmë për një çast, se gjithkujt mund ti dalë në një fushatë elektorale, turma nga kontrolli.

Por e gjitha rrëzohet, kur pamë se shfaqja në Tiranë, nuk ishte rastësi. Lulzim Basha nuk i përmendi asnjëherë në fjalimin e hapjes së fushatës, fjalët pandemi dhe vaksinim të popullsisë. Përkundrazi, duket se mitingu hapës shërbeu si prova gjenerale, për ta shtrirë këtë qasje në çdo takim që Lulzim Basha ka bërë e me sa duket do të bëjë deri në mbyllje të fushatës, kudo nëpër Shqipëri.

Ndaj pamjet e mitingjeve si “bomba pandemike”, i keni parë përditë në javën e parë të kësaj fushate, deri tek takimet e fundit të zhvilluara nga Lulzim Basha dje në Fier dhe sot në Korçë. Ato skena që po përsëriten si fotokopje të njëra tjetrës, në çdo qytet e fshat të Shqipërisë, janë dëshmi e një strategjie të paramenduar e cila pritet ta nxjerrë kokën vetëm pas 26 prillit kur të jenë hapur kutitë e votimit dhe të kuptohet se opozita e udhëhequr kësisoj nga Lulzim Basha ka humbur.

Fushatës së vaksinimit masiv të ndërmarrë nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama, që po ecën me ritme të pamenduara duke i kaluar brenda pak ditësh mbi 100 mijë personat, Lulzim Basha po i kundërvë të kundërtën.

Në Shqipëri po luhet këto ditë, miniatura e fushatës për zgjedhjet presidenciale në SHBA, kur Biden u premtonte amerikanëve 100 milionë vaksinime në 100 ditët e para të qeverisjes së tij, ndërsa Trump mblidhte turmat nëpër stadiume dhe flakte në mënyrë demonstrative maskën. Skena që të bëjnë të kuptosh, sesi Lulzim Basha e nisi fushatën si Biden dhe po e përfundon si Trump.

Fundi i historisë amerikane njihet tashmë, ndaj nuk është e vështirë, të kuptojmë sesi do përfundojë edhe në Shqipëri. Edi Rama do vijojë me ritme edhe më të larta vaksinimin e shqiptarëve si Joe Biden. Ndërsa Lulzim Basha jo vetëm që do humbi si Donald Trump, por me siguri që do të përdori edhe truket e tij, për ta kundërshtuar rezultatin!

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back