Vetëm 3 minuta para se dhjetëra plumba kallashnikovi të shkreheshin në drejtim të një prej televizioneve më të mëdha në vendin tonë, Top Channel, gazetarët e fundit ishin larguar nga ambientet e punës së tyre. Ata sapo kishin transmetuar edicionin e fundit të lajmeve dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Ndërkohë që nëse do ishin vonuar, sipas hetimeve që janë publikuar sot nga mediat, edhe 180 sekonda më vonë mund të ishin pre e një sulmi terrorist dhe shumë të rëndë. Nuk dihet nëse kriminelët pritën që gazetarët të iknin apo thjesht rastësia e 3 minutave shmangu një masakër.
Makina me të cilën të paktën 3 autorë, një ‘Range Rover’, që është gjetur më pas e djegur në Golem të Kavajës me 2 kallashnikovë, nuk rezulton e regjistruar në Shqipëri. Pra numri i shasisë nuk është i regjistruar nga autoritet shqiptare, dhe me shumë mundësi është vjedhur fillimisht në Angli.
Ndërkohë që një tjetër mister që e mbulon ngjarjen është edhe fakti që lidhet me targat e makinës. Targa ishte vjedhur para një muaji nga një makinë e regjistruar në Elbasan. Targat kanë qenë në pronësi të një kameramani të një emisioni në ‘Top Channel’, i cili vetëm pak kohë më parë e kishte shitur te një kushëri. Ky i fundit kishte denoncuar vjedhjen e targave.
Dyshohet se kanë qenë mbi tre persona që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndë, të paktën 2 kanë qëlluar me breshëri mbi zyrat e Top Channel, ndërkohë që një tjetër ka qenë drejtuesi i makinës. Autorët pasi kanë djegur makinën dyshohet se kanë shkuar drejt Vlorës, ku po kryhen kontrolle pasi dyshohet të jetë hedhur armë në ferra nga një automjet në lëvizje.