Aktualitet

Plagosja e bashkëshortit të Nancy Pelosit, ja çfarë dyshon presidenti Joe Biden

Shkruar nga Liberale
Plagosja e bashkëshortit të Nancy Pelosit, ja çfarë dyshon

Paul Pelosi, bashkëshorti i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi është në gjendje më të mirë shëndetësore. Ai iu nënshtrua një operacioni, pasi u sulmua me çekiç në shtëpinë e tij në San Francisko.

Pelosi, 82 vjeç, pësoi një thyerje të kafkës dhe lëndime në krahun e djathtë dhe duart, por sipas BBC pritet që në vijim të bëhet më mirë.

Sulmi ka ngjallur frikën për dhunën politike në prag të zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit. I dyshuari, David Depape, 42 vjeç, thuhet se ka kërkuar të takohet me zonjën Pelosi.

Policia thotë se janë ende duke hetuar motivin për atë që ata e konsiderojnë një tentativë vrasjeje. Nga ana tjetër, Presidenti amerikan, Joe Biden e përshkroi sulmin si të neveritshëm, dhe sipas tij klima politike po e nxit një gjë të tillë.

"Mjaft është mjaft është mjaft. Çdo person me ndërgjegje të mirë duhet të ngrihet qartë dhe pa mëdyshje kundër dhunës në politikën tonë, pavarësisht se cila është politika juaj", tha ai gjatë një fjalimi në Filadelfia.

Nancy Pelosi, e cila në kohën e sulmit ishte në Uashington DC u kthye për të parë bashkëshortin e saj në spital. Paul Pelosi zotëron një kompani të menaxhimit të pasurive të paluajtshme me bazë në San Francisko dhe gjithashtu zotëron një kompani financimi të sipërmarrjes. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH