Aktualitet

Studentë takim me presidentin Begaj: Në tetor auditoret do ti keni bosh

Shkruar nga Liberale
Studentë takim me presidentin Begaj: Në tetor auditoret do ti keni

Përfaqësues të studentëve të Mjekësisë kanë zhvilluar ditën e sotme një takim me presidentin Bajram Begaj, ku kanë kërkuar mosdekretimin e ligjit për kushtëzimin e diplomave.

Përmes një deklarate për mediat pas daljes nga presidenca, studentët janë shprehur se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre dhe të rrëzohet ligji për kushtëzimin e diplomave, ata do të bojkotojnë auditoret në tetor.

Ata thanë gjithashtu se kanë paraqitur te presidenti zgjidhjet e tyre dhe presin nga ai që të marrë një vendim në përputhje me Kushtetutën.

“Sigurisht ne i shprehëm shqetësimet tona, presidenti na dëgjoi bashkë me këshilltarët e tij. Shprehu edhe ai qëndrimin e tij, ku do të shqyrtojë këtë projektligji, tashmë ligj dhe jemi në pritje të reagimit. Ne shkuam në takim si një përfaqësi e studentëve të Mjekësisë. Çfarë qëndrimi do të mbahet, nuk mund të flasim në këtë moment. Në tetor nuk hyjmë në auditore”, u shpreh njëra prej studenteve.

“Presidenti i dëgjoi me vëmendje, të gjitha problematikat tona. Kemi dhënë zgjedhjet dhe presim një përgjigje nga presidenti për të mos dekretuar ligjin. Ai tha që gjithçka do të jetë e bazuar në Kushtetutë dhe në sugjerimet tona”, u shpreh një tjetër student.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH