Aktualitet

Strategjitë politike të qeverisë dhe opozitës

Shkruar nga Liberale
Strategjitë politike të qeverisë dhe opozitës

Klementin Mile

 Beteja politike ndërmjet qeverisë dhe opozitës, nga pikëpamja komunikative, po dëshmon përdorimin e një strategjie që shquhet mbi të tjerat. Ajo nuk lidhet as me promovimin e programit elektoral, as me paraqitjen e ekipit qeverisës, as me theksimin e ndonjë aftësie të jashtëzakonshme të liderit. Këto të fundit janë strategji normale dhe tërësisht të arsyeshme në dispozicion të partive. Programi, ekipi dhe lideri japin arsye për të diferencuar ndërmjet ofertave politike e për të vendosur, duke përdorur kapacitetin arsyetues, cilën parti të votosh. Këto janë, në thelb, substanca racionale e vendimarrjes së elektoratit, premisat për të konkluduar zgjedhjen politike.

Ndryshe nga ato, strategjia kryesore në fushatën elektorale ende të pashpallur në vendin tonë, i përket lëmit të irracionales. Lëvizjen e parë drejt këtij irracionaliteti e ka bërë qeveria, duke e detyruar pastaj edhe opozitën të vendoset në pozita irracionale mbrojtëse. Më konkretisht, bëhet fjalë për përdorimin e apelit të popullit, Argumentum ad Populum, që është një gabim logjik i rëndomtë. Në fushata të mëparshme në vendin tonë, ky gabim logjik është përdorur në versionin direkt të tij, duke i bërë apel frikës ose emocioneve të tjera të popullit. Për shembull, në vitin 2005 slogani i socialistëve të Fatos Nanos ishte “Mbro të ardhmen”, duke u përpjekur të fitonin vota nga frika e popullit prej ardhjes përsëri në pushtet të Sali Berishës.

Por, koha për ta përdorur si armë politike apelin direkt të popullit ka përfunduar. Kjo sepse politika nuk arrin të emocionojë më si më parë, nuk arrin të ngjallë as shpresën dhe as frikën e shumicës së popullit. Për këtë arsye, qeveria Rama sot, në fund të dy mandateve të saj, po përdor apelin indirekt të popullit. Ajo nuk mund të frikësojë kënd me “gogolin Sali” dhe as nuk mund të entuziazmojë më turmat me dajre dhe festa ku premtohet me bujë rilindja e vendit.

Qeveria ka zgjedhur t’i mbushë mendjen popullit se është ende shumicë, madje shumicë dërmuese dhe e padiskutueshme. Gabimi logjik, pra, është i formës ‘meqë turma beson diçka, atëherë duhet ta besosh edhe ti atë gjë’. Konkretisht, meqë shqiptarët besojnë se zgjedhjet do t’i fitojnë socialistët, secili prej nesh duhet ta besojë këtë gjë dhe të marrë vendimin e tij bazuar në këtë besim. Ideja është që të paktë janë ata që do të zgjidhnin të votonin për humbësin, shumica do të shkonin në kampin fitues.

Për të realizuar këtë strategji politike, natyrisht, nevojitet që të përhapet në popull besimi se qeveria vazhdon të mbetet shumicë dhe opozita pakicë. Dhe çfarë më mirë se mediat mund ta përhapin këtë besim në formën e informacionit. Prandaj shohim gjithandej në mediat e kontrolluara nga qeveria sondazhe dhe opinione që shprehin, herë me entuziazëm dhe herë me keqardhje për opozitën që “nuk po arrin të ngrihet dot në nivelin e kërkuar”, se fitorja e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme është jashtë çdo diskutimi.

Opozita, nga ana e saj, është e dyzuar në qëndrimin e vet. Nga njëra anë mundohet t’i përgjigjet racionalisht strategjisë irracionale të qeverisë, duke e zhvendosur debatin te çështjet e bilancit të qeverisë, të kryeministrit Rama dhe të korruptimit dhe paaftësisë së ekipit të tij, duke pyetur ‘Si mund të vazhdojnë të jenë shumicë socialistët me një bilanc të tillë, me një lider kaq skandaloz dhe me një ekip kaq të korruptuar dhe të paaftë?’; dhe nga ana tjetër, duke dyshuar në efektivitetin e qasjes së parë, duke vazhduar me të njëjtat mënyra, por me mjete shumë më të pakta, se qeveria për t’u treguar shqiptarëve që shumica, në fakt, është opozita. A nuk është kjo arsyeja për këmbënguljen e opozitës se Ramën e refuzuan 85 përqind e shqiptarëve në zgjedhjet e 30 qershorit?

Pas dy mandatesh në pushtet, socialistët e Ramës nuk kanë strategji tjetër përveçse t’i bëjnë apel irracionalitetit popullor, sepse premisa substanciale për të votuar për ta nuk mund të gjejnë. Ata janë treguar koherentë në këtë drejtim: kanë shtënë në dorë mediat, kanë marrë në prehër liderët e opinionit publik dhe e kanë goditur pareshtur imazhin moral të opozitës, kapitalin simbolik të saj.

Opozita, nga ana tjetër, ka vuajtur prej lirisë së zgjedhjes. Ajo ka në dispozicion edhe strategjinë irracionale për të bindur popullin se është shumicë, por edhe strategjinë racionale për të bërë diferencën substanciale me qeverinë në terma të programit, ekipit dhe vizionit të liderit. Opozita duhet të zgjedhë dhe t’i qëndrojë në mënyrë koherente strategjisë racionale, sepse vetëm aty disponon burimet, mjetet dhe argumentet për të qenë superiore ndaj qeverisë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH