Editorial

Strategjia gjeopolitike e BE-së me Ballkanin

Shkruar nga Liberale
Strategjia gjeopolitike e BE-së me Ballkanin

Ervis Iljazaj

Pas celjes së negociatave me Bashkimin Europian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duket sikur drita jeshile për zgjerimin e mëtejshëm drejt Ballkanit të Bashkimit Europian u ndez. Më së paku Europa tregoi që i intereson Ballkani Perëndimor, të paktën gjeopolitikisht.

Megjithatë, për sa i pëkert zgjerimit, edhe pse këto dy vënde i celen negociatat, duket një cështje ende e largët. E para sepse për Shqipërinë hapja e negociatave ka shume kushte. Dhe e dyta, sepse flitet për një metodologji të re zgjerimi të propozuar nga Franca. Në samitin e Kroacisë, për shkak të gjendjes së pandemisë cështja e zgjerimit kaloi në vënd të dytë.

Metodologjia e re për zgjerimin e BE-se, në të vërtetë ende nuk kuptohet mirë se në cfarë konsiston. Me të gjitha gjasat do të jetë një rrugë e vështirë për të gjitha vëndet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së .

Me pak fjalë ende është e paqartë nëse kjo është një metodologji e ere apo avaz i vjetër i Bashkimit Europian në raport me vëndet e Ballkanit Perëndimor. Deri më tani, sigurisht duke marrë parasysh dështimet e brendshme të këtyre vëndeve dhe mosrealizmit e të gjitha kushteve, sigurisht që edhe BE ka një minimum përgjegjësie për dështimin në raport me Ballkanin.

Me gjithë përpjekjet dhe monitorimin e vazhdueshëm që bëhet në këto vende nga BE, me sa duket nuk mjafton më për të përshpejtuar procesin e integrimit. Kërkohet një rol edhe më i madh dhe më i vendosur për të tërhequr drejt BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor, vende të cilat janë si një minë me sahat për të gjithë gjeopolitikën europiane dhe përtej saj.

Në këtë drejtim, pa diskutim roli i Europës lë shumë për të dëshiruar. Politika e jashtme e saj nuk është pika më e forte, dhe këtë gjë e kanë treguar të gjitha ngjarjet ndërkombëtare ku BE pothuajse nuk ka patur asnjë ndikim, për shkak se nuk ka një qëndrim të përbashkët dhe koheziv. Edhe në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, duket qartë se SHBA janë më prezente dhe me më shumë ndikim në gjeopolitikën rajonale se sa BE.

Mungesa e një politike të fortë në Ballkan nga ana e Bashkimit Europian, për arsyen se mungon një e tillë e përbashkët, ka bërë që shumë procese t’i kenë shpëtuar nga duart në marrëdhëniet me vendet e Ballkanit.

Kështu që, përtej çdo përgjegjësie që ka secili nga vendet e Ballkanit, roli i misionit të Bashkimit Europian duhet të jetë më i qartë dhe më i vendosur, qoftë edhe me vendimmarrje arbitrare, sepse populli shqiptar dhe ai i vendeve të Ballkanit Perëndimor është tërësisht me të, kundër elitës së tyre politike, që qartësisht janë në konflikt interesi me institucionet e BE-së.

Prandaj është koha që ta themi njëherë e mirë të vërtetën se, Bashkimi Europian deri më tani ka dështuar në misionin e tij për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak se nuk ka një politikë të jashtme të qartë dhe kohezive.

U bënë tashmë shumë vite që organizohen konferenca të ndryshme që kanë në fokus vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim mbajtjen gjallë të perspektivës e integrimit europian për këtë rajon, që konsiderohet i rëndësishëm në aspektin gjeopolitik në betejën midis fuqive të mëdha botërore. Por, këto konferenca deri më tani nuk kanë luajtur një rol thelbësor në përpjesëtimin e procedurave të anëtarësimit. Më shumë kanë shërbyer si një instrument i Bashkimit Europian për të mbajtur nën kontroll këto shtete, se sa një shtysë konkrete drejt integrimit europian. Kjo përpjekje ka filluar qysh herët me konferencën e Selanikut dhe te i fundit, ai i Londrës.

Që nga Konferenca e Selanikut e deri te ajo e Londrës, strategjia Europiane  nuk ka ndryshuar. Për të mbajtur gjallë raportet me këtë rajon, në fokus janë çështjet ekonomike në radhë të parë.

Duket si një strategji europiane krijimi i një tregu ekonomik të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, në pamundësi reale për integrimin e tij të plotë.

Është pikërisht dilema midis rëndësisë strategjike për Europën e integrimit të Ballkanit perëndimor dhe pamundësisë ekonomike dhe kontekstit politik dhe shoqëror atje, që detyron në një farë mënyrë politikën europiane të operojë nëpërmjet konferencave të përbashkëta për të mbajtur perspektivën gjallë për këtë rajon. Një strategji e cila po mundohet të mbajë bashkuar një rajon konfliktual dhe problematik nëpërmjet krijimit të kushteve të bashkëpunimit ekonomik, por që është larg të qenit një strategji për integrimin e plotë të tyre. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH