Sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg, tha pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se sulmi i 24 Shtatorit në Kosovë, ishte një shenjë që konfliktet mund të rikthehen në Ballkanin Perëndimor.
“Ne kishim një diskutim të rëndësishëm rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon. Në Shtator ne pamë një sulm serioz në veri të Kosovës. Në Maj, ushtarët e KFOR-it u sulmuan. 93 ushtarë u lënduan rëndë dhe disa prej tyre edhe me rrezik për jetën”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg tha se aktet e tilla janë të papranueshme dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë. Shefi i Aleancës Veriatlantike i mirëpriti propozimet e bëra rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe një paqeje të qëndrueshme”, tha shefi i NATO-s pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani.