Kryesore

Standardet mjedisore: A janë të besueshme institucionet shqiptare?

               Publikuar në : 12:20 - 31/07/21 liberale

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi

Ndërkohë që botimet rreth çështjeve mjedisore në Shqipëri janë shtuar, ato janë ende të paplota dhe shpesh vuajnë nga mungesa e të dhënave të besueshme afatgjata. Për më tepër mungon ballafaqimi i të dhënave me standardet mjedisore të Bashkimit Europian.

Për këtë arsye, libri “STANDARDET MJEDISORE – Shqipëria përballë Bashkimit Europian” paraqet të parin kontribut shumë serioz dhe të strukturuar në këtë fushë. Ky botim na paraqet një vlerësim të plotë të faktorëve dhe proceseve mjedisore monitoruese të Shqipërisë në raport me përmbushjen e detyrimeve dhe standardeve të kërkuara nga Agjencia Europiane e Mjedisit (AEM). Libri na shfaq papërputhshmëritë që ekzistojnë në nivel kombëtar të të gjitha hallkave të zinxhirit raportues të vendit kundrejt AEM-së.

Duket një ndërmarrje e veçantë dhe e vështirë për të paraqitur standardet, metodat e monitorimit, normat dhe parametrat që kryen Agjencia Europiane e Mjedisit (AEM) dhe ballafaquar me standardet, metodat e monitorimit, normat dhe parametrat që kryen Shqipëria. Libri ia ka arritur kwsaj. Ky ballafaqim është shumë i nevojshëm dhe i vlefshëm për të ditur gjendjen aktuale, si edhe për të qartësuar fokusin e punës së mëtejshme të Shqipërisë në fushën e monitorimeve mjedisore.

Libri na fton të gjykojmë dhe vlerësojmë nëse të dhënat dhe vlerësimet mjedisore të prodhuara nga institucionet shqiptare me destinacion AEM-në janë cilësore, të besueshme dhe në përputhje me standardet e kërkuara nga kjo agjenci. Kjo analizë ndihmon në gjykimin më të qartë mbi situatën aktuale në vend, evidentimin e problematikave dhe propozimin e zgjidhjeve për përmirësimin e tyre në përputhje me standardet europiane.
Studimi është kryer në një situatë të vështirë, në kushtet e një mungese thuajse të plotë të studimeve të besueshme dhe literature kombëtare në lidhje me temën në fjalë. Duke u përballur me mungesën e referencave të besueshme, analizave apo studimeve burimore kombëtare, autorja ka përfituar nga eksperienca e punës, hulumtimi në terren sidomos në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, intervistat e ekspertëve të fushave të ndryshme, raportet e të cilëve përfshihen në raportimin e Shqipërisë pranë AEM-së dhe të dhëna të tjera dytësore.

Libri shfaq një analizë sidomos të proceseve, treguesve dhe standardeve sipas AEM-së. Metoda krahasimore ka luajtur rol për të nxjerrë në pah nivelin e të përbashkëtave dhe mospërputhshmërive mes eksperiencës shqiptare dhe europiane.

Kapitulli “Evolucioni i kuadrit institucional mjedisor në Shqipëri si faktor i rëndësishëm i integrimit drejt AEM-së” paraqet një historik të institucioneve shqiptare përgjegjëse për mjedisin, ligjeve mjedisore, konventave ndërkombëtare mjedisore ku Shqipëria është palë, nivelit të transpozimit të direktivave të BE-së në legjislacionin shqiptar etj., duke paraqitur njëherësh edhe problematikat me të cilat shoqërohet vendi.
Roli i AEM-së në procesin e raportimeve mjedisore kombëtare paraqet informacione të dobishme mbi Agjencinë Europiane të Mjedisit, strukturën dhe mënyrën e funksionimit, raportimet mjedisore drejt AEM-së dhe strukturave mbështetëse të saj etj. Me shumë interes paraqiten kushtet për plotësimin e standardeve të raportimit që duhet të plotësojë Shqipëria, treguesit mjedisorë, raportimet e detyrueshme dhe vlerësimi i performancës si tregues progresi. Dy nga problemet më të mprehta që identifikon libri përfshijnë: (i) standardizimi i metodologjive të monitorimit, normave dhe parametrave cilësore e sasiore mjedisore kombëtare dhe përputhshmëria e tyre me udhërrëfyesit europianë, si edhe (ii) ngritja e një sistemi të integruar të të dhënave mjedisore për komponentët bazë mjedisorë.

Vlerësimi i proceseve që ndikojnë në performancën mjedisore është kryer duke na njohur me procesin zinxhir që në nivelin europian njihet si procesi MDIAK (Monitoring, Data, Indicators, Assessment and Knowledge – përkthyer si monitorimi, të dhënat, treguesit, vlerësimi mjedisor dhe njohuritë), ku çdonjëra prej tyre ka ndikim dhe kushtëzon ecurinë e tjetrës. Paraqitet qasja konceptuale MDIAK, sipas së cilës funksionon AEM, mënyra aktuale e monitorimit mjedisor në Shqipëri, vlerësohet infrastruktura aktuale dhe mekanizmat monitorues nëse janë në përputhje me standardet dhe detyrimet kombëtare e europiane dhe përfundon me metodologjinë e nevojshme që aktiviteti monitorues në Shqipëri të jetë në përputhje me standardet europiane. Ky kapitull shoqërohet nga shumë tabela, qoftë lidhur me nivelin e përputhshmërisë së Shqipërisë me kërkesat e AEM-it sipas direktivave përkatëse të BE-së, por edhe me referenca mbi monitorimet e ajrit, zhurmave, ujërave të brendshme, ujërave nëntokësore, si edhe nevojën e integrimit të të dhënave të monitorimit në sistemin GIS. Kapitulli përfundon me pesë rekomandime kryesore për rishikimin e planifikimit të aktivitetit monitorues mjedisor, në mënyrë që ky proces monitorimi të jetë në përputhje me kriteret dhe standardet europiane ekzistuese dhe të sigurojë të dhëna cilësore e të besueshme.

Treguesit mjedisorë në kontekstin europian dhe shqiptar paraqesin kriteret e përzgjedhjes së treguesve mjedisorë dhe kufizimet e tyre, qasja e treguesve mjedisorë në nivel europian, si edhe ballafaqimi mes treguesve mjedisorë në kontekstin shqiptar me ato të AEM. Janë me interes edhe grupimet e treguesve si: (a) përshkrues, (b) të performancës, (c) eficiensës, (d) efektivitetit të politikave dhe (e) të mirëqenies së përgjithshme.
Vlerësimi i gjendjes së mjedisit në Shqipëri bazuar në qasjen europiane është kapitulli më voluminoz dhe shoqërohet me shumë të dhëna tabelare, grafike dhe hartografike, që japin sqarime të hollësishme lidhur me temën e studimit. Paraqet në mënyrë të detajuar të dhëna mbi institucionet që kryejnë monitorimet përkatëse në vend, si edhe vlerësime mbi gjendjen dhe tendencën e cilësisë së ajrit, ujërave, ekosistemeve, biodiversitetit, mbetjeve etj., dhe shoqërohet me përfundime e rekomandime të shtjelluara në detaje.

Ky libër ka informacion të bollshëm, të qartë dhe është i strukturuar mirë për lexuesin, në kushtet kur në Shqipëri mungon sistemi i integruar i informacionit mjedisor dhe sistemi i integruar i monitorimit mjedisor. Studimi është i pari në llojin e tij dhe është kontribut shumë i rëndësishëm në fushën e monitorimeve dhe raportimeve mjedisore në Shqipëri, qoftë nga ana akademike, por edhe paraqet vlerë të veçantë praktike gjatë proceseve integruese të vendit në BE.

Pjesë nga libri

Qëllimi i këtij studimi është të bëjë një vlerësim të plotë të faktorëve dhe proceseve mjedisore të Shqipërisë, në raport me përmbushjen e detyrimeve dhe standardeve të kërkuara nga Agjencia Europiane e Mjedisit. Nëpërmjet analizës dhe kërkimit të këtij studimi, është synuar evidentimi i mospërputhjeve që ekzistojnë në nivel kombëtar, krahasuar me ato europiane, të të gjitha hallkave të zinxhirit raportues të vendit kundrejt këtij institucioni europian mjedisor.

Duke marrë në konsideratë faktin që, Shqipëria është një vend me një historik relativisht të shkurtër të institucioneve mjedisore, ende në konsolidim e sipër, njëkohësisht duke vlerësuar vëmendjen e politikëbërësve ndaj çështjeve të mjedisit, shpeshherë të pamjaftueshme, krahasuar me sektorët e tjerë të konsideruar si prioritarë në vend dhe, nga ana tjetër, duke vlerësuar obligimet që vendi ka, në kuadër të integrimit të tij drejt BE-së dhe institucioneve të saj, siç është Agjencia Europiane e Mjedisit, u gjykua se një analizë e detajuar e mënyrës sesi vendi po performon në raport me përmbushjen e këtyre obligimeve, do të ishte një kontribut me vlerë dhe arritje e objektivit kryesor të këtij kërkimi.

Integrimi europian i vendit në vetvete përmban disa sfida që lidhen me disa sektorë të vendit. Një prej tyre është dhe mjedisi, i cili gjithmonë e më shumë në Europë po merr një vëmendje të shtuar, për shkak të rëndësisë dhe impaktit që ka te sektorë të tjerë të ekonomisë dhe ndikimit në shëndetin dhe mirëqenien e njeriut. Kjo vëmendje, ndaj çështjeve të mjedisit, ndiqet nga të gjitha vendet e BE-së, anëtare dhe joanëtare (aspirante për t’u anëtarësuar) dhe institucioneve europiane, sikundër është edhe Agjencia Europiane e Mjedisit. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë institucion është ngushtësisht i lidhur me përmbushjen e detyrimeve të saj raportuese dhe bashkëpunuese. Ai ecën paralelisht me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Këto dy procese janë komplementare me njëra-tjetrën dhe pazgjidhshmërisht të lidhura fort mes tyre. Pikërisht, vlerësimi i ecurisë së vendit drejt procesit të integrimit të plotë të tij drejt AEM, është në fokus të kësaj teme studimi, duke u përpjekur të sjellë një analizë të detajuar të të gjitha proceseve të brendshme mjedisore, që ndikojnë në finalizimin e tyre me raportimet mjedisore të Shqipërisë drejt saj dhe përmbushjes së obligimeve të vendosura, në përputhje me standardet dhe metodologjitë e caktuara prej saj, që në vetvete janë tërësisht në përputhje me direktivat dhe marrëveshjet europiane në fuqi.

Kjo temë studimi përpiqet t’u japë përgjigje pyetjeve të shumta, që lidhen me të gjitha proceset mjedisore brenda vendit, të cilat ndikojnë në mënyrë direkte apo indirekte në cilësinë dhe besueshmërinë e të dhënave, informacionit dhe vlerësimeve mjedisore të prodhuara nga institucionet mjedisore me destinacion Agjencinë Europiane të Mjedisit. Ajo tenton të gjykojë dhe vlerësojë nëse ato janë në përputhje ose jo me standardet e kërkuara nga AEM. Një skanim dhe analizë e tillë ndihmon në dhënien e vlerësimeve dhe gjykimeve mbi situatën aktuale në vend, të këtyre proceseve dhe evidentimin e problematikave e propozimin e zgjidhjeve dhe përmirësimin e tyre në përputhje me standardet europiane. Synimi i saj është që modestisht të komunikojë mesazhe dhe propozime të bazuara në analizën e detajuar, të vendosura në planin krahasues, drejtuar politikëbërësve dhe institucioneve mjedisore, të përfshira në monitorimin e gjendjes së mjedisit, vlerësimin dhe raportimin mbi gjendjen dhe cilësinë e tij, si brenda vendit, ashtu edhe në adresë të institucioneve ndërkombëtare, sikundër është Agjencia Europiane e Mjedisit.

Vlerësimi i të gjitha proceseve që ndikojnë në performancën mjedisore të vendit drejt AEM, është bërë duke evidentuar faktin që ato janë hallka të të njëjtit proces dhe si të tilla duhet të funksionojnë, ku çdonjëra prej tyre ka ndikim dhe kushtëzon ecurinë dhe progresin e tjetrës. Ky proces zinxhir, njihet si procesi MDIAK (Monitorimi – të Dhënat – Treguesit – Vlerësimi mjedisor – Njohuritë) dhe qëndron në themel të punës e funksionimit të saj dhe vendeve anëtare. Objektivi i punimit është të analizojë pikërisht mënyrën sesi secila prej këtyre hallkave funksionon edhe në Shqipëri, duke eksploruar brenda tyre dhe identifikuar ngjashmëritë dhe mospërputhjet që ekzistojnë dhe ndikimin e tyre në performancën e funksionimin e çdonjërës prej tyre, në përputhje ose jo me standardet përkatëse në nivel europian, në themel të punës së këtij institucioni.

Në të njëjtën mënyrë jemi përpjekur të bëjmë një vlerësim të gjendjes së mjedisit në Shqipëri, bazuar në qasjen dhe metodologjitë europiane të përdorura sot, në vlerësimet e gjendjes dhe cilësisë së mjedisit të AEM, të cilat janë tërësisht të ndryshme për nga mënyra e trajtimit të problemeve mjedisore në nivel europian dhe qasja e integruar mbi të cilën bëhen këto vlerësime, duke gërshetuar faktorët mjedisorë me ata social-ekonomikë. Vlerësimet mjedisore në Shqipëri duhet të bëhen pikërisht bazuar në këtë qasje, e cila bën të mundur vënien në pah të mënyrës dhe shkallës së ndërveprimit të të gjithë faktorëve që ndikojnë dhe kushtëzojnë gjendjen dhe cilësinë e komponentëve të caktuar mjedisorë dhe mjedisin në tërësi. Kjo do të ndihmonte në vlerësimin tërësor e kompleks të mjedisit, duke nxjerrë në pah edhe gjendjen reale të mjedisit dhe identifikuar shkaqet e burimet e ndotjeve, shkallën e ndikimit të tyre dhe njëkohësisht, evidentuar masat e nevojshme që duhen ndërmarrë për zbutjen apo eliminimin e pasojave të tyre në të ardhmen.

Objektiv i rëndësishëm i kësaj teme është komunikimi i gjetjeve dhe mesazheve të saj, pjesë përbërëse e çdo kapitulli te grupet e interesit, institucionet dhe politikëbërësit, me qëllim sensibilizimin e tyre, në lidhje me nevojën e prioritarizimit të nevojave dhe ndërhyrjeve që duhen bërë në nivel kombëtar, për përmirësimin e infrastrukturës dhe proceseve mjedisore, objekt i këtij studimi, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e punës dhe performancës së Shqipërisë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, në fushën e mjedisit dhe përmbushjes së detyrimeve në përputhje të plotë me kërkesat dhe standardet e kërkuara.

Identifikimi i sfidave mjedisore, me të cilat po përballet vendi ynë, në raport me integrimin e tij të plotë drejt institucioneve europiane, përbën një nga orientimet dhe objektivat e rëndësishme të punimit, i cili do të shërbejë për të bërë një vlerësim të plotë dhe të gjerë mbi nevojat dhe ndërhyrjet që nevojiten të bëhen në të ardhmen. Kjo gjë ndihmon në konsolidimin e institucioneve mjedisore të vendit dhe si rrjedhim, përmbushjes me cilësi dhe standarde të misionit të tyre, në raport me institucionet europiane mjedisore (AEM). Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do të arrijë të jetë një vend raportues me performancë pozitive dhe të përmbushë me sukses detyrimet e saj drejt këtij institucioni, gjë që do t’i hapë rrugën integrimit të vendit drejt Bashkimit Europian. Parë në këtë këndvështrim, kjo temë synon pikërisht përafrimin sa më shumë dhe zbatimin me përpikëri të metodologjive dhe standardeve të vendosura e zbatuara nga AEM, për vendet anëtare dhe bashkëpunuese të saj (ku përfshihet Shqipëria) dhe afrimin e vendit dhe institucioneve mjedisore të saj sa më afër vendeve të tjera të Europës, njëkohësisht anëtare të AEM.

Në tërësinë dhe kompleksitetin e saj, studimi sjell një analizë të bazuar në një qasje të ndryshme nga ajo e aplikuar deri tani në nivel kombëtar nga institucionet mjedisore përgjegjëse për aspekte dhe procese të caktuara, objekt studimi i saj. Këndvështrimi europianist i trajtimit të saj përbën një risi dhe evidenton më mirë problematikat dhe mangësitë e të gjithë sistemit kombëtar në raport me objektivin final, atë të përmirësimit dhe përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë drejt saj, në respekt të plotë të standardeve të vendosura prej saj, si një kusht i rëndësishëm për anëtarësimin e vendit drejt këtij institucioni dhe BE-së, njëkohësisht. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back