Dossier

Stalini

               Publikuar në : 09:13 - 30/05/20 liberale

(Legjenda dhe realiteti)

 Eugjen Merlika

Gjashtë marsi i vitit 1953 ishte një ditë e mvrenjtur në qytetin e Korçës. Bora kishte mbuluar, me bardhësinë e saj, jo vetëm Moravën por edhe qytetin, që atë ditë ishte i heshtur e në zi. Para bustit të Stalinit, në sheshin para kinemasë Morava, nxënësit e shkollave dhe qytetarët e tjerë qëndronin më gjunjë, në heshtje, duke dëgjuar dikë që, nëpërmjet altoparlantit, shprehte dhimbjen e thellë të partisë e të gjithë shqiptarëve për “humbjen më të madhe që kishte pësuar Shqipëria”. Në Moskë, në qendrën e komunizmit, një ditë më parë kish pushuar së rrahuri zemra e Josif Visarionoviç Stalinit.

Sa shumë ujë ka rrjedhur nën ura që nga ajo ditë, sa shumë ka ndryshuar bota dhe Shqipëria, sa shumë kanë ndryshuar dhe konceptet tona për kohët  dhe ngjarjet. Ç’ishte për një nxënës  të asaj kohe Stalini? Ishte një legjendë, mishërimi i së mirës që luftonte e mundte të keqen kudo në botë, “shpëtimtari i njerëzimit nga bisha naziste”, “mësuesi dhe udhëheqësi i proletariatit botëror”, “mbrojtësi i madh i popujve të vegjël”, “miku më i madh i popullit shqiptar”. Kjo ishte korniza në të cilën jo vetëm ne, por një e treta e botës, fuste mustaqelliun gjeorgjan. Ishte aureola me të cilën mbulohej fytyra e vërtetë e njërit prej gjaksorve më mizorë që kish njohur historia e njerëzimit.

Sot, mbas më shumë se shtatë dhjetëvjeçarësh, me arkivat e hapura, me komunizmin të shndërruar në një relike që shërben për të shmangur kaosin e mundshëm të Kinës, për të mbajtur gjallë dinastitë e Kimëve e të Kastrove e për të ngacmuar kujtimet e mallin e ndonjë aparatçiku veteran, gjykimi mbi figurën komplekse të Stalinit zhvishet nga mjegullnaja e propagandës, instrumentalizimit e gënjeshtrës, karakteristike për historiografinë komuniste dhe na paraqitet në dritën e së vërtetës.

Personaliteti, që do të vuloste me veprën e tij, për mirë apo për keq shekullin e njëzetë, kishte patur një fëmini të vështirë, çuditërisht të ngjajshme me atë të një tjetër figure, mjaft të rëndësishme, të Adolf Hitlerit. Një baba alkoolist e i dhunshëm në familje, një nënë e lidhur marrëzisht me të birin e vetëm, mbasi ka humbur dy të tjerë, një ambient seminari me rregullat dhe ashpërsinë e tij, formuan që në të ri një njeri inatçi, të mbyllur në vetvehte, mosbesues, të ashpër, agresiv e të vetmuar. Ai njeri nuk arriti kurrë të rrezatonte dashuri në familje; e ëma i vdiq e nuk shkoi t’i hedhë as një grusht dhe, e shoqja vrau vehten nga dëshpërimi, e bija jetoi e mbyllur e mezi ç ‘priti rastin të largohej nga Vendi i saj.

U arrestua e u burgos nga policia cariste e thuhej se bashkëpunoi me të. Iku nga burgu, hyri  në klandestinitet e u fut në partinë bolshevike, ku shpejt ngjiti shkallët e karrierës për të arritur në sekretar organizativ të saj. Shtabi i partisë me Leninin në krye ndodhej në Zvicër, ndërsa Josif Xhugashvili merrej me organizimin e saj në provincat e Rusisë që ishte në luftë përkrah demokracive të Perëndimit, kundra Aleancës tripalëshe qendër-evropiane. Parullat e paqes e të tërheqjes së Rusisë nga lufta janë flamuri i propagandës bolshevike në rradhët e ushtrisë e të popullit. Ishte strategjia e Shtatmadhoris gjermane, që synonte mbylljen e frontit të Lindjes, për t’u përqëndruar n’atë të Perëndimit e për të fituar luftën. Kësaj strategjie i shërbeu “treni i blinduar”, që nga Zvicra solli në Rusi Leninin, Trockin, Zinovjevin e të tjerë drejtues të partisë bolshevike, tren i dhënë enkas nga ministria e jashtme gjermane, së bashku me një shumë të mirë të hollash, që njihen me emrin “ari i Berlinit”.

Xhejms Xhojsi e quajti atëherë kthimin e Leninit në Rusi “ një lloj kali Troje”. Grushti i shtetit i 7 nëndorit 1917, i njohur në histori si Revolucioni i madh socialist i tetorit, qe sendërtimi në praktikë i synimeve bolshevike për të marrë pushtetin e për t’i shpërblyer nderin Gjermanisë së Kajzerit me Traktatin e Brest-Litovskit, që tërhiqte Rusinë nga lufta. Filloi menjëherë regjimi i terrorit, nën etiketën e “diktaturës së proletariatit”, që nuk kurseu askënd, që nga familja e Carit e masakruar pabesisht, tek milionat e fshatarëve të lirë e të kozakëve, që kishin qenë shtylla vertebrore e Rusisë së lashtë, tek intelektualët të ashtuquajtur “borgjezë” e deri tek kuadrot më të larta të Partisë e të Shtetit. Pushteti i sovjetëve lindi si një impiant i stërmadh terrori, para të cilit gijotinat e revolucionit jakobin të Francës ishin si lodra fëmijësh e në të cilin ndihmesa e Josif Visarionoviç Stalinit ishte e një rëndësie të dorës së parë.

Në sa milionë viktima llogaritet kasaphana njerëzore në “atdheun e socializmit”? Simbas historianit Roi Medvedev “asnjë tiran në histori nuk kishte masakruar një numër kaq të madh bashkatdhetarësh”. “Së paku pesëmbëdhjetë milionë” thoshte laureati Nobel për paqen, shkencëtari disident Andrej Zaharovi. Por Sollzhenicini i vlerësonte të gjitha viktimat e “luftës së brendshme” sovjetike në gjashtëdhjetë milionë. Shifrat e sakta janë ende të panjohura. Ndofta ruhen të fshehta e ndofta nuk ekzistojnë fare. Historia e tyre është e llahtarshme, nuk njeh kufij, nuk njeh kritere. Diktatura e proletariatit, thoshte Lenini “ është një pushtet pa kufizime, pa ligje, pa rregulla, që mbështetet drejt për së drejti mbi detyrimin.”

Detyrimi me dhunë ishte ligji kryesor i “botës së re”që do të ndërtohej në një të gjashtën e globit. Sistemi i Gulagëve që nga Vorkuta deri në Kolima ishte pasqyra më e saktë e asaj bote. Në to jetëgjatësia nuk i kalonte të pesë javët dhe norma ditore e detyruar ishte tetëqind pud mineral, ndërsa në Rusinë e carëve kishte qenë gjithsej tre pud!!! Çdo ditë në mëngjes lexoheshin listat e të vdekurve në të cilat kishte dhe fëmijë nga mosha 12 vjeçe. Një dekret i 7 prillit 1935 autorizonte ekzekutimin kapital nga mosha 12 vjeçe. Në bregun e djathtë të Dnjeprit, gjatë verës së vitit 1933, rreth tremijë fëmijë nga shtatë deri dymbëdhjetë vjeç, bij kulakësh, u mbajtën të mbledhur në një vend e u lanë të vdisnin urie, ndërsa hambarët ishin plot me drithë.

Gjithë këto dukuri të lemerishme zhvilloheshin nën udhëheqjen e “ndritur” të klasikut të marksizmit, Stalinit, e në historinë  e mëvonshme u njëjtësuan me emrin e tij. Po a i përgjigjet plotësisht së vërtetës një njëjtësim i tillë? A ishte me të vërtetë Stalini i vetmi që kishte hartuar këtë strategji çfarosjeje në emër të “botës së re” e të “njeriut të ri” e që e zbatonte me përpikërinë e një ligjvënësi të racës?

Përpjekja e historiografisë “progresiste” perëndimore, për t’a thjeshtuar në termin “stalinizëm” dhunën e pashembullt të regjimit  komunist, synon të “vërtetojë” se teprimet, gabimet, pak kush përmend fjalën krime të sistemit komunist nuk janë në DNA në e tij, por janë shfaqje të personave të veçantë, që kanë qenë në udhëheqjet. E vërteta është një tjetër: paraqitja e Stalinit dhe veprës së tij si një shtrembërim dogmatik i leninizmit, e modës në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë në BS të Hrushovit dhe në partitë komuniste të Perëndimit, është një alibi për të mbuluar natyrën e vërtetë të sistemit si ideologji e si realizim.

Dualizmi Lenin-Stalin është një krijesë e sajuar nga idhtarët e ideologjisë komuniste për t’i vënë patericat teorisë. Stalini vazhdoi veprën e Leninit në të gjitha format e përfytyruara e të projektuara prej tij. Sistemi i Gulagëve ishte sponsorizuar prej Leninit që kishte urdhëruar  “të spastrohej toka ruse nga të gjithë  insektet e dëmshëm”. Vënia e gjithë aparatit partiak e shtetëror nën kontrollin e rreptë e të plotfuqishm të ÇEKA-s së  Xherxhinskit ishte një parim i zbatuar prej Leninit. Kolektivizimi i detyruar i bujqësisë dhe shpërnguljet masive të pakicave kombëtare nuk ishin vetëm ide të Stalinit. “Dhuna revolucionare “ ishte ligjësuar nga Lenini, Trocki, Zinovjevi, Kamenievi, Buharini etj. fill mbas gjëmimit të topave të Aurorës.

“ Ndërsa në shoqëritë klasore parimi udhëheqës është “ Kush nuk punon nuk ha “ në shoqërinë komuniste është “ Kush nuk bindet nuk ha”, do të shkruante më vonë Trocki në veprën e tij “Revolucioni i tradhtuar”. Ai do t’i vishte “ mediokritetit” të Stalinit motivin e titullit të veprës së tij, por harronte se ishte ai vetë një nga frymëzuesit e dhunës “revolucionare” kur, si komisar i popullit për luftën, shprehej në mënyrë cinike: “ Për sa na përket neve, nuk kemi patur të bëjmë kurrë me lloqet kantiano-priftërore ose kuakero-vegjetariane mbi shenjtërinë e jetës njerëzore.”

Krimet e përbindshme të pushtetit sovjetik e të regjimeve komuniste, në përgjithësi, nuk mund t’i vishen vetëm Josif Stalinit, sado kampion i krimit të ishte ai. Ata e kishin zanafillën që nga idetë e Marksit që njerëzit i ndante në të shfrytëzuar e shfrytëzues, në luftë të përhershme e të papajtueshme me njëri tjetrin, që besimet fetare me parimet e tyre morale i quante “opium për popullin”, duke zhveshur qënien njerëzore nga ato vlera të përjetshme që përbëjnë bazën e shoqërisë njerëzore. Stalini e thelloi hendekun që kishin hapur më parë Marksi dhe Lenini, një hendek gjaku që për shumë kohë mbeti i panjohur nga bota, mbasi u mbulua nga demagogjia e gënjeshtrat për “parajsën e punëtorëve” dhe nga zhvillimi ekonomik i një Vendi me një potencial të jashtëzakonshëm.

Ja si e shpjegon Sollzhenicini, një nga njohësit më të mirë të realitetit sovjetik, oqeanin e krimit komunist: “ Makbethi është një kriminel dhe vret shtatë viktima. Për të vrarë shumë më tepër, më parë gjashtë milionë e më pas gjashtëdhjetë është i nevojshëm një shumëzues. Ky shumëzues është ideologjia.”. Ideologjia është ajo që justifikon gjithshka, shtypjen, dhunën, terrorin e një pjese të popullit mbi pjesën tjetër ose të një kaste njerëzish mbi një popull, në emër të interesave të klasës, të ndërtimit të një shoqërie eprore, ku utopia rreket të zëvendësojë realitetin. Ideologjia krijon njerëzit përbindësha që ushtrojnë verbërisht dhunën, në të gjitha format e saj, pa asnjë farë brejtje ndërgjegjeje.

Është folur e shkruar shumë për meritat e Stalinit në fitoren ndaj nazi-fashizmit. Mendoj se duhen mbajtur parasysh dy gjëra: e para se ai, fillimisht, bëri një pakt me Hitlerin, pasojat e mbrapshta të të cilit i pësuan polakët, lituanët, letonët e estonët që humbën pavarësinë; e dyta se nuk është shumë e qartë se ku mbarojnë meritat e “gjeneral dimrit”, të hapësirës së pamatë ruse e të aviacionit amerikan e ku fillojnë ato të gjeneralisimit e të ushtrisë së kuqe që, në muajt e parë të luftës dorëzohej si kope në duart e gjermanëve. Por në kthimin e Rusisë nga një vend i pazhvilluar në mbi fuqinë e dytë të botës, pavarësisht nga mjetet e metodat, mendoj se Stalinit i takon një vlerësim të cilin, jam i bindur, historia nuk do t’i a mohojë.

Historia e Stalinit është dhe historia e partisë komuniste mbasi, me gjithë tezën e Marksit mbi rolin e masave në përcaktimin e ngjarjeve historike, mbas vdekjes së Leninit ai mbeti Zeusi i pakundërshtueshëm i Olimpit moskovit dhe i komunizmit botëror. Eshtë një histori kurthesh, pabesish, asgjësimesh të kundërshtarëve e të bashkëluftëtarëve, një xhungël njerëzore, para së cilës xhungla shtazore duket si parajsë engjëjsh. Bashkimi Sovjetik i shiste armë Republikës komuniste spanjolle me çmime stratosferike, duke transferuar në Moskë gjithë arin e Madridit. Kjo ishte një nga pamjet e të ashtuquajturit internacionalizëm proletar.

“Revolucioni i ha bijtë e tij”. Duket se kjo është e vërteta eprore e të gjitha revolucioneve, por shembulli më i ndritur, në këtë drejtim, mbeten gjyqet e Moskës të viteve 1935-1938 të orkestruara e të drejtuara nga vetë Stalini. Duket se ky ligj nuk kurseu as atë vetë, mbasi vdekja e tij mendohet të ketë qenë e shkaktuar nga një helmim, thuhet nga miku i tij i ngushtë, ministri i brendshëm, Beria. Për këtë nuk ka prova të sigurta, por është fakt se ai mbeti dy dit pa ndihmë mjekësore e kjo nuk qe një rastësi. I biri i revoltuar akuzoi hapur “bastardët që i kishin vrarë babanë”. Mbas një muaji përfundoi në hekura, i dënuar me dhjetë vjet burg. Supozohet se komploti kundër Stalinit u organizua sepse ai kishte në plan një fushatë arrestimesh në radhët e udhëheqjes , simbas modelit të gjyqeve të Moskës e së fundi studiues amerikanë mbrojnë tezën e një projekti për një konflikt të armatosur me ShBA, që do të çonte në një katastrofë bërthamore të botës.

Kjo ishte e vërteta të cilën nuk mund t’a dinin milionat e gjithësisë komuniste që, në ato ditë marsi të pothuaj shtatëdhjetë viteve më parë, derdhnin lot për “udhëheqësin legjendar”. Legjenda dhe e vërteta rrallë herë përkojnë, janë larg njëra tjetrës, madje në shumë raste e përjashtojnë njëra tjetrën. Të gjitha ato që ne mësonim nëpër shkolla përbënin legjendën, ato që shkruheshin në arkivat e në kujtesën e pjesëmarrësve të ngjarjeve formonin të vërtetën.

Ne, shqiptarët kemi “meritën” se kemi ruajtur një raport të privilegjuar vetëm me legjendën. Kemi qenë më të zellshëm se të tjerët në zbatimin e mësimeve e të përvojës së Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg të madh, ku spikasnin qindra kilometrat e telave me gjemba të kampeve të punës së detyruar, burgjeve e qendrave të internimit, në të cilin shifrat e krimit shtetëror, për frymë popullsie, mund të barazohen me të tijat. U munduam të zbatojmë ad literam parimet bazë të tij në fushën ekonomike, duke kolektivizuar me forcë tri të katërtat e popullsisë që banonte në fshat, për t’i shpënë në një varfëri skajore. Ushqyem iluzionet e kota të krijimit të industrisë së rëndë që nuk i nevojitej një Vendi të vogël siç ishte Shqipëria, duke shteruar fonde që mund të shërbenin shumë mirë po të përdoreshin gjetiu. E deshëm dhe respektuam “Babanë e popujve” më shumë se të tjerët, ja ruajtëm kujtimin dhe emrin më gjatë edhe se Vendi i tij, i mbajtëm shtatoret e bustet e tij deri sa u shemb Muri i Berlinit, madje nxorëm dhe një ligj për mbrojtjen e tyre. E quajtëm atë mikun më të madh tonin, paçka se ai ja kishte ofruar me kohë Vendin tonë Federatës Jugosllave të Titos. E gjithë kjo politikë absurde dhe e marrë na ngjiti etiketën e “Vendit të fundit stalinist të Evropës” e drejtuesit tanë këtë etiketë e kishin për nder dhe e mbanin si medalje.

“ O turp ku e ke skuqjen!..” ç’frynte dikur Princi i Danimarkës. Sa herë këtë zemëratë hamletiane duhet t’ua kishim zbrazur  udhëheqësve tanë “të ndritur” stalinistë për plagët e pashërueshme që i hapën këtij Vendi, për mizorinë e pazotësinë me të cilat e qeverisën, për anakronizmin në të cilin e kthyen jetën tonë. Por ata nuk u skuqën as atëherë kur, si Don Kishoti  me shpatë, mbronin istikamin e Stalinit as sot kur, nëpërmjet librash, artikujsh e intervistash evokojnë kohën e tyre të përbindshme. Ata vazhdojnë të tallen me viktimat e krimeve të tyre  sepse Evropa socialiste e kristiane, në emër të një morali të diskutueshëm, i tha ndal Nurembergut të komunizmit. Është kjo arsyeja pse ata zotërinj mbetën të pandëshkuar e jo ajo që thotë dikush se “akuzat nuk u vërtetuan kurrë për “gjenocid  e krime kundër njerëzimit” ndaj ish funksionarëve më të lartë të regjimit komunist…” Vërtetim i atyre  akuzave  janë shifrat e pakundërshtueshme të përndjekjes politike në Shqipërinë komuniste, zoti gazetar politikan i PS.

Paturpësisë së tyre e kemi për detyrë t’u vëmë përballë heroizmin e atyre djelmoshave të Shkodrës e Tiranës që, në një çast të caktuar, vendosën t’a shlyejnë turpin e Kombit me rrëzimin e shtatoreve të diktatorit komunist gjeorgjian e të dishepullit të tij shqiptar, duke paguar me gjymtimin fizik që “bijtë e Stalinit” u shkaktuan trupave të tyre rinore. Do të kishte qenë një gjë e bukur sikur dikush në Kryesinë e Shtetit të ishte kujtuar t’u jepte një medalje atyre djelmoshave, veprimi i të cilëve i jep shumë më tepër nder historisë së këtij Vendi se sa gjithë veprimtaria e ministrave, funksionarëve apo dishepujve të stalinistëve shqiptarë. /Gazeta Liberale                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                 

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back